Genc Gjokutaj njihet si avokati i klientëve VIP, pasi ka marrë në mbrojtje disa prej dosjeve më të nxehta të drejtësisë shqiptare.

Në skedën e të mbrojturve nga ai janë politikanë, ish-ministra (edhe të afërm të tyre) si dhe figura të tjera të rëndësishme përfshirë edhe ata nga bota e biznesit.

Ai ka mbrojtur nga akuzat për korrupsion ish-ministrin e Punës në qeverinë "Berisha", Spiro Ksera si dhe kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu. Ky i fundit akuzohej për abuzim me detyrën dhe pabarazi për tenderat.  

I pari është në burg, ndërsa i dyti fitoi lirinë me vendim të Gjykatës së Apelit të Tiranës.

Gjokutaj kryeson edhe palën mbrojtëse të ish-deputetit Mark Frrokut, i akuzuar për trafik prostitucioni dhe vrasje në Belgjikë. 

Gjithashtu, Gjoktuaj ka qenë edhe avokati mbrojtës i ish-kreut të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo. I pari i akuzuar si urdhëruesi dhe i dyti si zbatues i urdhrit të vrasjes së 4 protestuesve të opozitës në 21 janar të 2011-ës në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" .  

Një tjetër mbrojtje e Genc Gjokutajt është edhe ajo e Arben Frrokut, i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj. 

Gjokutaj njihet si person i afërt me familjen Berisha. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com