SKEDA/ Kush është GFI Albania?

SKEDA/ Kush është GFI Albania?
Skandali i Panamasë, që zbuloi paratë e fshehura të elitës botërore, përfshin në listën e saj edhe një shqiptar, të lidhur ngushtë me segmente të Partisë Demokratike dhe qeverinë "Berisha".

Gazeta TemA shkruan se bëhet fjalë për një biznesmen të quajtur, Ismail Mulleti, ndërtues në vitet ’90, dhe ish-aksioner i një prej hoteleve më të rëndësishme në Tiranë “Hotel Tirana”.

Por këto biznese janë thërrime përballë kompanisë "GFI Techologies", ku ai është bashkëpronar, kompani  e cila është e skeduar se fsheh pasuritë në parajsa fiskale në Panama.
 
Gazeta TemA shkruan se pas këtij biznesmeni, fshihet deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo dhe djali i ish kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.

“Ismail Mulleti është mbulesa e Genc Pollos në çdo biznes që nga viti 1996 dhe koncesioni i ngjyrosjes është njeriu që mbulon Shkëlzen Berishën". "Lekët i paskan çuar deri në Panama po këta nuk duhen çuar aq larg. S’është keq Burgu Bënçës”, shkruan gazeta TemA.
 
GFI Albania, nëpërmjet një kontrate 10- vjeçare që kushton 150 milionë euro, duhej të ngjyroste naftën në përputhje me qëllimin e përdorimit, me synim eliminimin e abuzimit me cilësinë e destinacionit dhe në fund shmangien e taksave.
 
Pikërisht me këtë qëllim asaj iu dha koncesioni në javët e fundit të qeverisë Berisha. Ky koncesion ka ngjallur shumë debate në vend. Që nga mënyra si u dha nga qeveria Berisha, që nga pikëpyetjet se kush fshihej pas tij e deri tek marrëdhëniet e dyshimta që ai krijoi me qeverinë e re, që në fillim tha se do ta anulonte.

Në fakt, kompania GFI Technologies u regjistrua në maj të vitit 2013 në Anguilla për të investuar në Shqipëri.
 
Ismail Mulleti bashkëpronar në të ka përdorur një skemë të pastër riciklimi parash dhe mënyre për të shmangur taksat.

Sipas investigimeve të gazetarëve të huaj, bashkëpronare e shoqërisë "GFI Technologies" rezulton Global Fluids International S.A’. e cila në vitin 2013 mori në Shqipëri koncesionin e markimit të karburanteve.

Kjo kompani në vitin 2015 ja shiti thuajse të tëra aksionet e kompanisë GFI Abania, partneres së saj “Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP)” duke mbajtur vetëm 0.7% të tyre.

Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit administratorë të GFI Abania janë Vangjel Birbo dhe Dorian Deltina, ndërsa njëri prej drejtuesve quhet Uzyel Ben Itzhak (gjeneral në pension i forcave speciale të Ushtrisë së Izraelit).

"Petroleum Consulting Partners AG" është një kompani e regjistruar në Zvicër në vitin 2012, me drejtor ekzekutiv Morax François. 


Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Kush është biznesmenia që i ka rrëmbyer zemrën? Amos Zaharia e zbulon për herë të parë

Kush është biznesmenia që i ka rrëmbyer zemrën? Amos Zaharia e zbulon për herë të parë