Shqiptarja.com sjell dokumentin që mban firmën e Saimir Tahirit, dhe që përcakton këto rregulla. “Koha normale e punës/shërbimit për punonjësit e Policisë së Shtetit është 40 orë në jave. Për efekt të llogaritjes së pagës orare, muaji llogaritet mesatarisht me 174 orë pune. Punonjësit të Policisë i sigurohet një pushim ditor i pandërprerë prej 11 orësh para marrjes së shërbimit/punës.
Shërbimet e Policisë si rregull organizohen sipas një planifikimi 24 orësh, me tume, nga tetë orë secili. Kohëzgjatja e punës natën nuk mund të jetë më shumë se 8 orë pa ndërprerje. Ajo duhet të paraprihet ose të pasohet me pushim ditor të menjëhershëm.
Punonjësi i Policisë që shërben natën, në ditët e pushimit javor e të festave zyrtare, brenda kohëzgjatjes normale ditore të punës, përfiton një shtesë mbi page në masën 20 % për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 19.00 deri në orën 22.00; 50 % për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 22.00 deri në orën 06.00 dhe 25 % për çdo orë pune të kryer në ditët e festave zyrtare dhe ditët e pushimit javor.
Punonjësi i Policisë gëzon të drejtën e pushimeve vjetore të paguara, si më poshtë: a) 40 dite kalendarike për punonjësit e policisë me gradë "Drejtues" deri “Drejtues madhor". b) 35 ditë kalendarike për punonjësit e policisë me gradën Nënkomisar, Komisar dhe Kryekomisar. c) 30 ditë kalendarike për punonjësit e policisë me gradën Inspektor.
Gjatë kryerjes së pushimeve vjetore punonjësi trajtohet financiarisht në të njëjtën masë me pagën që merr punonjësi kur është në punë/shërbim. Punonjësi i cili ndërpret marrëdhëniet e punës me strukturat e Policisë, trajtohet menjëherë financiarisht për ditët e pushimit vjetor të pakryera, të llogaritura në raport me kohëzgjatjen e tij të punës brenda vitit kalendarik.
Punonjësit të Policisë i jepet leje e pagueshme për rastet si më poshtë: Martesën e tij 7 ditë; Martesën e fëmijës 5 ditë; Lindjen e fëmijës për baballarët 3 ditë; Vdekjen e prindërve, të gjyshërve, të bashkëshortes/it, të fëmijës, vëllezërve, motrave 7 ditë; Ndërrim të banesës 3 ditë; Sëmundje të renda të fëmijëve, prindërve 7 ditë dhe përgatitjen dhe mbrojtjen e titujve të gradave shkencore për punën që kryejnë 10 ditë”,-thuhet në projekt vendimin që mban firmën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.