A fitohet prapë kjo e drejtë?
Edhe sikur të heqësh nga lista Sali Berishën, ose Ilir Metën, ose Albin Kurtin, ose Arben Ahmetin, ose Artan Grubi e Enver Bexheti..., prapë duhet kohë për të pastruar kombin tonë.
Siç mburreshim pak kohë më parë se ‘në Ballkan kemi tre kryeministra’, tani u shfaq tmerri i kundërt se ‘tre shtete në Ballkan mbulohen nga përbindësha shqiptarë të korrupsionit’. Sot të korruptuarit e mëdhenj janë edhe vrasës, edhe kriminelë, edhe minues të demokracisë.
Jemi të turpëruar, nëse duam të shikojmë e kuptojmë.
Në tre shtete (Shqipëri, Maqedoni e Kosovë) peshkaqenët e korrupsionit janë shqiptarë të ngjitur lart- lart në pushtet me krahët si vinça të skllevërve shqiptarë. Këtu në Tiranë janë dy kryeministra, dy presidentë, një nën- kryeministër. Në Kosovë është një kryeministër që e kishte shpallur veten të pa- korruptueshëm e tani është thërritur në Hagë. Në Maqedoninë e Veriut është një nën-kryeministër dhe një anëtar i Gjykatës së Apelit.
Ore, po kush i ngjiti aq lart? A mos vallë ‘viçat’ me qafa të gjata ishin duar skllevërish e të urtësh? Bota e drejton gishtin sot te çdo shqiptar, askush nuk mund të quhet ‘i pafajshëm sa një skllav’; shqiptarët poshtë atyre vinçave janë të shënjuar si bashkëpunëtorë.
Shqiptarët i kanë votuar, shqiptarët i kanë rivotuar, shqiptarët kanë dhënë e po japin ‘jetën’ për këta. Kush mund të thotë se edhe këta nuk janë të korruptuar? Ka prej atyre që kapjen e këtyre peshkaqenëve nga Drejtësia e konsiderojnë ‘komplot të madh’ të të huajve. Sali Berisha, Ilir Meta dhe Albin Kurti kanë ngritur ‘armët’ kundër Amerikës dhe Europës.
Nuk mund të krenohemi më.
Para disa vitesh shqiptarët e Shqipërisë hëngrën një ‘turp tjetër me bukë’: Sollën me votë atë që kishin përzënë me armë. Në vitin 2005, pasi Sali Berisha kishte dhunuar e vrarë jetë njerëzish (3000 vetëm në vitin 1997), e votuan prapë për kryeministër. Atëherë ai vrau të tjerë në ‘oborrin e tij’, 26 në Gërdec plus 4 në kryeministri.
Derisa u zbuluan peshkaqenët ne mburreshim në Ballkan se nuk kishim Milloshevic, as Mlladic, as Karaxhiç. Po tani? Nuk kemi aq të drejtë sa të mburremi më; këta në ujërat botërore të të keqes janë shqiptarë.
Tani na duhet të njohim veten dhe të vërtetën; nëse duam të jemi edhe patriotë dhe të përparuar.