Protestuesit e armatosur përdorën arkivolin e të ndjerit Azem Hajdari për të hapur derën e godinës se kryeministrisë. Mandreja tregon se si u evaukua qeveria, kryeministri Nano e ministrat, dhe bën krahasimin mes 14 shtatorit 1998 me 21 janarin 2011 duke thënë se 14 shtatori ishte luftë ndërsa 21 janari ishte protestë.
Si u informuat se do të ketë ngjarje të dhunshme nga njerëz të armatosur të PD përpara kryeministrisë?
Nuk mund të harrohen ato ditë, të cilat kanë mbetur në kujtesën time, por besoj dhe në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të cilët nuk e dëshirojnë, madje as nuk e mendojnë që mund të kthehen më. Ishte mbrëmje, data 12 shtator 1998, ditë e shtunë. Nëpërmjet TV morëm vesh që është vrarë deputeti i PD, Lideri i Dhjetorit Azem Hajdari. Jemi njoftuar nga Garda e Republikës dhe në mëngjes jemi paraqitur në detyrë, për të marrë planin e masave nën drejtimin e komandantit të Gardës së Republikës, Kolonel Haki Liçaj.
Ne bëmë planizimin e shërbimit, planin e masave për përballimin e situatës në ruajtje të selisë së kryeministrisë. Ishte ditë e dielë data 13 shtator, dhe protestuesit erdhën në drejtim të kryeministrisë, në orën 11.00 të paraditës. Ata ishin shumë të egërsuar dhe erdhën duke protestuar dhunshëm përpara godinës së kryeministrisë. Ne ishim brenda në kryeministri, ndërsa kabineti qeveritar ishte në mbledhje, nën drejtimin e ish-kryeministrit Fatos Nano. Protestuesit erdhën duke thirrur kundër qeverisë, kundër kryeministrit Nano dhe ishin të armatosur rëndë.
Si u veprua në ato momente nga ana e Gardës...?
Kur turma ishte përballë kryeministrisë dhe po vepronte dhunshëm, në këtë moment del zv.komandanti i Gardës së Republikës, Bashkim Mustafa i cili u përpoq të qetësonte njerëzit e grumbulluar aty por pa arritur të ulte tonet e tyre. Ai ishte duke negociuar me protestusit kur u plagos lehtë prej tyre, pasi nuk u dëgjua fjala e tij për qetësimin e situatës, ndërkohë që ata shpreheshin kundër qeverisë dhe qëllonin mbi godinën e kryeministrisë. Pastaj protestuesit nisën të qëllonin në drejtim të kryeministrisë dhe me armët më të rënda. Aty ishte komandanti i Gardës së Republikës Haki Liçaj, i cili u plagos në këmbë. Qëllonin pa mëshirë dhe mbi njerëzit e Gardës që ruanin godinën e kryeministrisë, sikur ata të mos ishin bij nënash dhe se po bënin detyrën e tyre aty.
Kabineti qeveritar vazhdonte mbledhjen. Kush e dha urdhërin e evakulimit dhe masat që u morën për largimin e kryeministrit dhe ministrave pa u dëmtuar?
Duke parë se turma ishte shumë e irrituar, dhe futja në kryeministri mund të ndodhte nga momenti në moment, por dhe për të shmangur sadopak përkeqësimin e situatës për shkak se qeveria ishte brenda godinës së kryeministrisë atëherë Garda e Republikës vendosi dhe mori masat për evakuimin e kabinetit qeveritar. Bëri rezistencë vetëm Arben Malaj ish-ministër i Financave dhe Gaqo Apostoli ish-ministër i Transporteve, të cilët nuk pranuan që të largoheshin.
“Do rrimë këtu në krye të detyrës”, thanë ata. Njëherësh dhe shefi i kabinetit të kryeministri Fatos Nano, në atë kohë Blendi Klosi, sot zyrtar i lartë dhe deputet i PS, që me qetësi e maturi sistemoi dhe siguroi gjithë dokumentacionin e kryeministrit dhe atë kryesor të qeverisë na dha zemër. Në detyrë ishte dhe zv.kryeministri i asaj kohe Bashkim Fino që na thoshte: “Djema ruani gjakftohtësinë, merreni me qetësi, që të mos shkaktohet asnjë përplasje të dhunshme dhe me pasoja humbjen e jetës nga palët. Nuk ka çfarë na bën as Sali Berisha e as njerëzit e tij”.
Garda bëri evakuimin e qeverisë, ministrat dhe vetë kryeministrin, të cilët u larguan nën masat e forta të sigurisë, duke i mbuluar të gjithë qeveritar më trup, pasi ishin në çdo moment nën presionin dhe rrezikun e jetës nga goditjen me armë të protestuesve të dhunshëm, armë të cilat fillonin nga pistoletat e deri te antitanku. Ndërkohë protestuesit e armatosur dogjën makinat e disa ministrave dhe pas dy tre orësh që qëlluan me armë dhe me gjithçka kundër selisë kryeministrore pas mesditës së 13 shtatorit, u larguan duke lënë një heshtje të përkohshme.
Si e pritet 14 shtatorin, pas një të diele të stresuar përballë turmës së armatosur. Kishit sinjale se do sulmohej Kryeministria?
Ishte momenti kur do të do bëheshin homazhet në nderim të të ndjerit Azem Hajdari. Turma me gjithë arkivolin e të ndjerit Hajdari, në vend që të merrte rrugën në drejtim të varrezave të Sharrës ku do të prehej përjetësisht, devijoi rrugë dhe u drejtua në përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Kortezhi me arkivolin e Azem Hajdari, i shoqëruar nga njerëz të armatosur rëndë u drejtua në bulevardin përballë kryeministrisë.
Të gjithë ishin me pallto dhe poshtë palltove kishin kallashnikovë dhe lloj lloj armësh, granata e granatahedhës. Vijnë para kryeministrisë, ndërkohë që Garda kishte marrë masat që të ruante institucionet e veçanta, si kryeministria, Presidenca, kryesia e Parlamentit dhe vila qeveritare. Urdhëri i eprorëve tanë të Gardës ishte i prerë: S’do qëllohej për asnjë arësye ndaj turmës. Dhe kështu ndodhi. Ndërkohë që protestuesit me arkivolin e Hajdarit tentuan të hyjnë brenda kryeministrisë, ia dolën duke përdorur arkivolin e armët.
Si e përjetuat hyrjen e turmës brenda kryeministrisë, pasi ju ishin njesia speciale e Gardës së Republikës, kompania operative?
Turma vjen përballë kryeministrisë e qëllon me armë të kalibreve të ndryshme me kallash, antitank dhe granatahedhës në derën e kryeministrisë por dhe në dritare dhe kudo në pjesën ballore dhe anësore të saj. Në këtë breshëri armësh kundër kryeministrisë plagoset nënoficer Ardit Arbana, që mori katër plumba. Ai ishte i shtrirë përdhe ndërsa turma e armatosur qëllonte pandërprerë në drejtim të kryeministrisë.
Aty kam shkuar mes plumbave për të tërhequr Ardit Arbanën e plagosur dhe në atë moment në drejtimin tim hodhën granata, dhe u plagosa rëndë, duke humbur dhe njërin sy. Përsëri, i plagosur kam marrë të plagosurin Ardit Arbana, me disa shokë të tjerë dhe i kemi nxjerrë pas Ministrisë së Financave, duke e vendosur në një furgon policie për ta dërguar urgjent në spital. Unë përsëri jam kthyer tek shokët për të mos i lënë vetëm dhe përsëri turma vazhdonte duke qëlluar me breshëri.
Dëgjuam zhurmën e tankeve para kryeministrisë, të cilët ishin pushtuar dhe ishin nën kontrollin e protestuesve të armatosur, të cilët kishin marrë komandën. Pasi protestuesit hynë në katin e parë, ne ishim të grumbulluar në katin e dytë të kryeministrisë, përsëri shokët më thonin të ikim për të më dërguar në spital dhe për tu vënë nën kontroll mjekësor, sepse po rridhte nga plaga në sy shumë gjak dhe do të ishte me pasoja.
Si u larguat nga godina e pushtuar e kryeministrisë...?
Në atë moment kemi dalë pas Ministrisë së Financave me komandant Simon Zarecin dhe turma përsëri na doli para, pasi ajo vinte nga RTSH, të cilin e kishte pushtuar. Në atë moment përsëri njerëz të turmës goditën në drejtimin tonë me armë zjarri ku dhe u plagos komandati i kompanisë operative Simon Zareci, në këmbën e majtë. Ne u larguam dhe meqënëse kam humbur ndjenjat në ato momente nga plaga në sy, humbja e gjakut dhe jam përmendur vetëm në spital, nën kujdesin mjekësor. Dhe më 15 shtator, jam nisur në drejtim të një klinike të spcializuar në Greqi, me helikopter.
Po të bëni një krahasim, mes 14 shtatorit 1998 dhe 21 janarit 2011, përsa i përket sjelljes së Gardës ndaj protesutesve dhe vetë sjelljes së protestuesve, çfarë mund të thoni?
Ngjarja e 13-14 shtatorit kishte vetëm huliganë me armë të kalibreve të ndryshme, ndërsa ngjarja e 21 janarit kishte 30 djem të rinj vetëm me gurë në dorë. Dhe fare mirë, Garda e Republikës duhej t’i shnmangte këtë lloj ngjarjeje të rëndë që ndodhi, ku humbën jetën katër protestues të pafajshëm. Njerëzit e Gardës humbën qetësinë, dhe nuk ishin të aftë të përballonin një situatë fare të thjeshtë dhe normale për t’u menaxhuar.
Unë mendoj se ata kanë vrarë nga frika, mungesa e profesionalizmit, duke humbur kontrollin, sigurinë dhe qetësinë dhe që sollën vrasjen e katër viktimave të pafajshme. Më 13-14 shtator ne u qëlluam me armë deri antitank nga protestuesit dhe asnjë viktimë nga radhët e tyre nuk ka pasur, si pasojë e plumbave të Gardës. Përkundrazi janë plagosur ushtarë dhe oficerë të Gardës, deri komandanti. Pra 14 shtatori ishte një luftë, ndërsa 11 janari ishte një protestë.
Si rrodhi jeta juaj pas plagosjes...?
Kam qënë pjesë e Gardës deri në 2005, pastaj jam larguar me dëshirën time, për arësye personale...!
Shkrimi u publikua sot (12.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)