Skënder Minxhozi: Pretenca e buzëqeshur e Yuri Kim

Skënder Minxhozi: Pretenca e buzëqeshur e Yuri Kim

Ambasadorja e SHBA Yuri Kim

Sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë, thotë një fjalë e urtë franceze. Intervista e fundit e ambasadores amerikane Yuri Kim duket sikur kishte dalë nga arkivat e disa viteve më parë, kur të tjerë kolegë të saj shpreheshin pak a shumë në të njëjtat valë për palët që luftonin për pushtet në Shqipëri. Edhe ambasadorët Arvizu e Lu janë përplasur, fjala vjen, me murin blu të opozitës, i cili prej vitesh e ka rrethuar brenda një universi paralel PD e LSI, duke i bërë të shohin komplote manipulimi pas çdo kutie votash, korrupsion pas çdo firme zyrtari, apo duke i konsideruar të huajt e Tiranës, “të ndryshëm” nga shefat në Uashington, Bruksel e Romë, që i kanë dërguar këtu në Tiranë. “Nuk flet me gojën e Amerikës kjo, bën lojën e Ramës” – ky është një refren që Yuri Kim e dëgjon dendur nga llogoret e opozitës. Të tjerë diplomatë kanë dëgjuar gjëra edhe më të rënda sipas situatave.

Ambasadorja Kim e ka bërë shpejt “aklimatizimin” me këtë lunatizëm kronik. Është mësuar të dëgjojë edhe kreun e shtetit të thotë se “ju amerikanët të vrisni me raketa”, apo eksponentë të opozitës që e konsiderojnë atë vetë dhe kolegët e saj, si vegla qorre të Edi Ramës, të cilat ai i drejton sipas qejfit dhe oreksit. Nuk ka asgjë të re në këtë faqe dheu, sa i përket fabulës politike, e në këtë optikë 25 prilli nuk ndryshon asnjë grimë nga java, muaji dhe viti paraardhës.

Megjithatë Yuri Kim e ndjeu se kësaj radhe duhet të thoshte disa të vërteta të thjeshta me zë të lartë dhe duke përdorur pa u lodhur frazën “ky është qëndrimi zyrtar i SHBA”! Pa hequr asnjë çast buzëqeshjen nga fytyra, edhe atëhere kur deklaratat e saj ishin shumë serioze. Hakmarrja është një gjellë që hahet e ftohtë, thotë proverbi që duket i shpikur enkas për këtë rrethanë.

Së pari Kim i vuri notë kaluese zgjedhjeve të fundit, duke rikonfirmuar atë që Departamenti Amerikan i Shtetit kishte deklaruar të pasnesërmen e mbylljes së procesit të votimit. Së dyti, dha njoftimin se opozita do të ishte në Kuvend në seancën e hapjes së shtatorit, duke bërë të kuptohet gjithashtu se me Lulzim Bashën ka një komunikim të shpeshtë dhe normal. Së treti, tha se për akuzat fantastiko-shkencore të Presidentit Meta, ka diskutuar me Uashigtonin, si për t’i dhënë lajmin e keq kreut të shtetit shqiptar se ato fjalë të hedhura në media nuk kanë kaluar pa lënë gjurmë. Së fundi, mbrojti edhe një herë pa hezituar SPAK dhe reformën në drejtësi, kundër gjithë dallgës së akuzave që rëndom ngrihen kundër drejtësisë së re. Me fjalë të tjera, ka reklamuar pronësinë amerikane të reformës, si provë materiale të paanësisë dhe objektivitetit të saj.

Kjo panoramë “pikash mbi i” e ambasadores Kim ezauron praktikisht të gjitha temat e nxehta që mbajnë të okupuara sot selitë e politikës dhe studiot e debateve. Nuk qe e rastit që pas intervistës së mbrëmshme të Kim, edhe Bashkimi Evropian një ditë më pas, përmes përfaqësuesit të tij në Tiranë Soreca, tha tekstualisht se zgjedhjet ishin të mira dhe se krimet zgjedhore duhen hetuar.

Dalja publike në këtë pikë delikate të çertifikimit të zgjedhjeve, e dy diplomatëve më të lartë të huaj të akredituar në Shqipëri, përbën një mesazh të qartë se zgjedhjet shqiptare kanë mbaruar. Dhe se nuk mund të ketë asnjë proces paralel delegjitimimi të tyre, qoftë edhe nga pozita e rizgjedhjes së Lulzim Bashës në krye ta partisë së tij, apo nga pozicioni i atyre që shohin ëndrra me sy hapur për përmbysje rezultatesh, përsëritje zgjedhjesh etjetj.

Ky pozicionim i qartë tregon edhe se problemi i hershëm që opozita ka me ndërkombëtarët, vijon të mbetet i pazgjidhur edhe pas 25 prillit. Askush në qendrat e mëdha të vendimmarrjes në Perëndim, nuk është i gatshëm të pranojë tezën se zgjedhjet janë të mira vetëm kur ti i fiton ato. Procesi ka një fillim dhe një fund, të tjerat janë lojra politike.

Intervista e Yuri Kim është një kapak plumbi mbi zgjedhjet shqiptare. Ajo e hedh vështrimin praktikisht mbi sezonin e ri politik të vjeshtës, përtej rizgjedhjes së Bashës, hetimit të Metës dhe formatimit të qeverisë së re. Shprehja “nuk komentoj çeshtje të brendshme” e dëshmon më së miri këtë optikë amerikane të ngritjes mbi meskinitetin e politikës së bulevardit dhe banalitetin e mediave që sherret e ditës i shesin si betejën e Termopileve.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja