Në fjalorin e luftës ky do të quhej “zjarr mik”. Është ai rast kur aleatët apo vetë ushtarët e llogores tënde shkrehin pushkë pa dashje mbi ty dhe të marrin jetën. Çeshtja është se batuta e Sali Berishës me kandidatin më të rëndësishëm që ka në garë Belind Këlliçin, duke e quajtur “ezmer natyral”, nuk qe as “zjarr mik”, por thjeshtë një tërheqje veshi e vrazhdtë dhe pa takt, nga ato që Doktori përdor ndaj të gjithë atyre që s’i ka aq miq të vjetër armësh, e as të besuar brenda partisë.
Belind Këlliçi është një rekrutim rastësor në rrugën drejt zgjedhjeve të 14 majit për Foltoren. Ai ishte aty në mes të sheshit para selisë së partisë, kur shumë të tjerë s’e shihnin dot me sy Berishën për atë që kishte bërë në 8 janar. Këlliçi u vetërekrutua dhe aplikoi për të gjitha garat, sfidat dhe betejat e PD me palën tjetër, me idenë e qartë se nuk kishte pse hynte për të fituar. Ai edhe tani, kur ka gjetur në ajër idenë fluturake të transportit falas, e di fort mirë se gara e tij nuk është 14 maji, por ajo që vjen pas. Ky është plani i tij.
Problemi i Belindit është se këtë gjë e di edhe vetë Berisha. Një politikan i cili i blen bashkëpunëtorët me sy, sa i sheh diku nga fundi i rreshtit para derës së zyrës. Dhe Berisha e di se ky kandidat me një pikë të vetme programi, transportin falas dhe të cilit po përgatiten t’i marrin disa mijëra vota ish-deputetë e zyrtarë të vjetër të PD që tani garojnë edhe ata për bashkinë e Tiranës, kandidati Këlliçi pra, i ka mjaft të ulëta shanset që të ulet në poltronin e Erion Veliajt. Dhe po e trajton Belindin tamam si një “emër mbushës” në listën e votimit ndaj të cilit lejohet edhe ndonjë batutë poshtë brezit.
Berisha nuk kishte kurrsesi të drejtë që të përmendte publikisht në formë batute, atë që sot është llumi më i shëmtuar me sfond racist që rrjeti dhe ndonjëherë kundërshtarët politikë përdorin për Belind Këlliçin. Sali Berisha nuk kishte punë me ngjyrën e lëkurës së kandidatit të tij, qoftë edhe duke e futur në një kontekst krahasimi e shakaje me Edi Ramën. Doktori e di fort mirë që çdo batutë e tij bën menjëherë xhiron e lajmit dhe të internetit. Mjafton t’u hedhësh një sy këtyrë të dyjave për të kuptuar se kryetari i PD ka “vrarë” de facto me duart e veta fushatën e Belind Këlliçit, në mënyrë krejt të panevojshme dhe të paftuar, duke e damkosur atë me një shprehje që s’duhej nxjerrë nga goja.
Dhe nga ky episod i shëmtuar me nuanca racore, dalim tek raporti problematik që Belind Këlliçi ka me dy shefat e tij politikë. Kjo është drama reale politike e Këlliçit, jo batutat e kreut të opozitës. Problemi i Belindit nis me Sali Berishë, i cili e ka kandiduar atë nga halli, në vakumin që u krijua në parti për shkak të luftës me Alibeajn dhe afrimin e zgjedhjeve lokale. I dyti është Ilir Meta, i cili e ka regjistruar atë në zgjedhje me vulën dhe firmën e partisë së tij, duke ofruar dhe komisionerët që do t’i numërojnë votat. Me të dy Belind Këlliçit gjendet si mes Shillës dhe Karibdës. Nuk e do Berishën në fushatë për arsye të ditura, por ky i fundit tashmë e ka kthyer de facto fushatën në një parakalim të përditshëm personal, por nuk e do as Ilir Metën pasi dihet sesi është humori i votuesit të PD në raport me LSI e vjetër dhe lidershipin e saj.
Kësisoj, i gjendur mes zjarrit të ish-kolegëve që sot garojnë për t’i marrë votat, dhe i dominuar nga krerët partiakë të koalicionit të cilët e shohin si një djalosh që nuk duhet marrë shumë sëriozisht, Belind Këlliçi po detyrohet të bëjë një garë elektorale si në një fushë të minuar. S’di ku të shkelë, s’di nga të shkojë e s’di nga kush të ruhet. Këtu, jo te batutat qëndron problemi i tij i vërtetë.
Teksa Berisha e Meta kanë hallin e luftës me Escobarin e Yuri Kim, ai ka hallin të luftojë me një maxhorancë e cila mbjell pemë në vend që të bëjë mitingje. Me fjalë të tjera, një pushtet që ndjehet se i ka të fituara tashmë zgjedhjet.
Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, del kryetari i partisë e hedh rromuze me ty, duke e vijuar me një “ezmer natyral”, batutën me “fizarmonikë” të Edi Ramës pak orë më parë. A thua sikur të gjithë, majtas e djathtas, të kenë rënë dakord tashmë që me kandidatin për kryetar bashkie të Tiranës nuk do të merren seriozisht. Përfshirë Sali Berishën i cili gjeti një nëntekst racor si të vetmen nuancë diferencuese të kandidatit të tij. Pasi e vuri prift, po i rruan mjekrën. Sa për Ilir Metën, atë s’e kupton dot askush se çfarë thotë e çfarë mendon.
Kush e sponsorizon këtë Belindin se ky vetë nuk ecën?
PërgjigjuBerisha nje "lojtar,, qe di te Luaj mire me TOP e pa TOP,, Kete strtegji e taktik di ta perdore mire Berisha dhe vite me pare i ka dhene rezultat. Kellici si "FIGURE POLITIKE,, ne moshe te RE duhet te ishte me VIZIONAR
PërgjigjuSapo Belindi ktheu reston mediokrrit qe adhurojne servilet, pra Rames dhe firzamonikave te tij, e paskesh gati flete rrufene shoku Skender. Ne vend te objektivitetit nuk rrine dot pa keputur prrofka sipas mofelit rri ne vend e merr me mend.
Përgjigju