Të Vlora Hysenit, të kuptohemi. Dhe më konkretisht se kaq, jo të personit, por të institucionit që ajo drejtoi për vite me radhë, Shërbimit Infomativ Shtetëror. E kërkojmë këtë aset të fuqishëm e delikat të shtetit tonë që të jetë në krye të punës në këto orë dramatike që po kalon vendi, e të na ndriçojë për një situatë e cila tashmë me flamengot s’ka asnjë lidhje, por nuk ka as me qytetarët e thjeshtë dhe as me vetë studentët pas të cilëve fshihet. Anarkia, zjarri e flakët kanë pushtuar rrugët e Tiranës e të gjithë ne pyesim me vete se cili qëndron pas gjithë kësaj çmendurie kolektive, ku vandalë pa fytyrë dhe pa emër kanë thyer bankat, bizneset private, firmat celulare dhe shitoret që kanë gjetur para në turravrapin e tyre, mesa duket aspak të verbër.

Vlora Hyseni ka qenë në krye të SHISH për  tre vjet e gjysëm. Pa dashur t’ja rëndojmë një pozitë që edhe pa trazirat e orëve të fundit është e rëndë për arsye të tjera, këto orë po dëshmojnë se edhe SHISH nuk po e dëshmon kontributin e tij për të dalë nga kriza ku ndodhemi. Flitet për duar të huaja pas akteve të dhunës por asgjë konkrete nuk filtron. Mungesa e një piste bën që të marrin hov teoritë e konspiracionit dhe gjithfarë fabulash fantapolitike. Ndërkaq turma e zjarrvënësve e veshur në të zeza dhe me maska po vepron në një vakuum shqetësues të institucioneve ligjzbatuese.

Këmba e thyer e atij të riut nga Librazhdi natën e parë të trazirave është kthyer në një pengesë psikologjike për policinë në orët në vijim, duke bërë që forcat e rendit të jenë ekstremisht të kujdesshme për të mos krijuar kosto njerëzore mes protestuesve. Edhe kur këta shkelin ligjin, shkulin trotuaret e djegin ministritë, Piramidën, bashkinë dhe zyrën e Evropës.

Nuk ka nevojë të jesh një vëzhgues i hollë për të kuptuar disa kode që po demostrojnë këta persona të kamufluar rrugëve të kryeqytetit. Mbajnë maksa me kundragaz, çanta shpine dhe veshje të lehta sportive, lëvizin në grup dhe me një rregullsi për t’u pasur zili. Tregojnë agresivitet të tejzgjatur në kohë që e bën të pazakontë e të habitshëm këtë “mllef antiqeveritar” që nis në mëngjes e mbaron në darkë. Në anën tjetër ndahen në grupe sërish në sinkron dhe në drejtime shpesh surprizë për policinë, me dëshirën demostrative për të shkatërruar e prishur sa më shumë në një sipërfaqe sa më të madhe (vërtet kështu po vjen Shqipëria e Re?!). Jo më pak e rëndësishme, po synohen institucionet financiare dhe ato të komunikacionit, banka e kompani celulare. A thua se dikush kërkon të fusë në kolaps funksionimin e shtetit në pikat e tij më nevralgjike.

Kemi të bëjmë me një protestë e cila ka prodhuar si apendiks malinj një komando keqbërësish që prishin e djegin me urinë e hunëve. Një fanatizëm destruktiv që pikërisht se është kaq i theksuar e i paprecedent për një vend si Shqipëria, tingëllon i panatyrshëm e i sforcuar. Ka të bëjë me qeverinë, por jo vetëm me të! Sepse një byrektore e ngritur në një anë rruge nga i zoti me halle e kredi bankare nuk ka asnjë lidhje me urrejtjen ndaj qeverisë.

Me një fjalë kjo që po përjetojmë këto 48 orë është e gjitha një materie për një angazhim serioz të shërbimeve tona, për të hedhur dritë mbi një shpërthim kaosi që nuk është as normal dhe as konform situatës që kalon sot Shqipëria. Kjo Shqipëri e cila vërtetë ka një qeverisje të konsumuar dhe me një barrë problemesh me drejtësinë, mungesën e profesionalizmit dhe apatinë menaxheriale. Por njëherësh një Shqipëri e cila e ndodhet më pranë  Evropës se kurrë më parë e që nuk e meriton të asistojë në këtë rizgjim të frikshëm të instikteve më të errëta të viteve ’90, kur shihnim sesi shteti binte dhe depot e armëve hapeshin.

Dhuna mund ta destabilizojë një qeveri po djegia e kazanave dhe bizneseve private nuk të sjell në pushtet. Për më tepër kur deklaron prej muajsh që nuk dëshëron të marrësh qeverinë dhe as të krijosh ndonjë platformë politike që të synojë pushtetin. Nesër po të mbahen zgjedhjet, shumicën e fiton Rama dhe opozitën kryesore e mban Berisha. Pak por e sigurt!

Prandaj sot kur po goditemi nga antishteti, kërkojmë institucionin më të specializuar shtetëror që kemi për të zbërthyer se cili qëndron pas kësaj perdeje. Në mënyrë që epiqendra e këtij shteti të mos vijojë të mbetet në duart e kalimtarit të radhës me kapuç e me shishe benzine në xhep, që dëshëron t’i verë flakën kafenesë së lagjes “spontanisht”. Ndjesë, sepse urren Edi Ramën!/Java news