Skënder Minxhozi: Për ata që bëjnë sikur s’e kuptojnë thelbin e krizës së PD

Skënder Minxhozi: Për ata që bëjnë sikur s’e kuptojnë thelbin e krizës së PD

Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar te PD

Rithemelimi ja ka hequr të gjitha spaletat që mbante Enkelejd Alibeaj. Perveç njërës. Dhe duhet thënë se kishte plot tetë  të tilla, nga kryetar në detyrë i partisë, tek shef i grupit parlamentar, drejtues politik i Fierit, Shkodrës, kryetar i PD Vlorë etjetj. Ishte natyrisht dhe është ende edhe anëtar i parlamentit. Me hir ose me pahir Berisha ja zhveshi Alibeajt të gjitha funksionet, përveç tagrit që e lidh deputetin e Fierit me Kuvendin e Shqipërisë. Rregullisht Doktori thotë se “zoti Alibeaj nuk është kryetar në detyrë i PD, por e njohim si kryetar të grupit parlamentar”.

Dhe tek kjo hollësi që nuk bie shumë në sy, por që nga larg duket si një lëmoshë e vogël e ish-kryeministrit për ish-ministrin e tij të dikurshëm të drejtësisë, qëndron në fakt e gjithë pika fokale, e gjithë epiqendra e tërmetit që po shkund nga themelet Partinë Demokratike që nga shtatori i vitit të shkuar.

Si një njeri i hollë dhe i rrahur me vaj e uthull për 30 vjet, ish-kryeministri është shumë i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për dallimin që bën mes “kryetarit në detyrë” dhe “kryetarit të grupit parlamentar”, kur flet për Alibeajn. Sepse ai e di mirë që qendra e gravitetit e të gjithë krizës së thellë që kalon sot PD, qëndron në fakt tek i vetmi institucion që ka marrë formë në 25 prill e do ta ruajë këtë formë të paprekur deri në verën e vitit 2025 (nëse s’ka zgjedhje të parakohshme).

Fjala është për Kuvendin. Për atë institucion që duket i larguar dhe i huaj për sherrin e brendshëm të një partie politike, por që në fakt është e vetmja pikë e qëndrueshme në horizontin e trazuar nëpër të cilin kalon PD-ja e sotme.

Që nga shtatori gjithçka është dyzuar brenda Partisë Demokratike. Dy kongrese, dy kryesi, dy kryetarë e sigurisht edhe nga dy degë, seksione e grup-seksione në çdo cep të këtij vendi. Pluhurnaja që ngriti shpallja non grata e Berishës e futi PD në një proces copëzimi e vetëklonimi, që fragmetarizoi deri në qelizë çdo segment të partisë. Përballja e ashpër Basha-Berisha e çoi partinë në një proces të dhunshëm dyzimi.

I vetmi institucion që mbeti i palëvizshëm nga pikëpamja numerike dhe e tagrit të përfaqësimit, është grupi parlamentar. Është pika e vërtetë e krizës, e për pasojë, edhe e zgjidhjes së krizës brenda partisë. Është i vetmi institucion ku Rithemelimi nuk troket dot me vendimin e Agron Zhukrit në dorë, për të spastruar e përjashtuar “karrigethyerit”, siç dikur Berisha quante fraksionistët.

Prej grupit parlamentar, ku mesa duket ka një masë kritike të formësuar qartë që kërkon jo vetëm ikjen e Bashës, por edhe të Berishës, duhet nisur bashkimi i PD. Nëse një i tillë është ende i mundur, kuptohet. Nëse Berisha dhe të tijët do ta shtyjnë këtë moment ballafaqimi dhe debati me deputetët që duan largimin e ish-kryeministrit, pa arritur t’i nënshtrojnë, atëhere PD me shumë gjasë do të shkojë drejt çarjes së pakthyeshme. Sepse grupi parlamentar nuk e ka mandatin as me ngritje dore në stadium, as me votë delegatësh të përgjysmuar si ata të Pallatit të Kongreseve.

Tagri kushtetues i përfaqësimit që deputetët gëzojnë, e bën të palëvizshme bërthamën “kryeneçe” të grupit parlamentar, ku edhe Berisha edhe Basha vijojnë të reklamojnë se kanë shumicën. Nëse ka një sprovë të madhe që bazohet mbi logjikën e shumicës së votave, kjo është gara brenda grupit parlamentar. Të gjitha garat e tjera janë të kontestueshme dhe të dyshimta. Kush merr grupin, merr realisht (e jo me vendime gjyqesh) Partinë Demokratike. Prandaj edhe të gjithë i rrinë larg mesa duket një verifikimi e transparence brenda atij institucioni, pasi verdikti do të ishte i paapelueshëm për humbësin. Cilido qoftë ai.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 11 ndeshje pa humbje, Arsenali mposht 1-0 Ipswich

VIDEO/ 11 ndeshje pa humbje, Arsenali mposht 1-0 Ipswich