Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)

Ervin Salianji

Plot 26 vite më parë, në 14 shtator të vitit 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit, përkrahës të opozitës demokrate rrëmbyen dy tanke nga duart e ushtarëve të Gardës në bulevard, gjatë protestës së armatosur para zyrave të Fatos Nanos. Ishte dita kur shteti ra dhe kur kaosi mbizotëroi Tiranën për shumë orë. Pas mbarimit të rrëmujave, opozita i mori dy tanket dhe i vendosi në dyert e selisë së partisë, e cila ndodhej pranë Akademisë së Shkencave, tek Parlamenti. Një lloj hipoteke për t’u ndjerë të sigurt përballë një qeverie e cila në fakt kishte marrë rrugët e kishte lënë Tiranën.

Ambasadat e huaja dhe sidomos OSBE me ambasadorin e kohës Dan Everts hoqën shumë derisa bindën Sali Berishën të kthente tanket në Gardën e Republikës, aty ku u takonte të rrinin ato armë të rënda. Partia me tanke te dera ngjante vërtet keq.

Vite më pas, në një sfidë tjetër jo aq të ngjashme në dukje por po aq flagrante ndaj ligjit e shtetit të së drejtës, qeveria e Berishës e rikthyer në pushtet në 2005, refuzoi të lejonte Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama që të arrestonte disa anëtarë të Gardës pas vrasjeve të 21 janarit 2011.

Ishte një tjetër lloj sfide e kundërshtie nga vendosja e tankeve në derën e selisë, por që të dyja episodet ishin dhe janë ende dëshmi të hapura e të pandëshkuara të antishtetit që gjallon brenda qenies së Partisë Demokratike. Një organizatë parapolitike më shumë sesa një forcë e përgjegjshme që ka mbajtur frenat e shtetit në duar për shumë vite.

E vërteton këtë trajektore edhe sjellja e orëve të fundit kur pritej arrestimi i deputetit Ervin Salianji, e kur eksponentë kryesorë të partisë flirtuan me idenë e çmendur të mbylljes në seli dhe pengimit të vendimit të gjykatës për deputetin.

Ervin Salianji i shpëtoi faqen partisë së tij të premten, pak orë para se të dorëzohej tek forcat e rendit. Shpëtoi në fakt edhe veten, duke mos dëgjuar ekstremizmin “kaps” të kokave të nxehta të partisë së tij. Megjithë stresin dhe presionin e madh në të cilin ndodhej ai u tregua më i kthjellët, më i logjikshëm dhe mbi të gjitha më i përgjegjshëm se ata kolegë që kishte rreth e rrotull, të cilët duke i rrahur shpatullat po tentonin që ta shfrytëzonin burgun e tij për të ndezur një frymë proteste që s’kishin qenë të zotët ta nxisnin vetë për 12 vjet rresht nën qeverisjen e Edi Ramës.

Salianji e kuptoi se ajo që i ofronin jo vetëm i zgjaste burgun, por edhe përbënte një përdorim të ulët të një dënimi që do ta vuante vetëm ai e jo dikush tjetër. E shëmtuar sa më s’ka që PD kërkoi të nxirrte gështenjat nga zjarri duke rënduar zyrtarin e saj, e duke provokuar njëherësh një krizë të rrezikshme e me pasoja të paparashikueshme mes institucioneve të shtetit dhe partisë më të madhe të opozitës.

Një parti e madhe politike që hedh publikisht idenë, me gojën e një ish-ministri drejtësie sot sekretar i përgjithshëm dhe kryetar grupi, se nuk duhet pranuar një vendim gjykate i formës së prerë, është jo e gatshme të drejtojë një vend. Ta drejtojë siç duhet, jo si në 14 shtator apo 21 janar kur shkeli ligjin hapur e me të dyja këmbët. Ta drejtojë e jo ta përdorë shtetin dhe ligjin.

Të kesh qenë ministër drejtësie e të veprosh si Gazmend Bardhi që kërcënon gjyqtarët në prezencë të mediave dhe më pas i bën thirrje kolegut që po shkon në burg që të mbyllet në “kullën e ngujimit” të partisë, do të thotë të mos kesh asnjë gram koshience politike e qytetare në lidhje me atë që përfaqëson përballë shqiptarëve të thjeshtë. Të cilët nuk e kanë luksin (dhe as dëshirën) që të sfidojnë drejtësinë, por i zbatojnë vendimet e gjykatave edhe kur goditen rëndë prej tyre.

Nëse elita politike e këtij vendi vazhdon edhe sot, 33 vjet pas rënies së komunizmit, të japë këtë lloj shembulli në lidhje me respektin për ligjin dhe institucionet e pavarura të shtetit, do të thotë se na duhet një elitë tjetër. Jemi ngopur me fantazmat e viteve ’90, na vret sidomos kur shohim që edhe ata që vetëquhen të rinj sillen si krerët e moshuar që e kanë mbyllur kohën e tyre majë kalit të pushtetit. Për këta të dytët është ilaç koha, kurse të parëve s’ka ilaç që u bën punë. Përveç votës…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • rezi: 29/09/2024 21:55

    Kjo është pyetja që secili bën? Si është e mundur të jesh jurist, të kesh qënë ministër drejtësie dhe të sillesh në këtë mënyrë? Pse njerëzit e thjeshtë i zbatojnë vendimet e gjykatës ose ndjekin rrugën ligjore, edhe pse jo gjithmonë kënaqen nga vendimet, ndërsa Sala e të tjerët që kanë bërë krime, duan të dalin pa lagur? Ju dhemb, por të mendoheshit kur i bëtë, karrikja ishte e shtetit, bythën kishit tuajën. Nuk do rrinit gjithë jetën në pushtet e të vidhnit sa para mbrapa. Më e keqja është se kjo parti nuk po afron njerëz, por vetëm po largon, askush nuk do kaos, dhe kjo mënyrë të menduari e vepruari është shkatërrim për PD-në. Jo më kot shumë njerëz shkruajnë që duhet nxjerrë jashtë ligjit se është Parti antikombëtare e antishqiptare.

    Përgjigju
  • Tirana: 29/09/2024 18:10

    Si mi Arash salianusi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë