Skënderbeu është hakmarrë ndaj Flamurtarin për humbjen 0-1 të mërkurën e kaluar në Kupën e Shqipërisë, e zhvilluar në Korçë. Kryesuesit e Kategorisë Superiore kanë fituar thellë në Vlorë, në shifrat 3-0.

Një fitore e pastër e korçarëve, çfarë tregon edhe njëherë tjetër se në kampionatin shqiptar Skënderbeu dominon totalisht. James dhe Sowe kanë kapur në “gjumë” mbrojtjen e Flamurtarit që në minutën e parë. Me këtë gol, Sowe ngjitet në kuotën e 14 golave, i pari në listën golashënuesve më të mirë, një më shumë se Guri i Kukësit.

Në një aksion model, Muzaka jep një assist për Sowe në minutën e 12, ky i fundit i lë topin Ditës, që shënjestron. 0-2 dhe Skënderbeu “vret” ndeshjen shumë shpejt në Vlorë, me tifozët që mërziten. Me fillimin e pjesës çdo gjë bëhet akoma më e thjeshtë për miqtë, që shënojnë golin e tretë me anë të Gavazajt, me mesfushorin e Kombëtares shqiptare që e gjen sërish në “gjumë” mbrojtjen vlonjate.

Korçarët mund të kishin shënuar edhe gola të tjerë, në fund ulin ritmin, ndoshta për të mos turpëruar vendasit përballë publikut të tyre. Mbyllet 0-3, me Skënderbeun që shkon sërish 12 pikë para Kukësit të vendit të dytë, ndërsa Flamurtari mbetet në mesin e renditjes dhe minimizohen shanset për Europë përmes kampionatit.