Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të dielë në Greqi, ku një makinë pune me 4 punëtorë shqiptarë është përplasur nga një tjetër automjet.
Sipas mediave greke, aksidenti ndodhi në rrugën Lamia - Moschochori, teksa 4 shqiptarët po ktheheshin nga puna, kur u goditën nga një makinë tip 'Skoda'.
Pavarësisht përpjekjes së shoferit shqiptar për të shmangur aksidentin, ata u përplasën duke përfunduar në kanal. Tre nga shqiptarët arritën që të dilnin shpejt, ndërsa i katërti u bllokua brenda në makinë. Ai u shpëtua pas mbërritjes së zjarrfikëses në vendin e ngjarjes.
"Ishte vërtet një mrekulli që të gjithë dolën gjallë dhe të palënduar", tha një fermer i cili ishte dëshmitar i ngjarjes.
Policia helenë po heton për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.