Në 6 mars të vitit të shkuar fraksioni i Berishës, më saktë i paraqitur në letrat e KQZ si “PD-Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit”, e pa veten përballë nevojës urgjente të kandidimit në bashkitë ku u votua paraprakisht. Juristët zbuluan pa shumë mund se koalicioni në fakt përmbante vetëm siglat e LSI dhe PDK, ndërsa Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit ishte futur si “diversant” në brendinë e tekstit të aplikimit. Berisha u përpoq të trafikonte copën e tij të partisë si një subjekt më vete, ndërkohë që ligji elektoral e përcakton qartë se cili ka të drejtë të paraqesë kandidatë në procese zgjedhore.
Kandidatët e Berishës u votuan nën petkat e Ilir Metës dhe Nard Ndokës, teksa listat e votimit e përmbanin gjithashtu edhe siglën “PD”, po ata ishin kandidatë të Lulzim Bashës në garë. Ky është mish-mashi i hatashëm që ka krijuar brenda partisë më të madhe të opozitës 8 janari me tymin e flakën që solli me vete në selinë e PD. Ky është njëherësh edhe kaosi që ka provokuar rikthimi i Berishës në parti, me një valë nostalgjie, frustrimi, reagimi dhe konflikti të brendshëm.
Më 3 mars, pak orë më parë, kishte vetëm një subjekt që përfitoi realisht nga shtyrja e vendimit të gjykatës për pronësinë mbi simbolet e PD. Kjo ishte partia e Ilir Metës, e cila tani fërkon duart pasi po i vjen në shteg edhe një herë që të kthehet në strehën zyrtare të votave të opozitës. Marrëveshja e premtuar e Berishës me Partinë e Lirisë fuqizon dukshëm Metën, rrit frustrimin dhe zemërimin e një pjese të mirë të elektoratit të djathtë në raport me PL, si dhe dhe rrit varesinë e Berishës nga aleati i tij tekanjoz, që ka flirtuar majtas-djathtas që nga dita e parë e krijimit të partisë së vet personale.
Në anën tjetër, është e dyta here që Rithemelimi po shtrëngohet të improvizojë në prag fushate. Pra të gjejë një zgjidhje emergjence, jo një skemë të mirëmenduar elektorale. Muhaxhirët elektoralë janë gjithçka përveçse një specie politike fituese, na tregon historia e zgjedhjeve në Shqipëri. Nëse ka një gjë të padobishme në këto kohë mbifuqie të Edi Ramës, është që të gjesh një strehë sa për të futur kokën. Pikërisht kjo po i ndodh demokratëve të Rithemelimit.
Situata aktuale e PD është një metaforë e gjallë e stilit historik të të bërit politikë të Sali Berishës. Kurrë nuk ka ditur të bëjë kompromise, kurrë s’i ka rënë shtegut të marrëveshjeve dhe paqes politike me të tjerët, por është prirur vetëm drejt konfliktit dhe përplasjes. Nga kjo sjellje e pandryshuar dhe kokëfortë po i vjen dhe shkërmoqja aktuale dhe e pakthyeshme. I vetmi problem real dhe kombëtar në këtë kontekst është se fati i një personi që predikoi kulturën e dhunës dhe urrejtjes politike në këto 30 vjet, është bërë njësh me fatin e partisë që drejton. Dhe kjo është kriza reale dhe e pazgjidhshme që ka sot Partia Demokratike me Berishën në skenë.