SLAVUTITCH (Ukrainë), 26 prill /ATSH-AFP/ - Ukraina kujtoi sot 29-vjetorin e katastrofës më të rëndë bërthamore civile, të ndodhur në centralin e Çernobilit, 100 kilometra nga Kievi, ku ndërtimi i një mburoje të re për reaktorin e aksidentuar është vonuar.
"Rreth orës 01:23 të mëngjesit, ora e saktë e shpërthimit, qindra persona vendosën tufa me lule dhe ndezën qirinj në monumentin e viktimave të Çernobilit në Slavutitch, rreth 50 kilometra nga centrali dhe që u ndërtua pas katastrofës", njoftuan gazetarët.
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko shkoi sot në mesditë në Çernobil për të bërë homazhe për viktimat e katastrofës dhe rishikoi punimet për mburojën e re prej çeliku të reaktorit numër katër që shpërtheu më 26 prill 1986 duke kontaminuar një pjesë të madhe të Evropës, por kryesisht Ukrainën, Bjellorusinë dhe Rusinë.
"Në sajë të fondeve të zhbllokuara nga komuniteti ndërkombëtar, ne shpresojmë të përfundojmë ndërtimin e kësaj mburoje me qëllim për të mbrojtur përgjithmonë botën kundër radioaktivitetit të Çernobilit", deklaroi ai duke iu drejtuar kombit.
Qindra mijëra persona u evakuan nga zona në rrezen prej 30 kilometrash rreth centralit, që vazhdon të jetë e ndaluar dhe bilanci sanitar nga Çernobili diskutohet ende.
Komiteti shkencor i Kombeve të Bashkuara për efektet e rrezatimit pranon zyrtarisht vetëm 31 operatorë dhe zjarrëfikës të vdekur që lidhen me katastrofën, ndërkohë që OJQ-ja "Greenpeace" flet për të paktën 100 000 të vdekur si pasojë e kontaminimit radioaktiv.
Më 26 prill 1986, në orën 01:23 reaktori numër katër i centralit sovjetik në Çernobil, në veri të Ukrainës shpërtheu gjatë një testi sigurie duke shkaktuar katastrofën më të rëndë bërthamore deri në atë kohë.
Pavarësisht aksidentit, centrali i Çernobilit ka vazhduar të funksionojë dhe të prodhojë energji deri në vitin 2000, vit kur ndërpreu punën reaktori i fundit operacional./
/ec/