Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bratislavë, ku u prit nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, Miroslav Lajčák. Kjo ishte vizita e parë zyrtare në nivel Ministri e realizuar në Sllovaki prej mëse dy dekadash. Takimi i zhvilluar pati në fokus marrëdhëniet dypalëshe, integrimin në BE, bashkëpunimin në kuadër të OSBE-së dhe bashkëpunimin rajonal.
Gjatë këtij takimi u vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, sikurse u konstatua se ka ende mundësi të pa eksploruara për të fuqizuar bashkëpunimin ekonomik përmes miratimit të kuadrit ligjor dhe organizimit të takimit të parë të komisionit të përbashkët ekonomik me qëllim evidentimin e fushave me interes të përbashkët, si infrastruktura, energjia, hekurudhat, bujqësia dhe menaxhimi i ujërave.
Të dy ministrat ranë dakord gjithashtu se nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë edhe në nivel rajonal duke u përqëndruar veçanërisht tek shfrytëzimi i kapaciteteve të bashkëpunimit në kuadër të grupit të Vishegradit, të cilin Sllovakia e drejton, përmes mekanizmave të fondit ndërkombëtar të Vishegradit dhe fondit të Ballkanit Perëndimor.
Ne kuadër te OSBE-së, të dy ministrat, si pjesë e trojkës së kryesisë së OSBE-së, shkëmbyen mendime mbi Organizatën, ku Ministri në Detyrë Cakaj, e njohu kryetarin aktual të OSBE-së, me përgatitjet nga ana e Shqipërisë për kryesimin e organizatës në 2020 dhe drejtimin e Grupit të Kontaktit të Mesdheut.
Ministri në Detyrë Cakaj rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të kontribuar në vijimësinë e realizimit të objektivave kryesore të organizatës në vitin 2020, për të cilën mori edhe gatishmërinë e Ministrit Lajčák në ofrimin eksperiencës dhe ekspertizës sllovake si kryesuese aktuale e OSBE-së.
Për sa i përket procesit të integrimit evropian, Ministri Lajčák ushpreh se Sllovakia mbetet avokate e fortë e procesit të zgjerimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE, duke e konsideruar Ballkanin Perëndimor të rëndësishëm për sa i përket adresimit të disa prej sfidave me të cilat përballet sot BE-ja.
Ministri në Detyrë Cakaj, e njohu homologun me progresin e Shqipërisë në procesin e reformave dhe 5 prioriteteve kyçe, dhe pritshmërinë për një vendim pozitiv në muajin qershor. Ministrat ndanë mendimin për impaktin që ka vijueshmëria e procesit të zgjerimit në procesin e reformave dhe forcimin e kredibilitetit të vetë procesit të zgjerimit tek vendet aspirante.
Gjatë qëndrimit të tij në Bratisllavë, Ministri në Detyrë Cakaj u prit gjithashtu edhe nga Nënkryetari i Parlamentit sllovak Bela Bugar, si dhe zhvilloi një takim pune me antarët e dy komiteteve parlamentare për politikën e jashtme dhe çështjeve evropiane të drejtuar nga Katarina Cefalyova. Në takime u nënvizua vullneti i parlamentarëve sllovakë që Komisioni të hapë pa vonesa negociatat me Shqipërinë.
Komento