/ATSH-B.Jashari/.-Kryeministri slloven Miro Cerar në takimin në Lubjanë me kryeministrin kosovar, Isa Mustafa, të cilin e ka pritur me nderime të larta shtetërore, ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet dy shteteve, duke shprehur përkushtimin e qeverisë sllovene për të thelluar bashkëpunimin në shumë fusha.
Poashtu, kryeministri Cerar vlerësoi progresin dhe reformat që po ndërmerren në Kosovë, duke ofruar përkrahjen e mëtutjeshme të Sllovenisë, përfshirë edhe mbështetjen e fuqishme në proceset integruese evropiane. Dy kryeministrat kanë mbajtur një konferencë për media, ku kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.
Kryeministrat e Kosovës e Sllovenisë kanë marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëpunim policor ndërmjet dy vendeve, nga ministrat e punëve të brendshme, Skender Hyseni dhe Vesna Gyorkos Znidar.
Edhe presidenti slloven, Borut Pahor, në takim me kryeministrin Mustafa vlerësoi progresin që po arrihet, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Sllovenisë për Kosovën, si dhe përkushtimin për të fuqizuar marrëdhëniet.
Presidenti Pahor po ashtu u interesua për zhvillimin ekonomik, proceset politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Kryeministri Mustafa dhe presidenti Pahor biseduan edhe për zhvillimet e fundit në Kumanovë të Maqedonisë, duke shprehur shqetësimin dhe duke bërë thirrje për tejkalimin e situatës dhe rikthimin sa më të shpejt të stabilitetit.
Kryeministri Mustafa sot përfundon vizitën pasi do takohet edhe me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Milan Brglez, ndërsa dje ka takuar edhe kryetarin e Lubjanës, Zoran Jankoviq.
Në delegacion me kryeministrin Mustafa është edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ndërsa pjesë e vizites janë edhe udhëheqësit e odave ekonomike të Kosovës, me axhendë të veçantë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe delegacioni zyrtar që po e shoqëron në vizitën në Slloveni, u pritën edhe nga kryetari i Lubjanës, Zoran Jankoviq.
Gjatë takimit, u bisedua për zhvillimin urban në Lubjanë dhe për përvojat në këto procese. Kryeministri Mustafa falënderoi qytetarët e Lubjanës për përkrahjen dhe ndihmën që i kanë dhënë qytetarëve të Kosovës në dekadat e kaluara.
Kryetari i Lubjanës, Zoran Jankoviq, falënderoi kryeministrin Mustafa për vizitën, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe përkrahje të proceseve zhvillimore në Kosovë. Kryeministrit Isa Mustafa me këtë rast i është dhuruar simboli i qytetit të Lubjanës, si dhe është nënshkruar në Librin e Qytetit.
Gjatë qëndrimit në Lubjanë, kryeministri Mustafa po ashtu u takua edhe me bashkatdhetarët në Slloveni.
Në qeverinë e Kosovës theksojnë se, vizita e kryeministrit Mustafa në Slloveni dëshmon marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy shteteve dhe pritet të ketë rezultate konkrete në fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve.
Sllovenia e ka njohur në 5 mars 2008 Pavarësinë e Kosovës të shpallur atë vit në 17 shkurtin historik. Të dy shtetet kanë qenë elemente konstituive me të drejtë vetoje në federatën e shpërbërë.