Telefoni me markën e presidentit Donald Trump do të dalë në treg muajin e ardhshëm, por me vonesë, çmim të dyfishuar dhe pa premtimin “Made in USA”.
Lajmi raportohet nga faqja teknologjike The Verge, e cila ka folur me dy drejtues të kompanisë Trump Mobile, Don Hendrickson dhe Eric Thomas.
Sipas tyre, telefoni celular do të shitet me një çmim të ri prej 999 dollarësh, dyfish më i lartë se 499 dollarët e paralajmëruar fillimisht. Gjithashtu, nga materiali promovues është hequr përfundimisht shprehja “Made in USA”, e përdorur si slogan në prezantimin e projektit vitin e kaluar.
Faqja zyrtare e telefonit T1 e kishte hequr më herët këtë referencë, ndërsa tani ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar. Në vend të saj, kompania përdor formulimin “duar amerikane pas çdo pajisjeje”.
The Verge shpjegon se për ta cilësuar një produkt si “Made in USA” duhet të plotësohen standarde të caktuara të përcaktuara nga Federal Trade Commission. Eric Thomas ka deklaruar se formulimi i ri është zgjedhur “për të qenë i qartë dhe për të mos e çuar konsumatorin në keqkuptim”.
Ndryshime ka pasur edhe në dizajn dhe specifika teknike, çka ka ndikuar në rritjen e kostos. T1 do të vijë me ekran më të madh 6.8 inç, konfigurim me tre kamera dhe, sipas parashikimeve, me procesor Qualcomm Snapdragon të serisë 7. Memoria e brendshme është rritur në 512 GB.
Telefoni u prezantua për herë të parë në qershor të vitit të kaluar dhe pritej të dilte në treg në fund të verës. Afati u shty fillimisht për fundin e vitit 2025, ndërsa tani kompania thotë se lansimi do të ndodhë muajin e ardhshëm.
Projekti i Trump Mobile ka tërhequr vëmendje që nga shpallja e tij, kryesisht për shkak të lidhjes direkte me emrin e presidentit amerikan dhe premtimit fillestar për prodhim tërësisht në SHBA, që tashmë është tërhequr.
Komente











