FIER- E hëna është afati i fundit që naftëtarët e Fierit i kanë lënë kompanisë "Allun" për të mbajtur premtimet e dhëna, pagat e prapambetura dhe rifillimi i punës. Jo rastësisht është lënë kjo ditë. E hëna e 14 shtatorit shënon rifillimin e shkollës dhe ata shprehen se nuk munden që të përmbushin detyrat e tyre si prind, t'u blejnë librat më minimalja, sepse nuk kanë marrë asnjë lekë për 10 muaj. Sot një pjesë e naftëtarëve kanë dalë sërish në protestë, teksa premtojnë se të hënën do të jenë të gjithë së bashku dhe do të vendosin se si do të vijojë aksioni i tyre. Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj tha se përfaqësuesit e kompanisë janë zhdukur, duke e cilësuar si një tallje.
"Sot ka qenë afati i fundit për kontrata dhe dhënia e pagës së premtuar. Me dhënien e këtyre dyjave duhet të fillonte puna. Kontratat pothuajse janë të përfunduara, por pjesa më e madhe që janë për të hyrë në rafineri i kanë nënshtruar kontrata. Janë premtime boshe, e ka parë Shqipëria videon e ministres që thotë të rifillojë puna, jemi shumë të zhgënjyer nga kjo kompani, se nëse nuk ka financë për të dhënë pagën minimale... ditën e hënë ku do të shkojnë në protestë apo të çojmë fëmijët në shkollë? Kjo është një tallje e pafund, se tentojmë t'i kontaktojmë dhe nuk na përgjigjen. Le të mbajë përgjegjësinë ministrja si është shprehur me zë dhe me figurë le të marrë përgjegjësinë e duhur", tha Dautaj.
Dhimitraq Kule, një nga naftëtarët me 35 vite eksperiencë pune për Report Tv shprehet se është shumë i zhgënjyer duke thënë se nuk kërkojnë "gjëra të mëdha", por një pagë minimale dhe rifillimin e punës.
"Kemi afër një viti që rrimë në pritje që qeverisë, vazhdon seriali i gënjeshtrave dhe gënjeshtra, nuk e dimë mashtron firma apo shteti. Unë jam Dhimitraq Kule, 35 vite pune. Ne sot jemi në pritje të një përgjigje nga firma të cilën e bëri premtim në javën e parë, që do rifillojë puna dhe do bëhet pagesa prej 15 mijë lekë, sot kanë mbyllur telefonat. Po na mashtrojnë ne firma apo qeveria. Ne jemi akoma në pritje dhe të hënën do të përshkallëzohen veprimet tona në lidhje me këto çështje. Kërkojmë rifillimin e punës, nuk po presim gjëra të mëdha. Ne kemi 10 muaj pa lekë, pa bukë, familjet tona kanë mbetur në mes të 4 rrugëve. Nafta bruto del jashtë dhe ne rrimë pa bukë. Sot nga ky zhgënjim nuk jemi të gjithë, por të hënën do mblidhemi dhe pastaj do vendosim mbi veprimet që do marrim bashkërisht", tha Kule.
Në 3 shtator naftëtarët nënshkruan kontratat që rrjedhimisht do të sillnin edhe rikthimin e tyre në punë, por një gjë e tillë nuk ndodhi! Sa i përket pagave të prapambetura kompania "Allun" është shprehur se nuk do t'i japë të gjitha pasi një pjesë e tyre i takojnë kompanisë së mëparshme "Tosk Energy", me të cilën është fituar gjyqi. Ata i bëjnë thirrje ministrisë së Infrastrukturës. Belinda Balluku që të reagojë dhe t'i japë një zgjidhje këtij problemi që zgjat prej muajsh.