Kryetari i PD-së Sali Berisha duket se bënë çdo gjë për propagandën e tij. Madje arrin deri aty sa të keqpërdor dhe deklaratën e zv/presidentit të SHBA-së JD Vance për demokracinë europiane sikur është mesazh për politikën në Shqipëri duke bërë një 'Fake News'.

Çfarë ka ndodhur?

Zv/presidenti i SHBA-së, JD Vance u shpreh nga Konferenca e Sigurisë në Mynih se pushteti nuk mund të merret duke arrestuar kundërshtarët politik, apo duke censuruar mediat, deklaratë kjo e cila ishte për vendet e Bashkimit Europian. 

“Ju nuk mund të fitoni një mandat qeverisës duke censuruar kundërshtarët, apo duke i futur ata në burg. Pavarësisht nëse është lideri i opozitës, apo një i krishterë i përulur i cili po lutet në shtëpinë e tij, apo një gazetar që po përpiqet të raportojë një lajm”, tha ndër të tjera zv/presidenti i SHBA-së.

Ndërkohë, kjo deklaratë është shpërndarë në rrjetet sociale nga Berisha, duke e keqpërdorur atë. Berisha thotë se fjalët e zv.presidentit të SHBA-së janë thënë për kryeministrin Rama, i cili sipas tij 'arrestoi liderët e partive opozitare'. Po ashtu, një tjetër fakt që rrëzon Berishën është se vet Berisha aktualisht nuk është në masë sigurie, ndërsa ai që ndodhet në burg është numri dy i PS Erion Veliaj. 

“Një fjalë historike e Zv/presidentit të SHBA-ve, JD Vance në Munih, në Konferencën e Sigurisë. Këto fjalë i shkojnë më shumë se kujtdo tjetër, Edi Ramës, kukullës së Xhorxh Sorosit në Tiranë, i cili arrestoi tre liderët e partive kryesore opozitare për të marrë një mandat të katërt”, shprehet kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Ishin kancelari gjerman Olaf Scholz dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, të cilët i kanë quajtur "të papranueshme" komentet zëvendëspresidentit amerikan JD Vance për demokracinë evropiane.