Përfaqësues të bizneseve të cilat japin me qira mjete motorike si motorë, monopatina, skuterë etj., kanë dalë mëngjesin e kësaj të premteje në një protestë paqësore përpara Bashkisë së Vlorës.
Në fjalën e tyre ata tregojnë se arsyeja për të cilën protestojnë është fakti se tashmë që janë në sezon veror, kur mendonin se do të punonin, bashkia nuk i lejon që të nxjerrin mjetet motorike dhe elektrike në hapësirën publike për biznes.
Sipas përfaqësuesve të biznesit, çdo vit kanë funksionuar me pagesat e SPL-ve duke punuar për të mbajtur familjen.
Ndërsa këtë vit tregojnë se nuk po lejohen më dhe Policia Bashkiake po i gjobit.
“Përfaqësoj motorët me 4 goma për turistët që i çojmë në zonën e Manastirit dhe tani ndodhem këtu te bashkia për arsye se nuk na lejojnë që t’i nxjerrim në hapësirën publike, por kam 4 vjet që operoj dhe këtë herë na e kanë refuzuar. Doja t’i thosha kryetares që thjesht të na takojë, të na japë zgjidhje”, shprehet një prej tyre.
Pas takimit në bashki ata tregojnë mjetet e tyre të cilat i japin me qira te turistët.
Sipas tyre, këto nuk janë aspak mjete të rrezikshme, por përdoren nga turistët për zona në të cilat mungon infrastruktura.
“Promovohen vende ku ti nuk shkon dot me makinë”, thotë një vajzë.
Bizneset të cilat japin me qira mjetet motorike dhe elektrike për pushuesit, ditët e fundit janë përballur edhe me gjoba të majme për shkak të shfrytëzimit të hapësirës publike.
“Përditë vjen Policia Bashkiake edhe na gjobit me 200 mijë lekë. Me çfarë do t’i shërbejmë turizmit?”, thotë një prej protestuesve.
Ata kanë kërkuar takim me kryebashkiaken, i cili pritet të zhvillohet sot dhe pritet të shihet në qoftë se do të gjendet dakordësi mes palëve.
Komente









