Socialistët duhet të zgjedhin ose monopolin PS-PD, ose reformë elektorale

Socialistët duhet të zgjedhin ose monopolin PS-PD, ose reformë elektorale

Debati mes socialistëve dhe opozitës parlamentare për kërkesat shtesë që ata kanë rreth ndryshimeve kushtetuese, ka hyrë në një zonë të nxehtë, ku duhen qëndrime realiste dhe debat i hapur.

Ata kërkojnë lista të hapura, të cilat automatikisht duhet të zhbëjnë koalicionet e përbëra, dhe po ashtu kërkojnë ulje të pragut kombëtar deri në 2 për qind.

Socialistët po hezitojnë të bëjnë debat të hapur rreth këtyre propozimeve, dhe kjo mund të lërë në fuqi vetëm marrëveshjen që ata kanë me Partinë Demokratike dhe LSI-në.

Së pari, socialistët kanë një retorikë të gabuar për heqjen  e koalicioneve. Koalicionet para-elektorale duhet të ekzistojnë, por jo si koalicione me lista të përbëra, por me një listë të përbashkët. Hapja e listave dikton nevojën urgjentë të heqjes së koalicionit me lista të përbëra.

Që ta kenë më të qartë qytetarët që duan lista të hapura, nëse hapen listat dhe lejohet koalicioni me lista të përbëra, siç është, pra që PS të ketë në koalicion 40 parti dhe PD 40 të tjera, atëherë i bie që të hapen listat për 80 parti, me nga 140 deputetë secila, rreth 11 mijë e 200 kandidatë, për të cilët ti do të kontrollosh kush i ka votuar në 1 milionë e 700 mijë votues. Kjo është shkatërrim i procesit dhe pamundësi numërimi.

Koalicione me lista të përbëra si Shqipëria, nuk ka asnjë vend në Europë dhe është një shpikje e Sali Berishës në vite, meqë nuk del dot, as parti e parë, as koalicion i parë. Koalicionet në çdo vend perëndimor, janë koalicione para-elektorale me listë të përbashkët. Siç e ka dhe Kosova.

Kështu, nëse kemi koalicione me një listë të përbashkët, ne mund të kemi maksimumi 3, ose 4 koalicione, dhe ka kuptim hapja e listave, pasi mund t’i numërosh.

Nëse lejon 80 parti më vete me lista të hapura, e ke hedhur në erë pa filluar procesin zgjedhor, në kushtet kur votimi nuk është elektronik.

Prandaj ky debat duhet të marrë fund. Hapja e listave e bën të detyrueshme ekzistencën e koalicioneve para-elektorale me listë të përbashkët, dhe jo heqjen e koalicioneve.

Pa koalicione, siç thotë PS, pa menduar shumë, dhe me koalicione me listë të përbërë, siç ëndërron PD, t’u marrë vota aleatëve, zgjedhjet hidhen në erë.

E vetmja zgjidhje është koalicioni me listë të përbashkët, me lista të hapura. Vetëm kjo është zgjidhje që mund të përballohet dhe nga ana logjistike.

Së dyti, është debati për pragun elektoral.

Edhe ky debat duhet bërë me urtësi. Në kushtet kur PS dhe PD mund të bëjnë koalicionet e tyre parazgjedhore, të vegjlit që do hyjnë për herë të parë në garë, kanë nevojë për korrektim të pragut kombëtar propocional.

Socialistët thonë 3%, opozita parlamentare po kërkon tashmë 2%. Zgjidhja më e mirë është që të hiqet fare pragu dhe të lihet pragu natyral i futjes së një deputeti në Parlament.

Kjo mund ta çajë digën dhe mund të fusë në Kuvend emra të rinj, jashtë diktatit të PS dhe PD.

Në çdo rrethanë, partia që del e para nga zgjedhjet, nuk është e detyrueshme të bëjë koalicion të madh, apo të blejë ndonjë copë nga kampi përballë, por mund të bëjë koalicion me deputetë të rinj që hyjnë në Kuvend.

Këtu socialistët duhet ta ndajnë mendjen, a janë për të ruajtur monopolin PS- PD, apo për t’u dhënë shanse të rinjve të hyjnë në Kuvend.

Nëse janë për të ruajtur monopolin PS-PD, siç është tani, nuk ka nevojë të bëjnë sikur debatojnë me opozitën parlamentare. Le të miratojnë marrëveshjen e 5 qershorit, se ajo ruan monopolin PS-PD në zgjedhje dhe mos të harxhojnë energji kot.

Nëse duan ta prishin këtë histori të zgjatur të monopolit PS-PD, të lejojnë pragun natyral kombëtar për futjen e një deputeti në Kuvend, dhe t’i japin shans dhe aleatëve të vegjël të Bashës, apo dhe të vetëve, të shkëputen e të garojnë më vete. Kjo e bën garën më të vërtetë dhe votuesin me më shumë se dy alternativa.

Nëse PS nuk është gati ta bëjë këtë kompromis, atëherë mos t’i japë kot kosto vetes, por të qëndrojë tek pazari me Bashën dhe të vazhdojë ta mbajë të mbyllur lojën politike në Shqipëri.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Dialogu/ Petkoviç: Komisioni i Përbashkët për personat e zhdukur nis punën në janar, Kosova s'do që të hapë arkivat e UÇK

Dialogu/ Petkoviç: Komisioni i Përbashkët për personat e zhdukur nis punën në janar, Kosova s'do që të hapë arkivat e UÇK