Më shumë europianë se kurrë mendojnë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësimi në BE. Një sondazh i ri i publikuar nga Eurobarometri, tregon se 74% e europianëve, nga të gjitha vendet anëtare të Unionit, besojnë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësimi në BE.
Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë që kur kjo pyetje u bë për herë të parë në 1983, duke shënuar kështu një rekord. Edhe në Hungarinë e Orbán, 74% e shohin gotën gjysmë plot, përpara Italisë (67%) dhe Francës (65%). Kësaj shifre, sot iu referua edhe kryeministri Edi Rama, i cili në rubrikën “Sy m’sy” u shfaq me rezultatet në duar duke thënë se sot Bashkimi Europian i duhet më shumë se kurrë Shqipërisë.
"Janë në një mendje masivisht që prania në BE, është garanci për paqen dhe sigurinë. Atyre që thonë se çfarë na duhet BE, sot më shumë se kurrë na duhet BE dhe ne BE", tha Rama.
![]()
Sondazhi tregon se europianët kanë pritshmëri të mëdha nga BE-ja në rolin e saj për t'i mbrojtur ata nga sfidat globale dhe rreziqet e sigurisë. Shumica e madhe po kërkojnë një BE që i mbron duke u fokusuar në sigurinë, mbrojtjen dhe ekonominë.
Por, kur u pyetën specifikisht për qëndrimet e tyre ndaj BE-së, doli një shifër më trazuese. Vetëm 50% e europianëve kanë një mendim pozitiv për BE-në, krahasuar me 15% që kanë një mendim negativ, ndërsa deri në 34% janë neutralë për të.
Ndërsa kemi një shifër rekord të europianë që besojnë se vendi i tyre ka përfituar nga BE, nga ana tjetër të dhënat e sondazhit tregojnë se pritshmëritë e europianëve për pesë vitet në vijim janë ulur. Një e treta e tyre presin që niveli i jetesës të ulet – një rritje prej 7% krahasuar me një sondazh të muajit korrik të vitit të kaluar. Francezët dhe gjermanët udhëhoqën, me 53% dhe 47% përkatësisht që presin që jeta të bëhet më e keqe.
Eurobarometri është një sondazh i BE-së që zhvillohet çdo dy vjet dhe ndjek qëndrimet e qytetarëve të BE-së ndaj BE-së dhe monitoron trendet politike që kanë rëndësi për bllokun në tërësi.
Në një peizazh gjeopolitik që po ndryshon me shpejtësi, europianët po japin arsye të reja për të mbështetur BE-në. Afro 35% e shohin paqen dhe rritjen e sigurisë si përfitimin kryesor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasuar ngushtë nga 34% që e shohin bashkëpunimin në rritje midis shteteve anëtare si avantazhin më të madh të bllokut. Kjo vjen pas një njoftimi të Komisionit të javës së kaluar, i cili ndryshoi emrin e nismës së tij kryesore për të rritur shpenzimet ushtarake nga "Rimundimi i Evropës" – një term që tingëllonte shumë agresiv për veshët mesdhetarë – në "Gati 2030"..
Disa prej rezultateve kryesore të sondazhit të Eurobarometrit
74% e europianëve mendojnë se vendi i tyre përfiton nga anëtarësimi në BE. 89% besojnë se më shumë unitet është thelbësor për të trajtuar sfidat globale.Më shumë se një e treta (36%) e evropianëve duan që BE të fokusohet në mbrojtje dhe siguri për të forcuar pozitat e bllokut në botë, përpara 32% që përmendin konkurrueshmërinë dhe ekonominë. 62% e qytetarëve do të dëshironin që Parlamenti Evropian të merrte një rol më të spikatur. Kjo shifër është rritur me gjashtë pikë vitin e kaluar, duke arritur kulmin që nga viti 2020.
Imazhi i Bashkimit Evropian është pozitiv për më shumë njerëz (50%). Kjo është një rritje prej dy pikësh në krahasim me pranverën e 2024 dhe pesë pikë më shumë se në vjeshtën e 2023. 66% duan që roli i BE-së në mbrojtjen e qytetarëve nga krizat globale dhe rreziqet e sigurisë të bëhet më i rëndësishëm, ndërsa 50% pranojnë se ky rol mbrojtës është rritur tashmë vitet e fundit.
Mbrojtja dhe siguria është fusha kryesore në të cilën BE-ja duhet të fokusohet për të forcuar pozitën e saj në botë, sipas 36% të europianëve. 33% presin që standardi i tyre i jetesës të ulet gjatë pesë viteve të ardhshme. 43% i kërkojnë Parlamentit Evropian që t'i japë përparësi trajtimit të inflacionit, rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës. Mbrojtja dhe siguria e BE-së dhe lufta kundër varfërisë dhe përjashtimit social janë të radhës në listë (të dyja me 31%).
Arsyeja kryesore pse njerëzit mendojnë se anëtarësimi në BE është i dobishëm ka ndryshuar: mbrojtja e paqes dhe forcimi i sigurisë ka fituar tre pikë që nga vera dhe tani është në vendin e parë me 35%. Arsyeja kryesore e mëparshme, përmirësimi i bashkëpunimit midis vendeve të BE-së, humbet dy pikë dhe tani është në vendin e dytë (34%).
Prioritetet politike ndryshojnë, vlerat janë të qëndrueshme: paqja (45%), demokracia (32%) dhe të drejtat e njeriut (22%) mbeten tre vlerat kryesore që njerëzit duan që Parlamenti Evropian të mbrojë, ashtu siç ishin një vit më parë.
Rezultatet e sondazhit të Eurobarometrit për pyetjen "A ka përfituar vendi juaj nga anëtarësimi në BE?"
Komente

