Kryeqytetasit kërkojnë më shumë vende pune nga kryetari i bashkisë së tiranës që do të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit. Në sondazhin e institutit piepoli në bashkëpunim me a1 REPORT 38 përqind e të pyeturve kane prioritet kërkesën për punësim, por kjo situatë sipas analistëve vjen për shkak të varfërisë dhe konfuzionit që është krijuar ndër vite me proceset elektorale. 

TIRANË - Kryeqytetasit presin nga kryetari i ri i bashkisë së Tiranës më shumë vende të reja punë. Sipas sondazhit të Institutit Piepoli në bashkëpunim me televizionin A1 Report kryeqytetasit janë të fokusuar më shumë në kërkesën e tyre për punësim ndërsa çështjet infrastrukturore mbeten kërkesë dytësore. Sipas analistit Shpëtim Nazarko kjo është e drejtë e qytetarëve të cilët i kërkojnë atij që duhet të menaxhojë qytetin së pari punën e më pas infrastrukturën. Sipas zotit Nazarko varfëria lidhet me punësimin por të dy kandidatët janë të paqartë në këtë drejtim.

“Për të bërë një qytet normal dhe ku kryetari i bashkisë preokupohet për këto punë dhe si të thuash është nëna dhe babai i qytetit në drejtim që e mirëmban atë nuk janë vetëm dritat nuk vetëm ato qendrat e qyteteve nuk janë ato por janë problemet se si të të hapësh punë të mëdha publike në të cilën të ingranosh qytetarët e tu. Të dy kwta kandidatët dhe në përgjithësi në Shqipëri se kanë kuptuar akoma se çfarë është”, u shpreh Nazarko. 

Por për politologun Roland Lami ky është një adresim i gabuar i qytetarëve pasi sipas tij, nuk është pushteti lokal që ka të drejtën ekskluzive për krijimin e vendeve të punës, por është pushteti qendror.

“Axhenda, hapësirat, mundësitë, investimet e pushtetit lokal janë të tilla që janë goxha të limituara për të ofruar një hapësirë të madhe punësimi kjo kërkesë mund ti adresohet shumë mirë ekzekutivit dhe shumë më pak pushtetit lokal”, thotë Lami.

Por a janë kthyer këto zgjedhje nga lokale në politike, Shpëtim Nazarko dhe Roland Lami mendojnë në këtë mënyrë.

“Këto kanë tendencë për të qenë zgjedhje politike për shkaqe objektive se kemi një duel partitë e mëdha të cilat janë kopje të njëra tjetrës me thënë të drejtën”, u shpreh Nazarko.

“Lidershipet e dy koalicioneve të mëdha po bëjnë fushatë të tipit të zgjedhjeve parlamentare njëra po kritikon bilancin e qeverisë tjetri po mbron bilancin e qeverisë apo jo ndërsa kandidatët bashkiakë po i nënshtrohen tipikisht zgjedhjeve lokale”, tha Lami.

Instituti Piepoli dhe A1Report publikuan sondazhin e parë për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, sipas të cilit rezulton që në kryeqytet pavarësisht vlerësimi pozitiv që është për të dy kandidatët Erion Veliaj e Halim Kosova, në fund kryeqytetasit do të votonin më shumë Veliajn që vjen si propozim i koalicionit të majtë.

sondazhi

 Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)