Pas të martës sot në Champions League 16 skuadra të tjera do të luajnë aktin e dytë për fazën e grupeve ku mbi të tjera spikat përballja mes Interit dhe Barcelonës. Katalanasit pritës vijnë në këtë sfidë pas barazimit në transfertë kundër Dortmund, ndërsa Inter pas pikës kundër Slavia Praga-s që gjithsesi ishte një zhgënjim.
Për Barcelonën kundër italianëve Lionel Messi dhe Dembele janë në dyshim, por trajneri Valverde para sfidës është shprehur: “Interi i ka bërë një nisje spektakolare sezonit duke fituar të gjashta përballjet. Ata janë një ekip solid dhe do të jetë e vështirë për t’iu shënuar. Kanë bërë shumë ndryshime, sit e lojtarët dhe te trajneri, por ndeshjet e sezonit të kaluar padiskutim do të na ndihmojnë.”
Ndërkohë te Interi mungesa e madhe do të jetë sulmuesi Lukaku, i cili ka ndjerë një shqetësim në kofshë. Vendin e tij do ta marrë Sanchez, ndërsa për sfidën trajneri Conte ka deklaruar: “Të luash në Camp Nou nuk është e thjeshtë. Barcelona është një nga skuadrat më të mira në botë, por ne vijmë këtu të luajmë lojën tonë. Do të përballemi me ta me të gjithë potencialin tonë, por e dimë që janë një skuadër që luftojnë për trofeun.”
Ndeshja tjetër e këtij grup do të luhet në pragë mes Slavia-s dhe Dortmund.
Ndërkohë në Grupin E Liverpool që humbi ndeshjen e parë kundër Napolit do të presë në shtëpi Salzburg, ndërsa skuadra italiane e drejtuar nga Anchelotti luan në transfertë kundër Genk.
Interesante janë përballjet edhe në Grupin H pasi Chelsea që u mposht në shtëpi nga Valencia do të synojë të ndërrojë faqe kundër Lille në transfertë, ndërsa spanjollët e Valencia-s presin në shtëpi Ajax, një tjetër skuadër që mori tre pikët në ndeshjen e parë.
Dy takimet e tjera janë të vlefshme për grupin G dhe do të luhen ndërmjet Zenitit dhe Benfikës si dhe Leipzing e Lyon.