TIRANË- Hera e parë për Villarreal apo e dyta për Manchester United. Sonte duke nisur nga ora 21:00 në stadiumin e Gdansk në Poloni luhet finalja e madhe e Europa League në prani edhe të rreth 10 mijë tifozëve.
Do të ngrihet trofeu i parë sezonal në Europë dhe më pas të shtunën do jetë radha e Champions. Villarreal luan finalen e parë evropiane mëse të merituar dhe ka në përbëje disa lojtarë me eksperiencë që mund ta dërgojnë tek trofeu. Madje në pankinë është një specialist si Unai Emery që e ka fituar Europa League tre herë. Në konferencë trajneri Emery ka thënë: United është favorite dhe kuptohet mjaft mirë pse, por ne kemi mundësitë tona ta fitojmë trofeun dhe do t’i shfrytëzojmë më së miri ato”. “Nëndetësja e verdhë” do zbres në fushë me formacionin më të mirë dhe golat do i presë nga Gerard Moreno.
Anglezët e Manchester United përveçse kanë fituar tre herë Championsin në 2017-tën triumfuan edhe në Europa League. Në finalen e mbrëmjes së sotme shihen si favoritë edhe për shkak të këshillave që kanë marrë nga ishi Ferguson.Me Bruno Fernandes dhe Edinson Cavanin në superformë anglezët do bëjnë të pamundurën që të ngrenë trofeun e Europa League. Do të ishte i pari si trajner i United për Solskjaer i cili ka thënë: “Do të jetë një ndeshje e veçantë dhe shanset janë 50 me 50”. Pa gola kanë përfunduar katër përballjet e kaluara mes Villarreal e United. Drejtësi do të vendosë francezi Clement Turpin./Përgatiti Andi Kapxhiu