Besimtarët myslimanë në mbarë botën dhe në Shqipëri kremtojnë sonte Natën e Kadrit, një nga netët më të rëndësishme dhe të bekuara të muajit të shenjtë të Ramazanit. Kjo natë ka një domethënie të veçantë për Islamin, pasi besohet se është nata kur Kurani i shenjtë zbriti në tokë, duke shënuar kështu fillimin e shpalljes hyjnore përmes profetit Muhamed.
Sipas besimit islam, Nata e Kadrit është një natë e mbushur me mëshirë, falje dhe begati, ku lutjet kanë një vlerë të veçantë. Myslimanët besojnë se kjo natë është më e vlefshme se një mijë muaj dhe se veprat e mira të kryera gjatë saj kanë një shpërblim shumëfish më të madh se në çdo natë tjetër të vitit. Prandaj, besimtarët i kushtojnë kësaj nate rëndësi të veçantë duke u angazhuar në lutje, falje dhe lexim të Kuranit.
Kjo natë është gjithashtu një mundësi për reflektim shpirtëror dhe përforcim të besimit, ku besimtarët përpiqen të afrohen më shumë me Zotin dhe të pastrojnë shpirtin e tyre nga mëkatet.

Kur është Nata e Kadrit dhe si kuptohet ajo?
Një numër jo i vogël dijetarësh myslimanë kanë konluduar se Nata e Kadrit bie në natën e njëzet e shtatë të Ramazanit.
Përgjigja e saktë rreth kësaj pyetje është se kjo natë bie në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Fshehja e saj është bërë me qëllim që besimtarët myslimanë të fitojnë sa më shumë shpërblime, duke e kërkuar atë gjatë kësaj periudhe.
Prandaj, për ata që duan të fitojnë mirësitë e Zotit, del si nevojë e natyrshme që dhjetë ditë-netët e fundit të muajit Ramazan: - të gjallërojnë natën me adhurime, pra të falin namaz vullnetar; - të pendohen për mëkatet dhe të kërkojnë mëshirë nga i madhi Zot.
Shenjat e natës së Kadrit
Kjo natë kaq e madhe, ka shenjat e saj, të cilat nuk vihen re, vetëm pasi të ketë lindur dita e re. Ndër këto shenja është se dielli i ditës që pason natën e Kadrit, lind pa rreze, ose është i kuq dhe ndriçim të zbehtë. Një shenjë tjetër që thuhet, është dhe shiu i lehtë që mund të bjerë natën e Kadrit, era dhe se ajo natë, është e hapur, as e nxehtë dhe as e ftohtë.
Të gjitha këto shenja, nuk janë të prera dhe nuk arrijnë në gradën e sigurisë së plotë. Ato mund të gjenden ose jo, sipas vendit dhe stinës. Ka vende myslimane ku shiu bie pa pushim, të tjera ku ka vite që nuk bie shi, të tjera që vuajnë nga të ftohtit dhe të tjera që vuajnë nga i nxehti.
SI.E./Shqiptarja.comKomente


LA ILAHE IL-LA ENTE SUBHANEKE INNI KUNTU MIN EDH-DHALIMIN
Përgjigju