I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen ka arritur ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë. Më pas Sorensen u takua edhe me Presidenten Vjosa Osmani në zyrën e saj, rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm.
Për pak momente Sorensen foli edhe për mediat, ku tha se shpresonte se viti 2026 do të sillte një përmirësim të situatës në rrafshin e dialogut Kosov-Serbi.
“Kam shpresë të madhe, sigurisht, personalisht, që 2026 të na sjellë atë që 2025 nuk e solli. Dhe prandaj po e nis vitin e punës me një udhëtim pune këtu dhe pastaj në Beograd më vonë këtë javë.
Ajo që do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare në lehtësimin e dialogut, të sigurojmë që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Pra do të duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë.
Përfaqësuesja e Lartë vizitoi Beogradin dhe Prishtinën vitin e kaluar. Ka angazhime që do të ketë një takim kur koha të jetë e duhur. Ajo do ta thërrasë takimin. Njerëzit do të vijnë dhe do të shohim. Por do të duhet të shohim”, tha mes të tjerash Sorensen.
Kujtojmë se vizita e Sorensen në Prishtinë është pjesë e një turi më të gjerë në rajon, gjatë të cilit ai pritet të zhvillojë takime me nivelin më të lartë politik si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Në Serbi pritet që Sorensen të shkojë të enjten, pasi ka planifikuar takime me lidershipin serb në Beograd. Kjo është vizita e parë e Sorensen që nga marrja e mandatit të dytë si ndërmjetësues i Bashkimit Evropian në procesin e dialogut Kosovë–Serbi.
Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.
Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.
Po ashtu, bëjmë me dije se vizita e tij në Kosovë erdhi në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.
Komente






