SOS! Mijëra fëmijë në
luftë për ekzistencë

SOS! Mijëra fëmijë në <br />luftë për ekzistencë
TIRANE-Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë thotë se duhet nisur nga zgjimi qytetar dhe emancipimi i ndërgjegjes kombëtare, me qëllim që vendit t'i sigurohet një e ardhme ndryshe, ndryshe nga sot, kur mijëra familje vuajnë për bukën e gojës, ndërsa politikanët ndërrojmë postet, destinacionet e udhëtimeve jashtë, rrëmbejnë tendera dhe ndryshojnë ligje. Në këtë situatë, thotë Çumani, jetimët janë pjesa më e pambrojtur e shoqërisë, ashtu siç e tregojnë jo vetëm statistikat, por realiteti i përditshëm në Shqipëri.

Çfarë i shqetëson qytetarët sot?
Në Shqipëri ka me qindra familje që nuk plotësojnë nevojat bazë të jetesës së përditshme. Ato sot ndodhen në kufijtë e ekstremit të varfërisë ku shumë prej tyre janë familje të riskut që rrezikojnë shkatërrimin e bërthamës familjare duke lënë edhe fëmijë jetimë. Ngjarja e 4 fëmijëve - engjëj në Sukth të Durrësit që në rrethana absurde humbën jetën për shkak të mjerimit dhe pamundësisë për të jetuar një jetë normale, është preludi i një realiteti rrëqethës për të kuptuar se ç'farë ndodh sot nëpër familjet e thjeshta shqiptare, të cilat s'kanë asnjë të ardhur dhe shteti nuk mundet ti asistoi nëpërmjet programeve sociale mbështetëse dhe ndihma ekonomike.
Tragjedia tejet e dhimbshme e familjes Xheka në fshatin Sukth të Durrësit, ku 4 vocërrakë u kallën nëpër flakë, brenda një kasolle pa dritë, në mes të të ftohtit dhe mjerimit, të rënë në gjumë e të uritur dhe me barkun bosh, është ende e freskët në memorien dhe shpirtin e trazuar të të gjithë shqiptarëve. Roberti, 13 vjeç, Vilsoni, 11 vjeç, Kasandra 9 vjeçe dhe Nertila 6 vjeçe, ishin fëmijë që s'kërkonin gjë tjetër, veçse ëndërronin dhe dëshironin t'a jetonin jetën në botën e tyre, si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Si shumë fëmijë që kanë patur fatin e tyre të keq, këta engjëj të pafajshëm ishin të përjashtuar nga vëmendja e të gjithëve, larg syrit indiferent dhe mbështetjes sociale me ndihmë ekonomike nga shteti dhe pushteti lokal atje në Sukth. Është rast unik do të thosha në mes të rajonit dhe të Evropës, ku në mënyrë flagrante nga abuzimi me pushtetin, njerëzit e politikës nuk mendojnë seriozisht për fatet e qytetarëve, por për interesa të ngushta partiake e klanore, ku rrjedhimisht prodhojnë edhe kriza të rënda me kosto të lartë në kurriz të qytetarëve të vet.

Me gjuhën e statistikave, si është sot tablloja sociale e fëmijëve jetimë?
Familjes së madhe të pjesës së margjinalizuar të shoqërisë shqiptare, i janë shtuar dhe po i shtohen qindra fëmijë të braktisur nga prindër të divorcuar, qindra të tjerë të mbetur jetimë nga krimi brenda familjes, ku si shkak kryesor ka qenë dhe është papunësia, varfëria dhe pamundësia e tyre për t´i rritur këta fëmijë. Sot, institucioni i Shërbimit Social Shtetëror mbulon me ndihmë sociale 65- 67 % të njerëzve që janë në nevojë, numri i të cilëve arrin në 464.800, ose 14% të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Realisht numri i atyre që kanë nevojë për dorën e shtetit dhe asistencë sociale është afërsisht 697.000. Nga këta, 184.000 janë fëmijë, ku më shumë se 2/3 e tyre jeton nën minimumin jetik dhe përballen me ekstremin e varfërisë në luftë me mbijetesën. Afro 100.000 persona janë me aftësi të kufizuara, 31.000 është numri i fëmijë jetimë në mbarë vendin, ku 400 prej tyre trajtohen sot në 9 qendra rezidenciale shtetërore që janë nën juridiksionin e shtetit dhe 360 të tjerë në 16 qëndra rezidenciale joqeveritare, (OJF). Në këtë shërbim, vepron rrjeti i shërbimit social me 12 zyra rajonale në të gjithë vendin, i cili, për hir të së vërtetës, nuk ka funksionuar si duhet në gjithë këto vite të tranzicionit në Shqipëri.
Në të shumtën e rasteve, ky rrjet shërbimi ka qenë informal, duke i sjellë shtetit dhe imazhit të vendit dëme të konsiderueshme në aspektin social dhe ekonomik, ashtu edhe në planin moral dhe në çështjet e integrimit në përgjithësi.
Kjo ka bërë që vitet e fundit, partnerët ndërkombëtarë të jenë skeptik ndaj institucioneve tona të shërbimit social, pasi ata kanë qenë rregullisht edhe donatorët kryesorë në implementimin e programeve sociale në favor të shtresave në nevojë.
Edhe pse në vendin tonë veprojnë 140 operatorë të Shoqërisë Civile (OJF)që merren me trajtimin e shtresave të varfëra dhe fëmijëve në nevojë, ky fakt, nuk ka mundur aspak të ndikojë në mënyrë të ndjeshme në zbutjen e fenomeneve sociale që prekin këto shtresa, pasi këto të fundit, në disa raste nuk shihen nga institucionet shtetërore si partnerë seriozë, por konsiderohen si konkurrent në një garë pa fund, duke i prerë rrugën bashkëpunimit, koordinimit dhe bashkërendimit të punëve mes partnerëve social - joqeveritar dhe atyre institucionalë.
Skamja dhe uria, të shkaktuara nga korrupsioni tradicional i 21 vjetëve të fundit, ka pllakosur në mjerim të thellë shumë familje shqiptare dhe ka sjellë për pasojë viktimizimin e shtresave të pambrojtura.
Prej gjashtë vjetësh, Amnesty International, ka bërë publike raportin vjetor çdo fundviti mbi gjëndjen e mjerueshme të jetimëve në Shqipëri. Ky raport i është bërë prezent çdo vit qeverisë shqiptare, institucioneve ndërkombëtare dhe parlamentit evropian duke vënë theksin se këtyre jetimëve prej 21 vjetësh të tranzicionit në Shqipëri, u janë shkelur dhe mohuar në mënyrë flagrante liritë dhe të drejtat themelore për një jetë të dinjitetshme. Atyre u është mohuar e drejta e strehimit, e punësimit, e asistencës shëndetësore dhe shumë të drejta të tjera të cilat i kanë pozicionuar si shtresa më e margjinalizuar dhe më e pashpresë e shoqërisë.
Nuk duhet harruar nga ana tjetër se, ngujimi i 900 familjeve në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe, Lezhë, Tiranë, dhe në periferitë e Durrësit, Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës si shkak i gjakmarrjes, sot 400 fëmijë jetimë të mbetur nga ky fenomen janë të izoluar dhe nuk shkojnë në shkollë, me shpresë se edhe dita e sotme u´a kurseu jetën e tyre nga gryka e pushkës vrastare të hasmit, por në të njëjtën kohë, me shpresën se shteti duhet të vërë dorë sa më shpejtë mbi ta.
Janë afro 530 fëmijë jetimë të policëve të rënë në detyrë, të cilët nuk e kanë ndjerë realisht dorën e ngrohtë të shtetit, të paktën si një obligim moral dhe shenjë respekti edhe për 322 baballarët - Dëshmorë të Atdheut, që dhanë jetën në këtë tranzicion të dhimbshëm në mbrojtje të rendit e qetësisë, lirisë dhe vlerave të saj.
Janë plot 1.300 fëmijë jetimë të mitur nga komuniteti rom, që i kemi përditë në sytë tanë, që shihen me përbuzje e përçmim tek lypin buzë Lanës, në bulevardet plotë shkëlqim të kryeqytetit tonë dhe luksit të pamasë të pjesës tjetër indiferente, që ndoshta disave prej tyre nuk u luan asnjë shqisë kur i shohin në mbrëmje nga ekranet e televizioneve se si trafikohen matanë vendevit.
Nga varfëria, kequshqyerja dhe braktisja e shkollës, janë me dhjetra - qindra fëmijë jetimë që nuk kanë mundësi për të realizuar ëndërrat e tyre, për të shfrytëzuar dhe shpalosur aftësitë e tyre, për të marrë pjesë në jetën demokratike.
Ngjarja e ditëve të fundit me familjet rome që jetojnë në qiell të hapur në mes të këtij të ftohti të acartë, dhe nga ana tjetër indiferenca e pushtetit lokal dhe e autoriteteve zyrtare shtetërorë përgjegjëse për të zgjidhur çështjen e strehimit të tyre, përbën një lajm tronditës që ka tërhequr vëmendjen e shtypit të huaj dhe të institucioneve ndërkombëtare.

Nga duhet të nisë ndryshimi thelbësor i situatës?
Po t'i referohesh të Drejtës Ndërkombëtare, një nga detyrimet bazë të qeverive në të gjithë botën demokratike është fakti që këto qeveri detyrohen me ligj dhe kushtetutë të garantojnë një jetë të dinjitetshme për qytetarët që kanë një status të dobët social, ku hyjnë femijët jetimë, invalidët, të moshuarit e braktisur, të papunët dhe njerëzit e sëmurë. Për të gjitha këto kategori, në Shqipëri asnjëherë nuk është menduar seriozisht nga të gjitha qeveritë, nga e gjithë klasa politike shqiptare në tërësi. Përkundrazi. Edhe pas 21 vjetësh, ende sot e kësaj dite na ndjekin pas reminishencat e së kaluarës të keqqeverisjes dhe abuzimit me pushtetin në dëm të qytetarit, e veçanërisht në dëm të kategorive më vulnerabël të shoqërisë. Mendoj se duhet filluar nga një zgjim qytetar, nga një emancipim i ndërgjegjes kombëtare, me qëllim që vendit t'i sigurohet demokratikisht promovimi i një lidershipi të ri politik, me një mentalitet dhe vizion të qartë përcaktues dhe europianizues të vendit, për të lënë pas një epokë që i përket së shkuarës dhe të rendim me hapa të shpejtë drejt fqinjëve tanë perëndimorë.

Çfarë duhet të ndryshoj tek njerëzit e politikës?
Duhet të ndryshoj filozofia mbi konceptin që ka qeverisja në sistemet demokratike në funksion të shtetit ligjor. Pa dashur të hyj në politikë, më duhet të them se, është e domosdoshme që një nga mekanizmat që ka lidhje me frymëmarrjen e demokracisë dhe që do ta shpëtoj vërtet këtë vend nga mbajtja peng e politikës dhe institucioneve të kapura prej saj siç është drejtësia, është aplikimi i disa standardeve që ka të bëjë me heqjen përfundimisht të imuniteteve të deputetëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe titullarëve të lartë të administratës shtetërore, të cilët, pa këtë imunitet nuk do të mund të kenë kurajo të shkelin kushtetutën, ligjet e këtij vendi. Pa këtë imunitet, ata do të duhet të tregohen të përgjegjshëm në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese dhe do të mund të ndjehen të dobët, të respektueshëm dhe të barabartë përpara ligjit kur ata e shkelin atë.

Njerëzit që vijnë tek ju, për çfarë trokasin?
Janë shumë fëmijë jetimë nga komuniteti rom, që lypin rrugëve, keqpërdoren nga prindërit e tyre dhe ligji nuk vepron mbi këta prindër që do t'i konsideronim abuzuesit permanent të këtyre krijesave të pafajshme. Kërkojnë ndihmë nga ne për të ndikuar pranë institucioneve të adminstratës publike, që t'ju jepet dhe t'ju garantohet një ndihmë ekonomike, një strehë, vijnë për të drejta studimi ku këta prindër kërkojnë dhe shpresojnë që ne të ndikojmë në sigurimin e bursave për shkolla të mesme dhe të larta për fëmijët e tyre, me qëllim që edhe ata të mund të sigurojnë një të ardhme të sigurt me një profesion që ti përgatit dhe integroj nesër për në tregun e punës. Kërkojnë të ndërmjetësojmë për një vend pune, apo edhe për zgjidhjen e problemeve shëndetësore, ku indiferenca e pushtetit lokal për raste të tilla është evidente. Jemi ndjerë mirë kur këto probleme i kemi zgjidhur në favor të këtyre njerëzve, por ka patur raste që jemi ndjerë keq kur ndonjë rast nuk ka marrë zgjidhjen e duhur.

(Shkrimi u botua sot ne shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë