Sot 25 vjet nga bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, Osmani homazhe për ushtarët! Begaj: Shpëtuan Kosovën, kujtojmë luftën heroike të UÇK

KOSOVË- Sot 25 vjet më parë, 24 mars 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës. Sulmet filluan në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Në 25-vjetorin e sulmeve të NATOs- në ish-Jugosllavi, presidentja Vjosa Osmani bëri homazhe në varret e ushtarëve të NATO-s. Ajo i falënderoi të gjithë ata që dhanë jetën për popullin e Kosovës duke parandaluar në këtë mënyrën shfarosjen e tyre.

“Në emër të popullit të Kosovës, këtij populli që ishte në rrezik nga shfarosja në vitin 1999, t’i falënderoj nga zemra secilin nga ushtarët e NATO-s që rrezikuan jetën e tyre në mënyrë që ta shpëtojnë tonin", tha Osmani.

Homazhe kreu edhe ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier.

“Ne kujtojmë dhe nderojmë ushtarët e guximshëm që bënë sakrificën përfundimtare, duke përfshirë oficerët e shefit të garancisë së ushtrisë amerikane David Gibbs dhe Kevin Reichert”, shkroi ambasadori amerikan në rrjetet sociale. Ndërsa ambasadori gjerman Jorn Rohde dhe se sulmet e NATO-s nuk janë arsye për festë, pasi ishte përgjegjësi morale për të ndalur gjakderdhjen dhe krimet e Millosheviçit.

Një reagim e pati edhe Presidenti Bajram Begaj, i cili shprehu falenderime ndaj Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë akt historik për shqiptarët dhe rajonin e Ballkanit, ndërsa përkujtoi me nderim heronjtë e UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë.

"Faleminderit, NATO! Faleminderit, SHBA! 25 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t'i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.  Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët", shkroi Begaj.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s. Sot, 25 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër më të vogël. Ata janë të vendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:56
25 vjet nga bombardimet e NATO-s në Serbi, Basha: Nostalgjikët e Millosheviçit vazhdojnë të përkundin ambicie të së shkuarës

1711306740_basha.jpg

Kreu i PD Lulzim Basha  përcolli sot një mesazh në 25-vjetorin e nisjes së operacionit të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga gjenocidi serb. Me anë të një postimi në rrjetet sociale Basha shkruan se tashmë shqiptarët duhet të jenë akoma më shumë të bashkuar dhe të shohin përpara, në krah të aleatëve perëndimorë.

"Sonte njëzet e pesë vjet më parë, NATO nisi fushatën e bombardimeve për të ndalur genocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë. Pas shterimit të çdo mundësie diplomatike, për t'i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik të regjimit të Millosheviçit, ndërhyrja ushtarake ishte opsioni i fundit për të ndalur masakrat mbi civilët e pafajshëm.

Sot kujtojmë me dhimbje dhjetëra mijë civilë të pafajshëm, përfshirë mijëra fëmijë, që u vranë, mijëra të tjerë që ende sot nuk kanë varr, viktima të dhunës çnjerëzore të regjimit vrastar të Millosheviçit. Çfarë ndodhi 25 vjet më parë qëndron para çdokujt sot si mësim se historia nuk mund të rishkruhet. Nostalgjikët e Millosheviçit vazhdojnë të përkundin ambicie të së shkuarës siç tregoi sulmi terrorist i 24 shtatorit në Bajnskë. Por fatmirësisht sot në Kosovë është NATO, janë miqtë dhe partnerët jetikë të shqiptarëve. Mirënjohje përjetë SHBA, Britanisë së Madhe dhe aleatëve tanë në NATO për përkrahjen e paçmim për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.  Me vetëdije për të shkuarën, Kosova dhe shqiptarët kudo ku janë, bashkë me aleatët dhe partnerët tanë me në krye SHBA, duhet të mos kursejmë asgjë për të ndërtuar të ardhmen."

Ora 14:49
25 vjet nga bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, Spiropali: Ishte koha kur shqiptarët si komb takuan historinë

1710518962_WhatsAppImage20240315at16.59.35.jpeg

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka kujtuar 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Beograd, që i dhanë edhe fund luftës në Kosovë. 

Përmes një reagimi në ‘Facebook’, Spiropali thekson se sulmi u bë për të mbrojtur qytetarët e Kosovës nga masakra dhe gjenocidi serb.

Ministrja shtron se ‘ishte koha kur shqiptarët si komb takuan historinë dhe kur historia nisi të shkruhet ndryshe dhe më mirë për shqiptarët’!

''25 vite më parë, avionët e NATO-s nga qielli nisën të parën luftë humanitare në Europën e pasluftës së Dytë Botërore për të shpëtuar qytetërimin nga agresioni i neofashizmit nacionalist të Milosheviçit dhe për të mbrojtur qytetarët e Kosovës nga masakra dhe genocidi shtetëror i Beogradit! Forca e NATO-s, vetëdija e komunitetit ndërkombëtar bashkuar me sakrificat e jashtëzakonshme të burrave dhe grave të UÇK-së i dhanë jetë kësaj beteje epike dhe shpëtuan ndërgjegjen e Perëndimit duke korrektuar Historinë dhe duke i rikthyer shqiptarëve dinjitetin e jetës në liri!

Mirënjohje pafund e të përjetshme Aleancës EuroAtlantike dhe partnerit tonë strategjik, SHBA-së! Nderim përjetë heronjve dhe viktimave të luftës në Kosovë, që me gjakun e tyre shtruan udhën e lirisë. Ishte koha kur shqiptarët si komb takuan historinë! Ishte kohë kur historia nisi të shkruhet ndryshe dhe më mirë për shqiptarët", shkruan Spiropali. 

Ora 11:19
25 vjet nga bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, Hasani: Vendimtare për zhbërjen e ambicieve gjenocidale të Millosheviçit kundër shqiptarëve

1710437113_iglihasani.jpg

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka reaguar për 25-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë. Hasani thotë se ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare në zhbërjen e ambicieve gjenocidale të Millosheviçit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.

“Njëzet e pesë vjet më parë, ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare në zhbërjen e ambicieve gjenocidale të Millosheviçit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.

Sot, Kosova e pavarur dhe sovrane, është dëshmi e rezistencës së popullit të saj dhe sakrificave të bëra nga luftëtarët e lirisë. Me vendosmëri, Kosova ka evoluar në një demokraci funksionale, që synon integrimin e plotë në familjen euro-atlantike”, shkruan Hasani.

Ora 10:07
25-vjet nga ndërhyrja e NATO-s, ambasadori gjerman: Ishte përgjegjësia jonë morale, i qëndrojmë atij vendimi

1711271330_amba.jpg

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se ndërhyrja e NATO-s para 25-vjetëve në Kosovë ka qenë e nevojshme dhe se është bërë gjithçka për të parandaluar mizoritë e regjimit të Millosheviçit.

Në platformën X, Rohde shkruan sei qëndrojnë këtij vendimi.

“Ne bëmë atë që ishte e nevojshme për të parandaluar gjakderdhjet dhe mizoritë e mëtejshme nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë pasi diplomacia dështoi”.

“Ishte përgjegjësia jonë morale dhe ne i qëndrojmë atij vendimi”, ka thënë Rohde.

Ora 09:56
25 vjet nga bombardimet e NATO-s në Serbi, Osmani homazhe për ushtarët: Liderët e botës demokratike nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve të popullit

Në 25 vjetorin e bombardimit të NATO-së në Serbi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe para memorialit të ushtarëve të rënë të NATO-s.

Bashkë me Osmanin për homazhe ishin edhe ambasadorët e shteteve të huaja në Kosovë. Osmani u shpreh përjetësisht falënderuese ndaj NATO-s.

“25 vjet më parë, filloi shpëtimi i Kosovës nga shfarosja. Aleancat duhet t’i ruajmë po aq sa edhe lirinë! Faleminderit përjetësisht NATO!”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo para mediave ka thënë se 25 vjet më parë për Kosovën filloi shpresa e madhe.

“24 marsi vërtetë ishte ditë e shpresës së madhe sepse për herë të parë aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocidal i Millosheviqit dhe së bashku me shumë shtete partnere arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë dhe atë ditë të çlirimit ne edhe do ta shënojmë më 12 qershor të këtij viti. Kjo ditë e shpresës së madhe u shndërrua në një partneritet të pafuqishëm dhe të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike, aleanca që edhe sot vazhdojnë”, u shpreh Osmani.

Presidentja falënderoi secilin ushtarë të NATO-s që rrezikuan jetën për ta shpëtuar atë të popullit të Kosovës.

“Në emër të popullit të Kosovës, këtij populli që ishte në rrezik nga shfarosja në vitin 1999, t’i falënderoj nga zemra secilin nga ushtarët e NATO-s që rrezikuan jetën e tyre në mënyrë që ta shpëtojnë tonin. I falënderoj të gjithë liderët e shteteve demokratik që nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve të popullit të Kosovës por na dolën zot, na erdhën në shpëtim dhe edhe sot qëndrojnë pranë nesh përderisa ne punojmë bashkërisht që Kosova e sotme të jetë Kosovë që i bën jo vetëm qytetarët e saj po edhe miqtë e saj të mburren me sukseset në zhvillimin e demokracisë, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, shtoi më tej ajo.

Po ashtu, Osmani beson se shumë shpejt Kosova do të ulet në NATO përkrah miqve të saj.

“Faleminderit përjetësisht NATO. Kosova besoj shumë shpejt do të ulet në NATO përkrah miqve që na qëndruan pranë në momentet më të vështira dhe do ta kthejë këtë borxh duke i ndihmuar vendet e tjera siç po bën edhe sot…”.

 

Ora 09:43
Begaj: Ndërhyrja e NATO-s i dha të drejtë kauzës së Kosovës, sot kujtojmë sakrificat e shqiptarëve dhe luftën heroike të UÇK-së

Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot një mesazh në 25-vjetorin e nisjes së operacionit të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga gjenocidi serb.

Kreu i Shtetit shprehu falënderime ndaj Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë akt historik për shqiptarët dhe rajonin e Ballkanit, ndërsa përkujtoi me nderim heronjtë e UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë.

Presidenti Begaj vlerësoi vendimmarrjen që i dha fund fushatës së spastrimit etnik dhe gjenocidit serb në Kosovë, kontributin e mëtejshëm nga KFOR, si edhe vizionin e Aleancës për siguri, paqe dhe stabilitet në Ballkan.

"Faleminderit, NATO! Faleminderit, SHBA! 25 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t'i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.  Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.  Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi.

Urtësia politike, largpamësia strategjike dhe vendosmëria e Aleancës për të mos qëndruar indiferente ndaj spastrimit etnik dhe dhunës jo vetëm e shpëtuan Kosovën, por krijuan një kornizë të re të sigurisë për të gjithë rajonin. Në sajë të kësaj ndërhyrjeje, brenda pak kohe u mundësua pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës, një histori suksesi e shtetndërtimit demokratik.

Prania e NATO-s në Kosovë nëpërmjet trupave të KFOR-it vijon të luajë edhe sot një rol të rëndësishëm në sigurinë e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Akti historik i NATO-s na kujton se nuk duhet t’i ndalim përpjekjet tona për të krijuar një rajon që rrezaton harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet.

Teksa falënderojmë ndihmën e paçmuar të Aleancës më të fuqishme të botës dhe të partnerit tonë strategjik, SHBA-së, sot përkujtojmë edhe sakrificat e kombit shqiptar, luftën heroike të UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë. Ata ndërtuan piedestalin ku u ngrit kauza e drejtë e ndërhyrjes në Kosovë. Nder përjetë heronjve të kombit!", shkruan Begaj.

 

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb