Dinamo e zhytur në krizë, që nuk fiton prej 4 ndeshjesh, do të përballet sot në orën 18:30 ndaj Partizanit të vendit të fundit. Edhe pse derbi i kryeqytetit, dihet tashmë që prej vitesh Dinamo i luan ndeshjet në ‘Elbasan Arena’, ndërsa do të vijojë pa trajnerin Ilir Daja. Të enjten komisioni i apelit hodhi poshtë kërkesën e ‘nëndetëses’ për të konvertuar pezullimin me 5 ndeshje, ndërsa përveç Dinamo ndeshje tejet të rëndësishme e ka edhe Partizani. Të kuqtë vijnë pas disfatës 0-1 me Vllazninë dhe nuk u falet më asnjë hap fals.

“Dinamo është një skuadër shumë e përgatitur taktikisht. Gjithashtu ka një trajner shumë të mirë, por edhe ata ashtu si ne janë në krizë rezultatesh. Kemi disa mungesa edhe kundër tyre, por ne në çdo ndeshje hyjmë në fushë duke menduar për ta fituar,”-u shpreh fillimisht trajneri i Partizanit Mislav Karoglan.

Merkato e janarit është afër, por te Partizani besojnë se organika që kanë në dispozicion është e duhura.

“Konfirmoj që kemi nevojë për 1 ose 2 përforcime, por në të njëjtën kohë them se kemi një grup lojtarësh mjaft të mirë. Nëse vijnë dua që të jenë lojtarë të cilët bëjnë diferencën,”-tha Karoglan.

Java e 13 e Superligës vijon të shtunën me duelet Vora-Teuta dhe Vllaznia-Laçi, ndërsa mbyllet të dielën me duelin Egnatia-Elbasani.