Sot derbi Tirana-Partizani
700 policë në gatishmëri

Sot derbi Tirana-Partizani<br />700 policë në gatishmëri
Sot në orën 18:00 në stadiumin 'Selman Stërmasi' do të zhvillohet ndeshja më e rëndësishme e javës, por edhe jo vetëm, pasi është vitrina e futbollit shqiptar, Tirana-Partizani. 

Pavarësisht pozicioneve ku ndodhen dy ekipet kanë dhuruar gjithmonë një përballje spektakolare brenda fushe dhe në shkallët e stadiumit dhe një gjë e tillë pritet edhe sot, pasi biletat kanë avulluar të gjitha.  Në përballjen e 147 mes tyre skuadrat drejtohen nga dy emra të mëdhenj Starova dhe Josa.

Para ndeshjes, trajneri i ekipit të Tiranës, Mirel Josa shprehet se nuk është një derbi mes tij dhe Starovës dhe se synim do të jetë fitorja, por skuadra nuk duhet të humbë identitetin dhe lojën që ka shfaqur në ndeshjet e fundit.

“Nuk erdha te Tirana me objektivin për të mundur thjesht Partizanin. Nëse fitojmë do të jetë një arritje e madhe. Kjo nuk është një përballje mes Josës dhe Starovës por një duel mes Tiranës dhe Partizanit. Më intereson të jemi kompaktë dhe teknikisht të mos humbasim.

Duhet të tregojmë anët pozitive që kemi shfaqur deri në këto momente dhe të korrigjojmë ato që bëmë gabim në sfidën me Kukësin. Partizani ka shumë lojtarë që më pëlqejnë, nuk bëj dot diferenca, por nuk i druhem asnjë lojtari.

Vendos loja e skuadrave, jo individualitetet, edhe pse Partizani ka lojtarë cilësorë në çdo repart. Duam fitore, por skuadra nuk duhet të humbë identitetin dhe lojën që ka shfaqur në ndeshjet e fundit”deklaroi ai. Ndërsa drejtori i klubit Partizani, Genc Tomorri para ndeshjes kërkon nga ekipi fitoren përballë Tiranës.

"Lojtarëve u themi që Tirana duhet mundur dhe nuk u tregojmë numrin e sukseseve apo barazimeve. U themi të luajnë për fanellën dhe tifozët”tha ai.  

Përsa i përket formacionit, sot dy trajnerët do të vendosin pikat mbi 'i'. Ndërsa mungesa të sigurta janë, për shkak të kartonëve bardheblutë nuk kanë të gatshëm mesfushorin Daja. Tek të kuqtë konfirmohet mungesa e Fejzullahut, ndërsa janë dyshim Batha e Vila.

Masat e policisë
Policia e Tiranës ka marrë masat për ndeshjen mes Tiranës dhe Partizanit nesër në orën 18:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Rreth 700 policë do të jenë në gatishmëri. Policia e Tiranës njofton se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore. Segmentet rrugore të bllokuara nga ora 15:00 – 21:00:

Rruga përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”, rruga “Gjin Bue Shpata”, nga kryqëzimi me Rrugën “Emin Duraku” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Sulejman Delvina”. Rruga “Emin Duraku”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek rruga përball Stadiumit “Selman Stërmasi”.

Njëra korsi e Rrugës “Sulejman Delvina”,  nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek kryqëzimi me Rrugën përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”

 Segmentet ku do të ketë kufizime lëvizje ose bllokime nga ora 15:00 – 16:00: Tifozëria e ekipit të “Tiranës”: Nisja nga Sheshi “Skënderbej”, Rruga “Ibrahim Rugova”, Bulevardi “Bajram Curri”, Rruga “Gjin Bue Shpata”, deri tek Stadiumi “Selman Stërmasi”.

Tifozeria e ekipit të “Partizanit”: Nisja nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, Sheshi “Karl Topia”, Rruga “Muhamet Gjollesha”, Rruga “Sulejman Delvina”, deri tek Stadiumi “Selman Stërmasi”.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve