Katër shkurti njihet edhe si Dita Botërore e kancerit, një ditë e rëndësishme për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me parandalimin, zbulimin dhe trajtimin.
Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se kontrolli dhe diagnostikimi i hershëm janë çelësi për një jetë më të shëndetshme.
“Ndërgjegjësimi dhe diagnostikimi i hershëm janë çelësi për një jetë më të shëndetshme. Çdo kontroll, çdo informacion i duhur dhe çdo hap drejt kujdesit të rregullt mund të bëjë ndryshimin. Parandalimi është forma më e mirë e trajtimit”, shkruan në një postim të publikuar në Facebook Ministria e Shëndetësisë.
Mjeku Euglent Hoxha thotë se një nga llojet më të përhapura është kanceri i qafës së mitrës. Ai thekon se sa më herët të zbulohet aq më të mëdha janë mundësitë e kurimit.
“Kanceri i qafës së mitrës është më i shpeshtë, sa i përket kancerit gjinekologjik. Për një periudhë të gjatë disavjeçare numri ka qenë 75-80 raste të reja në vit. Sa më herët të zbulohet aq më të mëdha janë mundësitë e kurimit dhe trajtimit”, thotë Euglent Hoxha, mjek onko-obestër-gjinekolog në QSUT.
Historia e Ditës Botërore të Kancerit
Dita Botërore e Kancerit u zyrtarizua në Samitin e parë Botëror Kundër Kancerit në vitin 2000. Ky event u mbajt në Paris dhe morën pjesë anëtarë të organizatave të kancerit dhe udhëheqës të shquar të qeverisë nga e gjithë bota.
Një dokument i titulluar ‘Statuti i Parisit Kundër Kancerit’ që përmban 10 artikuj u nënshkrua, duke përshkruar një angazhim global për të përmirësuar lehtësimin dhe cilësinë e jetës së pacientëve me kancer. Gjithashtu u theksua përparimi dhe rritja e investimeve në kërkimin, parandalimin dhe trajtimin e kancerit.
Komente








