E ardhmja e Cristiano Ronaldos te Al Nassr po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. Sulmuesi portugez, i cili po i afrohet moshës 41-vjeçare, raportohet se nuk është i kënaqur me situatën aktuale në klubin e Ligës Profesionale Saudite dhe mund të largohet që në muajin qershor.

Sipas së përditshmes portugeze 'Record', Ronaldo ndihet 'i keqtrajtuar' nga Fondi i Investimeve Publike (PIF), i cili zotëron Al Nassr së bashku me Al Hilal, Al Ittihad dhe Al Ahli. Ylli portugez beson se PIF po pengon përforcimet kyçe të Al Nassr, duke ndikuar negativisht në garën për titull, pavarësisht se skuadra ndodhet vetëm një pikë larg kreut të renditjes, ku kryeson Al Hilal.

Në këtë kontekst, Ronaldo ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si janë favorizuar klubet rivale në merkato, duke përmendur transferimin e Karim Benzemas nga Al Ittihad te Al Hilal dhe afrimin e sulmuesit Georges Ilenikhena nga Monaco te Al Ittihad, ndërsa Al Nassr u përforcua vetëm me mesfushorin irakian Abdulkareem nga Al Zauraa.

Si shenjë proteste, Ronaldo refuzoi të luante në fitoren 1-0 ndaj Al Riyadh në kampionat. Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, pas bojkotimit të asaj ndeshjeje, portugezi nuk është paraqitur as në stërvitjen e ditës së martë.

Kontrata e Ronaldos përmban një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh, e cila mund të hapë rrugën për një largim në verë. Si destinacione të mundshme përmenden Major League Soccer (MLS) ose një rikthim i bujshëm në futbollin evropian.

Pavarësisht rolit të tij të rëndësishëm në rritjen e profilit ndërkombëtar të futbollit saudit dhe statusit si ambasador për Kupën e Botës 2034 në Arabinë Saudite, Ronaldo thuhet se mendon se meriton më shumë respekt dhe mbështetje sportive.