17 nëntori shënon Ditën Botërore të Prematuritetit ose të lindjeve të parakohshme. Kjo ditë ka synim të rrisë ndërgjegjësimin për lindjet e parakohshme që përfshijnë: fatalitetet e lidhura me prematuritetin, si dhe mënyrat për t’i parandaluar ato.
Përmes një video të postuar nga Ministria e Shëndetësisë ka sjellë në vëmendje foshnjat prematurë dhe rrugëtimin e tyre drejt jetës.
"Përmes kësaj video të veçantë të SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” sjellim në vëmendje foshnjat prematurë dhe rrugëtimin e tyre drejt jetës. Mbështesim prindërit, të cilët përballen me emocione të forta dhe sfida të vazhdueshme. Falenderojmë ekipin tonë mjekësor, për kujdesin profesional, human dhe të pandalshëm. Bëjmë thirrje për ndërgjegjësim, edukim dhe mbështetje të vazhdueshme për çdo prematur",shkruhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.
Një nënë e cila ka përjetuar një situatë të tillë thotë se fillimisht ka qenë shumë e vështirë pasi është përballur me shumë sfida - veçanërisht teksa kujton kur foshnja e saj ka qenë në rrezik për jetën.
“Në fillim ka qenë shumë shokuese, nuk kisha dëgjuar dhe pse kam pasur eksperienca në aborte nuk kisha dëfgjuar për fëmijët prematur. Ka qenë shumë e vështirë kur Margi kaloi një episod me mushkritë dhe ishte në rrisk për jetën. Kemi kaluar shumë periperci që nga plazma, gjaku, oksigjeni që ishte i nevojëshëm për frymëmarrjen e saj”, tha një nënë.
“Do bënim diçka që të t’i jepnim guxim mamave që kanë fëmijët prematurë, sepse unë jam fëmijë prematur dhe jam shumë e shëndetshme”, shprehet vajza.
“Jemi krenarë për punën e mjekëve tanë, për parandalimin e fëmijëve para kohe”, thotë mjekja.
Sipas përkufizimit të përdorur gjerësisht nga OBSH-ja, çdo foshnjë e lindur para përfundimit të javës së 37-të të shtatzënisë konsiderohet lindje parakohshme.
Në përgjithësi, sa më herët të lindë një foshnjë, aq më shumë kujdes intensiv kërkon, dhe aq më shumë probleme shëndetësore mund të ketë gjatë gjithë jetës. Në vendet e pazhvilluara, shkalla e mbijetesës për foshnjat e lindura parakohe është më e ulët, se sa në vendet e zhvilluara.
Në nivel global, rreth 13 milionë foshnja lindin para kohe çdo vit. Komplikacionet e lindjeve të parakohshme janë shkaku kryesor i vdekjes tek fëmijët nën 5 vjeç. 75% e këtyre vdekjeve mund të parandaloheshin, nëse do të përdoreshin ndërhyrjet aktuale.
Komente











