ZVICËR - Dita e sotme do të jetë dita e fundit e bisedimeve në Konferencën e Paqes 'Gjeneva 2' mes delegacionit të qeverisë dhe opozitës siriane. Një konferencë e cila nuk pati një progres dhe nuk u arrit asgjë konkrete gjatë këtyre bisedimeve. Siç ka deklaruar ndërmjetësi i OKB-së Lakhdar Brahimi, të dy palëve do u duhet të fiksojnë një datë tjetër për të vijuar me bisedimet.

Brahimi u shpreh se edhe pse është trajtuar tema delikate në lidhje me terrorizmin, nuk ka pasur asnjë marrëveshje për mënyrën se si duhet trajtuar terrorizmi dhe nuk pati asnjë ndryshim konkret në pozicionet e ndërmarra nga të dy palët pjesëmarrëse. Ndërkombëtarët dhe vetë ndërmjetësi i këtyre negociatave për paqen në Siri, Brahimi, besuan deri në fund se do të kishte një ndryshim të marrëdhënieve dhe të gjendjes së krijuar. 

Por e përditshmja në Siri është e përgjakshme, ku numërohen dhjetëra të vdekur dhe sipas 'Human Rights Ëatch', mbi 130 mijë persona kanë humbur jetën gjatë këtyre tri viteve të luftës civile në Siri. Ndërkohë, sipas disa burimeve nga negociatat, fillimi i fazës së dytë të bisedimeve të 'Gjeneva 2' është vendosur të zhvillohet më 10 shkurt të këtij viti.


(v.gj/shqiptarja.com)