Programi i Edicionit të 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar vijon edhe më 8 shtator me një ditë të pasur me filma artistikë, filma të shkurtër, dokumentarë dhe aktivitete të dedikuara protagonistëve të kinematografisë shqiptare.
Dita nisi në Sallën e Madhe të Universitetit të Arteve, me filmin “Pranverë e Paharruar në Fshatin e Harruar”, me regji të Kushtrim Bekteshit. Filmi i vitit 2018, është pjesë e kategorisë së filmave të gjatë jashtë konkurrimit.
Në të njëjtën orë, në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve, shfaqet “Bolero në vilën e pleqve” me regji të Spartak Pecanit, prodhim i vitit 2022, i përfshirë në programin e filmave të gjatë të karrierës.
Ndërkohë, në Kinema “Agimi” vijon programi “Filma të Shkurtër V” qëi përfshin pesë produksione shqiptare: “Tirana 100Km”, me regji të Lorin Terezit; “Violinisti”, me regji të Saimir Bajos; “Zë”, me regji të Gentian Gjikopullit; “The Middle Road (Rruga e Mesit)”, me regji të Ardit Muhaxhirit; dhe “Regjisori”, me regji të Suela Bakos.
Programi vijon me dy shfaqje në Universitetin e Arteve. Në Sallën e Madhe rikthehet “Liqeni Im”, me regji të Gjergj Xhuvanit, ndërsa në “Black Box” shfaqet sërish “Pranverë e Paharruar në Fshatin e Harruar”.
Në Kinema “Agimi”, nga mesdita publiku mund të ndjekë reprizën e programit “Filma Dokumentarë II”, ku përfshihen “Djemtë e Kainit” (Sons of Cain), me regji të Keti Stamos, dhe “Përtej Moshës”, me regji të Enxhi Arapit.
Pasdite shfaqen dy filma artistikë në Universitetin e Arteve, “Shtatë ditë” dhe “Antologjia e Tolit”.
Ndërsa në Kinema “Agimi” vijon repriza e programit “Filma Dokumentarë III”, ku janë përfshirë “Aleksandër” (Alexander), me regji të Ardit Sadikut, “PROFESIONISTI”, me regji të Atina Laços, dhe “Çarçafët”, me regji të Evi Gjonit.
Mbrëmja vijon në orën 19:00 me “Pikë Uji”, me regji të Robert Budinës, në Sallën e Madhe të Universitetit të Arteve, ndërsa në “Black Box” shfaqet “Virgjëresha shqiptare”, me regji të Bujar Alimanit.
Në Kinema “Agimi”, në orën 19:00, nis “Programi Special IV”, i cili përfshin filmin “Film di Stato”, me regji të Roland Sejkos, dhe më pas, në orën 20:20, “The Van”, me regji të Erenik Beqirit.
Një nga aktivitetet kryesore të ditës zhvillohet në orën 19:30 në “Film Zone”, Tirana Moon. Bëhet fjalë për “Eventin Qendror: Dedikuar Akademisë Shqiptare të Filmit”, pjesë e aktiviteteve tematike të festivalit kushtuar protagonistëve të industrisë së filmit. Aktiviteti parashikon edhe rrjetëzim mes profesionistëve të kinematografisë.
Dita e gjashtë e festivalit mbyllet me shfaqjen e dy filmave artistikë në Universitetin e Arteve, që fillojnë në orën 21:00.
Në Sallën e Madhe shfaqet “Tuneli”, me regji të Ilir Harxhit, ndërsa në “Black Box” publiku mund të ndjekë “Të thyer”, me regji të Edmond Budinës.
Në Kinema “Agimi”, mbrëmja vijon me “Bllok Special Darke & Ethnophobia”, ku në orën 21:00 shfaqet “Ethnophobia” me regji të Joan Zhongës dhe në orën 21:15 “Sa kam shpirt, kam shpresë”, me regji të Esat Telitit.










Komente
Komento