Elbasani është zgjuar sot mes ritmit të muzikës, karnavaleve dhe aromës së ballokumeve tradicionale.
Fëmijë të veshur me kostume popullore me kurora lulesh në kokë kanë sjellë një spektakël plot ngjyra në sheshin “Gensher”.
Në festimet për Ditën e Verës morën pjesë qindra qytetarë, të cilët ndoqën karnavalet, koncertet, panairet e zejeve dhe bujqesise.
Në Korçë festa nisi mbremjen e 13 marsit me ndezjen e zjarreve. Qytetarët besojne se përmes ketij rituali largohet e keqja.
Gatimet tradicionale të kësaj dite janë vezët e ziera dhe të ngjyrosura, misrat, kulaçët dhe ëmbëlsirat. Simbol i rëndësishëm mbetet verorja që vendoset në dorë si fatsjellëse.
Amvisat kolonjare kanë sjellë gatimet tradicionale të zonës, duke e kthyer festën në një ekspozitë shijesh tradicionale.
Në Lezhë dhe Berat, kalatë u kthyen në arena festimesh, me këngë, valle e lojëra për të vegjit.
Në Fier dhe Sarandë, fëmijët çelën ekspozita dhe dhanë shfaqje për qytetarët.
Vlonjatët e kaluan Ditën e Verës pranë detit, duke shijuar rrezet e diellit.
Ashtu si edhe në qytetet e tjera Dita e Verës u festua në Mallakastër e Ballsh. Përgjatë bregut të liqenit të Ballshit, qytetarë të të gjitha moshave u bënë pjesë e aktiviteteve të shumta të organizuara nga bashkia, duke i dhënë festës ngjyra.
Aktivitetet nisën që në oërt e para të mëngjesit me Panairin e shkollave “Art dhe Zeje”, ku nxënësit ekspozuan punimet e tyre kreative. Festa vijoi më tej me aktivitete sportive si ndeshje volejbolli dhe gara me biçikleta.
Ekspozita e makinave retro dhe parada e motorave nga “Vespa Club”, tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve dhe vizitorëve. Mes pjesëmarrësve në garën e motorave retro ishte edhe aktori Marjus Dervishi, i cili u shpreh i emocionuar nga adrenalina dhe atmosfera festive që ofron Dita e Verës në Mallakastër.
Në këtë festë nuk munguan edhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror, mes tyre kryebashkiaku Qerim Ismailaj dhe deputeti i zonës Klevis Jahaj.
Koncerti me këngëtarë live, aktivitetet kulturore dhe gastronomia tradicionale plotësuan mozaikun e kësaj feste.
Me veshje shumëngjyrëshe dhe një pankartë të madhe në duart ku shënohet emri i shkollës, fëmijët e shkollave të Elbasanit kanë realizuar paradën e Karnavaleve në Ditën e Verës.
Turmat e qytetarëve të shumtë, siç shihen nga pamjet me dron, janë ndarë në të dy krahët e sheshit kryesor për t’iu lënë të vegjëlve hapësirën që të tregojnë veshjet e tyre. Duket sikur sot, të gjithë i janë drejtuar Elbasanit që në të vërtetë është epiqendra e festimeve, ndonëse nuk ka munguar festa as në qytetet e tjera.
Qyteti gëlon plot gjallëri në çdo cep, nga fundi e deri në krye të rrugës kryesore, me stenda e skena të veçanta të krijuara enkas për aktivitetet. Muret e vjetra rrethuese të kalasë, të veshur nga myshku, kanë secili nga një zbukurim festiv.
Dita e Verës ashtu si edhe në qytetet e tjera të vendit u festua edhe në Berat. Qindra qytetarë beratas kanë zgjedhur sheshin e kalasë për të kaluar këtë ditë festive së bashku me familjet e tyre.
Në ambientet e kalasë u zhvillua edhe një panair artizanati, ku artizanë vendas ekspozuan produktet e tyre tradicionale.
Vizitorët patën mundësi të shijojnë verëra vendase dhe ëmbëlsira tradicionale, ndërsa shumë qytetarë përcollën urimet e tyre. Edhe kryetari i bashkisë Ervin Ceca, përcolli urimet e tij për të gjithë qytetarët.
Përveç panairit qyetarët shijuan në këtë ditë edhe këngët e artistes Irma Libohova dhe performancat e artistëve të Qendrës Kulturore të qytetit.
Në zonat malore të Hasit, Dita e Verës ka ardhur si një shpërthim i natyrës, duke sjellë me vete gjelbërimin, aromën e luleve dhe ngrohtësinë e parë të pranverës. Pas ditëve të ftohta të dimrit, peizazhi ndryshon si me magji, pemët kanë çelur lulet, degët janë mbushur me jetë, ndërsa fushat janë veshur me tapetin e gjelbër që shtrihet deri në shpatet e kodrave e maleve.
Në këtë krahinë të njohur për bukurinë e saj të egër dhe natyrën e paprekur, pranvera nuk hyn ngadalë. Ajo shpërthen, duke zgjuar çdo skutë të tokës. Livadhet marrin frymë ndryshe, era sjell freski dhe zogjtë rikthejnë këngën mbi degët e pemëve të lulëzuara.
Këngë, kërcime, valle, piktura dhe lojëra të ndryshme argëtuese, kështu u festua Dita e Verës në Lezhë.
Protagonistë të festës u bënë grupe të ndryshme artistike dhe fëmijë të qendrës kulturore të qytetit, të cilët përmes performancës së tyre tërhoqën vëmendjen e shumë qytetarëve që kishin mbushur kalanë e qytetit.
Organizatorët thonë se Dita e Verës është kthyer në një traditë të bukur edhe për Lezhën, duke u festuar në mënyra të veçanta vit pas viti.
Vlora ashtu si qytetet e tjera kanë mirëpritur Ditën e Verës me një sërë aktivitetesh të ndryshme.
Teksa disa qytetarë kanë zgjedhur të festojnë në qendër të qytetit, disa të tjerë kanë zgjedhur ta kalojnë këtë ditë në breg të detit.
Siç duket edhe nga pamjet e siguruara një pjesë e qyetarëve kanë zgjedhur që këtë ta kalojnë larg zhurmave, duke shijuar rrezet e diellit, duke u larë në det dhe duke peshkuar.
Dita e Verës është festuar edhe në qytetin bregdetar të Vlorës me aktivitete të shumta.
Vogëlushët shprehen për mediat se kjo është dita më e bukur për ta.
Ndërkohë edhe qytetarët e Vlorës të cilët kanë qenë prezent në aktivitetet e organizuara shprehen se kjo ditë simbolizon ardhjen e beharit.
Jeni kuriozë të dini si e festonte Elbasani Ditën e Verës 65 vite më parë? Pamjet e veçanta të publikuara për herë të parë nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ofrojnë një vështrim të festës në kohë.
“Gëzuar Ditën e Verës nga Elbasani i vitit 1961! Piknik në natyrë, lojëra popullore dhe më shumë pranë njëri tjetrit! Xhirime të veçanta arkivore nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit që dalin për herë të parë! Po ju, si e keni festuar dikur Ditën e Verës?”, shkruhet në postimin e shpërndarë në rrjetet sociale.
Dita e Verës është është mirëpritur me një sërë aktivitetesh edhe në qytetin bregdetar të Sarandës.
Fëmijë e të rritur të mbledhur në shëtitoren e qytetit kanë krijuar një atmosferë plot gjallëri dhe ngjyra.
Ajo që bie në sy në këto aktivitete është një ekspozitë me punimet e fëmijëve, e cila sjell kreativitet dhe imagjinatë në ambientin e shëtitores.
Në aktivitetet e organizuara për fëmijë nuk kanë munguar as performancat e baletit dhe ai i pikturimit të fytyrës të vogëlushëve.
Mbrëmja e 13 marsit në qytetin e Korçës është shoqëruar me ndezjen e zjarreve tradicionale, për festën e verës, një traditë që simbolizon largimin e dimrit dhe mirëpritjen e stinës së ngrohtë.
Në lagje dhe sheshe të ndryshme të qytetit, qytetarë të të gjitha moshave janë mbledhur rreth zjarreve duke e kapërcyer atë sipas traditës, me besimin se ky ritual sjell mbarësi, shëndet dhe fat për muajt që vijnë.
Ndërkohë, në shumë familje korçare, amvisat janë angazhuar në përgatitjen e gatimeve tradicionale që shoqërojnë këtë festë. Në tryezat e tyre nuk mungojnë vezët e ziera dhe të ngjyrosura, misrat e zjerë, kulaçët dhe ëmbëlsira të ndryshme, të cilat më pas shpërndahen mes të afërmve dhe fqinjëve si shenjë bujarie dhe urimi për një stinë të mbarë.
Një tjetër simbol i rëndësishëm i kësaj feste është edhe “verorja”, byzylyku i punuar me fije të kuqe dhe të bardha që vendoset në dorë nga fëmijët dhe të rriturit, si shenjë mbrojtjeje dhe për të sjellë fat gjatë pranverës.
Në juglindje të vendit kjo traditë festohet në dy data. Dita e Verës kremtohet më 1 mars nga besimtarët ortodoksë, ndërsa më 14 mars nga besimtarët myslimanë, duke ruajtur kështu një traditë të përbashkët që përcillet brez pas brezi dhe që vazhdon të mbajë gjallë frymën e festës në qytetin e Korçës.
Që prej orëve të para të mëngjesit qindra qytetarë kanë dalë për të shijuar festat dhe aktivitetet që janë organizuar nga bashkia. Janë rreth 50 aktivitete për të gjitha grupmoshat.
Një ekran shihet në fillim të bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ për festimet që do të fokusohen te tradita shqiptare e muzikë e veshje popullore.
Aktivitete me muzikë, DJ dhe sportive, panaire me produkte artizanale, ndërsa pas orës 19:00 në zonën e Bllokut do të ketë aktivitete me muzikë elektronike.
Fëmijë të veshur ngjyra-ngjyra a me kostume tradicionale shqiptare, me kurora lulesh në kokë e shporta në duar, po mbajnë një shfaqje në qytetin e Elbasanit.
Turma njerëzish janë mbledhur në sheshin kryesor për të parë Karnavalet e shkollave të qytetit dhe për të festuar Ditën e Verës.
Mes tyre ngrenë ‘kokën’ pankartat dhe lulet shumëngjyrëshe prej letre, ndërsa muzika kumbon hareshëm. Qytetarët vijnë edhe nga qytete të tjera për të festuar dhe provuar ballokumet, ndërsa shijojnë atmosferën.
Për sot janë planifikuar disa aktivitete si parada e Karnavaleve, koncerti i fëmijëve dhe koncerti me këngëtarë në skenën kryesore të qytetit. Krasta, Krraba e Gjinari mbeten zona të preferuara për piknik.
Për të shtatin vit radhazi, qyteti i Ersekës e mirëpret Ditën e Verës me një organizim të veçantë dhe plot gjallëri nga vetë banorët. Nga qytetarët e zakonshëm, te grupet artistike dhe amvisat kolonjare, të gjithë bëhen pjesë e festës duke i dhënë sheshit një atmosferë tradicionale. Amvisat sjellin për vizitorët gatimet tipike të kësaj dite, duke e kthyer festën në një ekspozitë të shijeve të zonës.
Sipas tyre, në tryezën e Ditës së Verës nuk mund të mungojnë kulaçi, vezët e ziera, veroret dhe ëmbëlsirat e ndryshme, të cilat përgatiten sipas traditës së vjetër të Kolonjës.
“I kam trashëguar të mamave. Bëjmë verore të bardhë me pe te kuq. E vëmë në duar dhe fëmijëve. Marrim thanat. Misrat e zier me hi, i lajmë. Bëjmë kulaç, petanik, nga ato që bëjmë pastërma. Vezë të kuqe, kulaç, kush e kush nga komshinjtë të çohej më parë në mëngjes. Ishte traditë që na i kanë lënë të vjetrit”, thonë zonjat.
"Ziejmë vezë, Bëjmë kulaç, ëmbëlsira. Misra, grurë. I ndajmë në lagje, lajthi. Karamele. Portokalle, mollë etj”, shton një tjetër. " Ja shikoje, me misra, me kulaç, manushaqe, luledele, të gëzuar”, vijon një prej amvisave.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë Kolonjë thekson se aktivitetet e organizuara për këtë festë sjellin gjallëri dhe atmosferë festive në sheshin “Rilindja”.
"Sado traditë e zhurmë do ketë njerëz që thonë s’ka, njerëz por rrjetet virtuale e dinë. Dita e Verës është festë që buron jo nga komercialiteti, por festë pagane e festuar ndër shekuj mes traditave fetare dhe pagane. Uroj që shqiptaret te kenë shëndet, begati, qetësi”, uroi Isai.

Presidenti Bajram Begaj ka uruar në rrjetet sociale Ditën e Verës, si një festë që ka mbijetuar përtej shekujve. Kreu i shtetit uron gëzim, optimizëm e begati në familjet shqiptare.
“Gëzuar Ditën e Verës! Një nga festat që ka mbijetuar përtej shekujve, e lidhur ngushtë me natyrën dhe me shpirtin e popullit tonë. Sjelltë kjo festë e bukur e traditës sonë gëzim, optimizëm dhe begati në çdo familjeje shqiptare!”, shkruan presidenti.
Komente









Të shohin mirë po mirë kush ishfe festë,për kë,dhe çfarë gjallërie kishte atëhere dhe çfarë formaliteti ka sot.Trsgëti,politik dhe lajle e lule.Nuk ka hare.
PërgjigjuFesta ilire shum e bukur ska lidhje feja.
Përgjigju