Sot Dita e Verës, tradita që i reziston shekujve! Elbasani kryeqendra e festës, qytetarët mblidhen nga i gjithë vendi për të shijuar këngët dhe ballokumet

14 Marsi shënon Ditën e Verës, por festimet kanë nisur që një natë para, ku qytetarët kanë ndezur zjarrin që simbolizon djegien e dimrit dhe të këqijat dhe për të rikthyer dritën e shpresës tek njerëzit. 14 Marsi është një ditë festive e veçantë në Shqipëri, e cila nuk festohet në asnjë vend tjetër të botës.  Dita e Verës filloi të festohej masivisht në të gjithë Shqipërinë, por rrënjët i ka në qytetin e Elbasanit, në qendrën e Shqipërisë. Jo vetëm rrënjët, por dhe gjithë traditat, gatimet dhe mënyra e festimit, janë ekskluzivitet i kësaj zone. Elbasani ka meritën se ka mbajtur gjallë për shekuj këtë festë, dhe gjithë ritet e saj. Në Elbasan me mijëra qytetarë shijuan ushqimet tradicionale, koncertin e "Elita 5" dhe paradën e karnavaleve organizuar nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare e të mesme. Festimet u përqendruar në sheshin "Gensher" dhe pranë kalasë së Elbasanit, me ekspozitë fotografie dhe panaire të produkteve artizanale. Kjo festë është e mbushur me lule shumëngjyrëshe, muzikë dhe kërcime, por s'mund të mungojnë ballokumet, ëmbëlsira tradicionale e 14 Marsit.

Edhe Tirana prej vitesh e feston Ditën e Verës, ku bashkia organizoi aktivitete të ndryshme për të argëtuar qytetarët që besojnë se me festimin e kësaj date kanë larguar dimrin. Pas dy viteve pandemi, dita e Verës këtë vit solli atmosferë ndryshe në kryeqytet. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj.

Në kohën e diktaturës, ku kjo festë pothuajse u shua në gjithë Shqipërinë, në Elbasan festohej si festa më e madhe e vitit, çdo 14 mars. Kush kishte njerëz e të afërm në Elbasan, shkonte dhe festonte me ta. Festimet nisnin me vendosjen e verores në dorë, kryesisht me ngjyrat simbolike të pranverës, e kuqe dhe e bardhë ndërkohë amvisat bënin gatimet qe nisnin me byrekun me hithra, ose barishte të tjera pranverore, gatime me mish, dhe ëmbëlsira që është mbretëresha e kësaj dite: Bollokumja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:31
Dita e Verës, Veliaj me futbollistët e vegjël te Parku i Liqenit: Do vijojmë investimet për sportin dhe fëmijët në Tiranë

Sot 14 Marsi i ngjante tamam një Dite Vere. Tirana ishte e mbushur plot me aktivitete dhe mijëra qytetarë shijuan në maksimum eventet e organizuara nga Bashkia e Tiranës, të cilat tashmë janë një traditë e bukur në çdo Ditë Vere. Kryebashkiaku Erion Veliaj zgjodhi të festojë sot me futbollistët e vegjël për të cilët bashkia ka rinovuar fushat sportive në mes të parkut dhe ajrit të pastër që ofron Liqeni Artificial.

“Ta gëzojmë fushën e re, me tapet bari natyral. Sot e nisëm Ditën e Verës në një fushë të re sepse duam që në bashkëpunim me trajnerët tuaj, t’ia dedikojmë këto ambiente moshave të vogla, futbollistëve U-11 që kemi sot, apo atyre që nesër do të bëhen talentet më të mëdhenj në futboll,” tha Veliaj.

Veliaj u premtoi sportistëve të vegjël se bashkia do të vijojë investimet kudo në kryeqytet, për terrene të reja sportive, për të gjithë ata që duan të angazhohen në jetë të shëndetshme.

“Iu kam premtuar të gjitha skuadrave të Tiranës - tani që kemi edhe Shoqatën e Futbollit të Tiranës - se ashtu siç kemi bërë këtë fushë, do të bëjmë të njëjtën gjë kudo ku do të gjejmë një terren të lirë, për ta kthyer në një fushë fantastike për çunat e gocat që duan të angazhohen në jetë të shëndetshme. Unë e di se jo të gjithë do bëhen si Messi apo Ronaldo, por ajo që është e rëndësishme është se të gjithë do të bëhen qytetarë të mirë. Kush luan në skuadër e di që jeta ka humbje, por humbjet nuk zgjasin përgjithmonë. Jeta ka edhe fitore, por edhe fitoret nuk zgjasin përgjithmonë. Mbi të gjitha, ky sistem sportiv që kemi në Tiranë do na japë çuna e goca, që nesër do bëhen drejtues më të mirë, arkitektë më të mirë, inxhinierë më të mirë, doktorë më të mire, edhe prej faktit se kanë qenë sportistë që në moshë të vogël dhe kanë mësuar të luajnë në skuadër, dhe të ballafaqohen me fitore, por edhe me humbje”, tha kryebashkiaku.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë prindërit, por edhe trajnerët që kontribuojnë që fëmijët të rriten me disiplinë sportive.

“Një nga arsyet pse jemi të gjithë këtu është sepse prindërit kanë marrë vendimin që çunin ose gocën ta fusin në sport, për një jetë të shëndetshme, por edhe të jetë pjesë e një ekipi dhe të mësojë të luajë në skuadër. E vlerësojmë shumë gjithë investimin e prindërve dhe i falënderojmë jashtë mase, por ndërkohë do u japim një duartrokitje edhe të gjithë trajnerëve që punojnë me super skuadrën e futbollit për fëmijët në Bashkinë e Tiranës, sepse ndoshta futbolli i të rriturve ka më shumë vëmendje, por në qoftë se nuk do ishte përkushtimi, jo vetëm i familjeve, por edhe i një skuadre të tërë trajnerësh, që në çdo cep të Tiranës kanë angazhuar qindra çuna e goca në ekipet rinore, ne nuk do kishim suksesin që kemi sot në Tiranë,” theksoi ai.

Ora 13:16
Nga koncertet tek makinat RETRO dhe panairi me produktet vendase, Bulevardi 'Dëshmorët e Kombit' mbushet plot për Festimet për Ditën e Verës

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur plot me qytetarë të shumtë nga i gjithë vendi që kanë zgjedhur kryeqytetin për të festuar ditën e Verës.  Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh për të gjithë grupmoshat duke filluar që nga fëmijët dhe deri tek të rriturit.

Tek Kryeministria u ngjiten artistë të të gjithë zhanreve muzikorë, duke filluar nga Ansambli popullor , Filarmonia, Artistë dhe grupe të rinj, por edhe artistë të afirmuar. Skena do të elektrizohet nga Urban Band dhe do të kulmojë me këngëtaren e njohur Juliana Pasha. Ndërkaq për të apasionuarit e muzikës klasike, Filarmonia e Tiranës  do të performojë tek pedonalja “Murat Toptani”.

Makinat RETRO dhe lojërat sportive

Sheshi “Skënderbej” do të kthehet në një ambient argëtues ku do të ketë një ekspozitë të madhe nga koleksioni i makinave RETRO së bashku me automjete dhe moto të tjera epoke. Të apasionuarit pas automjeteve do të kenë mundësi të shikojnë nga afër koleksionin më të madh të makinave historike , makinave sportive dhe motorëve në një ambient festiv dhe me muzikë të zgjedhur.

Ndërsa Parku Rinia do të pushtohet nga nxënësit e 4 shkollave 9-vjeçare. Nxënësit e shkollave “F.S.Noli”,  “Hasan Tahsim”, “Servete Maçi” dhe “Shkolla e Kuqe” do të garojnë në tërheqje litari, loja me karrige, loja e kangurit me thasë, mundje dore, kaluçi me stafetë etj.

Ndërkaq, bulevardi para Galerisë Kombëtare do të shndërrohet totalisht, ku do të improvizohen fusha tenisi, basketbolli, Ping-Pongu, Taekëondo, Teqballi dhe Minikalçetoje. Gjithashtu i gjithë parku do të kthehet në një hapësirë për më të vegjlit. Animatorë, Cirku, Teatri I kukllave do të performojnë shfaqet e tyre. Fëmijët do të kenë mundësi të ndjekin shfaqe te ndryshme, face painting dhe shum aktivitete të tjera.

Një vëmendje e veçantë në 14 mars i është kushtuar dhe biznesit dhe panairit të produkteve të zonës. Kështu, hapësira në Bulevardin para Piramidës në të dy anët e saj do të ketë të pozicionuara stenda Biznesi dhe Stenda për Startup që do të shërbejnë për promovimin e produkteve. Pjesëmarrësit do te kenë mundësi të konsumojnë produkte dhe të kalojnë momente relaksi me të dashurit e tyre. Të gjithë të apasionuarit e Librave do të kenë mundësi të gjejnë librat dhe autorët e preferuar në një Panair Libri. Ndërkaq, përballë ish Hotel Dajtit

Ora 10:45
Plot ngjyra, këngë dhe ballokume, Elbasani kryeqendra e festimeve të Ditës së Verës mban gjallë traditën

Elbasani cilësohet edhe si kryeqendra e festimeve të Ditës së Verës ku aktivitetet festive dhe ëmbëlsira tradicionale ballokumja janë karakteristikë e kësaj tradite shekullore.

Në Elbasan mblidhen qytetarwt nga e gjithë Shqipëria për të festuar këtë ditë, ndërsa fëmijët sot janë veshur plot ngjyra dhe si lule pikërisht në këtë Ditë Vere.

Ora 10:11
Kryemadhi uron 14 Marsin me një video dhe këngën ‘Baresha’: Pranvera shqiptare

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka uruar të gjithë shqiptarët për 14 Marsin, përmes një videoje të shkurtër ku shfaqet natyra, ndërsa në sfond dëgjohet kënga “Baresha”.

“Pranvera shqiptare. Gëzuar dhe Mbarësi!”, shkruan ajo krah videos.

 

Ora 08:43
Sot 14 Mars, Meta: Një Verë plot shëndet dhe diell

Presidenti Ilir Meta e ka nisur mëngjesin me një urim për ditën e Verës.

“Një Verë plot shëndet dhe diell. Gëzuar!”, ndërsa e ka shoqëruar me një fotografi me simbolin traditë të kësaj periudhe, veroren.

J.GJ./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë