TIRANË- Sali Berisha, në cilësinë e ish-kryeministrit,  Lulzim Basha ish ministër i Brendshëm, dhe Ndrea Prendi ish komandat i Gardës, janë zyrtarisht të kallëzuar në SPAK për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese" dhe "shpërdorim detyre" për 21 janar.

Mazhoranca dorëzoi sot në SPAK një kallëzim me prova të reja për vrasjet e 21 janarit. Kallëzimi u dorëzua nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili ka përsëritur edhe një herë sot thirrjen në drejtim të Prokurorisë së Posaçme për të marrë urgjentisht nën administrim një audio të pretenduar që është publikuar në media dhe që thuhet se pasqyron komunikimin e ‘grupit të zjarrit’ në Gardën e Republikës pak para se të bëheshin vrasjet e 21 janarit 2011. Manja apeloi nga dikasteri që drejton, edhe pse tha se qeveria nuk i hyn diskutimit nëse kjo audio e pretenduar është autentike apo jo.

“Ka një fakt të ri që duhet të hetohet në mënyrë objektive nga SPAK. Ne nuk i hyjmë nëse prova që ka dalë është autentike apo jo por kjo i takon SPAK-ut që të hetojë dhe ta deklarojë një gjë të tillë. Ato që ndodhën më 21 janar nuk kanë asnjë justifikim. Kushdo që i justifikon ato vrasje bën një krim tjetër kundër drejtësisë. S’mund të barazohen vrasësit me protestues të lirë, njerëz me duan në xhepa. Ish-Kryeministri e ka thënë që përsëri po të isha në të njëjtat kushte do kisha marrë snajperin dhe do të kisha vrarë edhe Edi Ramën. Edhe vetëm për këtë deklaratë do të duhej të merrej i pandehur. Ne nuk e kemi pritur nga drejtësia e vjetër por tashmë SPAK”, tha Manja.

Ai inkurajoi organet e drejtësisë që të hetojnë cilin do që është përgjegjës për këtë tragjedi.

“SPAK Kompetente për hetimin e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë të shtetit të bëjë drejtësi për 21 janarin. Nuk është hetuar asnjë ditë si vrasje shtetërore. Fakti i bërë publik para pak ditësh tregon qartë se paska pasur një zinxhir komandues urdhërues për të qëlluar mbi protestuesit.  Prokuroria ta marrë këtë provë të re dhe të fillojë hetimet një orë e më para për vrasje shtetërore.

SPAK duhet t’i japë përgjigje familjarëve fillimisht por edhe të gjitha shqitarëve se ccfarë ndodhi më 21 janar 2011.  Berisha, çdo ditë për 12 vite me radhe, edhe sot ka deklaruar se protestuesit në Bulevard i vrau garda e republikës e cila sipas tij mbrojti Kryeministrinë.  Prokuroria të zbardhë përfundimisht të vërtetën. 21 janari nuk ishte një krim i rëndomtë por vrasje të pastra shtetërore. U vranë 4 qytetarë në kohën kur protesta ishte drejt përfundimit.

Tashmë ka një provë të re që duhet ta hapë 21 janarin. Edhe drejtësia që pretendohet se është bërë për 21 janarin, me vrasje nga pakujdesia. Ato  vrasje nuk mund të jenë kurrsesi vrasje nga pakujdesia nëse pranohet fakti se ka pasur komunikime nga ‘grupi i zjarrit’, kjo mbetet krim shtetëror dhe ngjarje për ta hetuar. Ne jemi në anën e drejtësisë, e kemi inkurajuar të hetojë për këdo. Nëse sot ka zyrtarë të dënuar për vepra nga më të lehtat, pse hezitohet të çohet deri në fund një ngjarje e tillë kaq e madhe. Sot do ta dorëzojmë kallëzimin në SPAK pastaj administrimi i kasetës si provë i takon këtij organi”, tha Manja.

Paraditen e sotme ishte kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, që pas mbledhjes së grupit i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që ta rihapë këtë çështeje. 

Prokuroria e Tiranës njoftoi po sot se ka nisur verifikimin e një materiali të publikuar në media ditët e fundit ku përmendet një audio përgjim i komunikimeve të Gardës së Republikës më 21 janar 2011, kur mbetën të vrarë nga plumbat e gardistëve 4 protestues të opozitës. Burime për Report Tv nga prokuroria bëjnë me dije se i është lënë detyrë Policisë së Shtetit që ta sekuestrojë materialin e përmendur. 

Të shtunën (21 janar) u bënë 12 vite nga një prej ngjarjeve që ka shënjuar më së shumti historinë e të paktën këtyre 32 viteve demokraci në Shqipëri, krimi i rëndë i 21 janarit 2011, kur u vranë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues opozitarë nga armët e punonjësve të shtetit: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Në Prokurorinë e Tiranë vijojnë hetimet për 2 nga vrasjet që ka mbetur pa autor më 21 janar, ajo e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, ndërkohë që thirrjet që çështja t'i kalojë SPAK-ut janë intensifikuar pasi duhet hetuar krimi shtetëror dhe urdhëruesit e vrasjeve. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:53
Manja kallëzoi në SPAK Berishën, Bashën dhe Prendin për 21 janarin, Braçe: Kërkohet vetëm hetim i paanshëm, Prokuroria e Tiranës mos të ndërhyjë më

1674040417_WhatsAppImage20230118at11.59.24.jpeg

Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reguar për kallëzimin që ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dorëzoi në SPAK ndaj ish kryeministrit, Sali Berisha, ish kryedemorkatit, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendit për ngjarjen e 21 janarit.

Braçe tha se pavarësisht se nevojitet kurajo nga SPAK për të kryer hetim të paanshëm, prokuroria e Tiranës nuk duhet të ndërhynte më pasi sipas tij, ka dëshmuar se nuk kishte vullnet të hetonte ngjarjen.

“E vetmja gjë që kërkohet tani është hetimi i plotë, gjithëpërfshirës, ligjor, profesional dhe i paanshëm nga SPAK. Po, duhet kurajo! Patjetër, Ndërkohë do ishte mirë që prokuroria që deri më sot ka bërë sehir të mos përzihet më. Boll! E dëshmuan që nuk kishin vullnet të bënin gjë”- shkruan Braçe në reagimin e bërë.

Ora 18:18
Nga 25 vite deri në burgim të përjetshëm, ja sa rrezikon Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi me akuzën ‘Vrasje në rrethana cilësuese’

1674494424_64001665691371xberishabasha784.jpg

Sali Berisha, Lulzim Basha dhe ish komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi janë nga sot të kallëzuar në SPAK për akuzën e rëndë të ‘vrasjes në rrethana cilësuese’ por edhe ‘të shpërdorimit të detyrës’. Por sa rrezikojnë ata të dënohen nëse do të shpalleshin fajtorë pas një hetimi të SPAK. Neni 79 i Kodit Penal parashikon për këtë akuzë nga 25 vite burg deri në burgim të përjetshëm. Në rastin e Berishës, Bashës dhe Prendit ata do të dënoheshin sipas pikës ‘dh’ të këtij neni, pra vrasje kundër dy ose më shumë personave.

Neni 79/ Vrasja në rrethana të tjera cilësuese

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001;  ndryshuar shkronja “c” me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004; shtuar nenet 79/a, 79/b, 79/c me ligjin nr. 144/2013, datë 2.5.2013;  shfuqizuar shkronja “c” me ligjin nr. 144/2013, datë 2.5.2013)

Vrasja me dashje e kryer:

a) ndaj të miturit;

b) ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;

c) shfuqizuar;

ç) ndaj kallëzuesit, dëshmitarit, të dëmtuarit ose palëve të tjera ndërgjyqëse;

d) më shumë se një herë;

dh) kundër dy ose më shumë personave;

e) në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës;

ë) në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave,

dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

Ora 17:38
DOKUMENTI/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dorëzon në SPAK kallëzimin për 21 janarin: Berisha, Basha dhe Prendi akuzohen për vrasje

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dorëzon në SPAK kallëzimin për 21 janarin. Sali Berisha, në cilësinë e ish-kryeministrit,  Lulzim Basha ish ministër i Brendshëm, dhe Ndrea Prendi ish komandat i Gardës, janë zyrtarisht të kallëzuar në SPAK për vrasje në rrethana të tjera cilësuese në 21 janar.

Kallëzimi i bërë në SPAK nga ministri i drejtësisë, Ulsi Manja
Ora 11:42
21 janari, Balla: Do depozitojmë kallëzim në SPAK, kemi prova të reja

 

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla foli pas mbledhjes së grupit dhe theksoi edhe njëherë se do të depozitojnë kallëzim në SPAK për 21 janarin. Balla tha se kanë në dorë prova të reja dhe i bëri thirrje SPAK që ta rihapë këtë çështeje.

Kam deklaruar se PS është subjekti që ka thirrur protestën e 21 janarit. Jemi palë e dëmtuar në atë ngjarje dhe në dritën e provave të reja, një prove që është një audio përgjim që është bërë publik. Bazuar në faktin që dosja penale për vrasjen e Aleks Nikës është një dosje që gjendet në Prokurorinë e Tiranës dhe vazhdojmë ta kërkojmë për të nxitur hetimin nga SPAK për ta hetuar. Në orët në vijim PS do ketë kallëzimin e vet.

Ora 10:26
PS mbledh grupin parlamentar, diskutohen denoncimi në SPAK për 21 janarin dhe çështjet e seancës të së enjtes

Partia Socialiste do të depozitojë në SAPK një kallëzim të ri për 21 janarin. Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla pas mbledhjes së grupit tha se kallëzimi do të dorëzohet brenda kësaj jave dhe se kanë në dorë prova të reja. Balla i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që ta rihapë këtë çështeje.

Në mbledhje është diskutuar edhe mbi prioritetet e qeverisë, që janë mbështetja e qytetarëve në kohën e krizës. Balla theksoi se nga muaji prill do të nisë taksimi për prodhuesit e mëdhenj të energjisë dhe më pas kjo taksë do të shkojë për mbështetjen e pensionistëve.  

Sa i përket amnistisë fiskale, Balla tha se drafti po diskutohet me ekspertët e BE-së.

“Ju e dini që drafti i amnistisë fiskale nuk ka ardhur ende në Kuvend. Sapo të vijë natyrshëm do të informoheni. Ajo nuk kalon me procedurë të përshpejtuar.  Ka pasur një konsultë me ekspertët e BE-së”, tha Balla.

Pas mbledhjes me deputetët, kreu i grupit socialist njoftoi se të enjten do të dërgohen për votim në Kuvend, ndryshimet në buxhet që parashikojnë mbështetjen e radhës financiare për qytetarët, përmes të ashtuquajturës Pakoja e Madhe për të përballuar efektet e inflacionit të shkaktuar nga lufta.