Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar tërmetin tragjjik të 26 nëntorit të vitit 2019, ku humbën jetën 51 qytetarë e mijëra mbetën të plagosur. Kreu i qeverisë, duke e cilësuar si një nga fatkeqësitë më të mëdha të vendit, shkruan se sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu marrim frymë të lehtësuar. Rama thotë se shumë banorë sot janë më mirë se para goditjes nga tërmeti i 26 nëntorit. Po ashtu, kryeministri shton se mbetet mirënjohës për të gjithë ato shtete që u solidarizuan me të goditurit nga fatkeqësia, dhe premton se do të vijojnë të punojnë për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë. Përkujtimin për tërmetin tragjik, kryeministri Rama e ka shoqëruar edhe me disa foto nga momentet pas tërmetit.
‘Mirëmëngjes! Tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu, mund të themi pa ndroje se sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu mund të marrim frymë të lehtësuar, për faktin se mijëra familje të goditura prej asaj fatkeqësie sot janë më mirë se sa përpara goditjes prej saj. Kujtoj me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur dhe mbetem mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë, që u solidarizuan nga të katër anët e vendit dhe të botës me të goditurit nga fatkeqësia, që punuan e punojnë pa pushim për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë, më të fortë, më të bukur.’- shkruan Rama.
Lajmi kryesor: