Greqia feston sot 202-vjetorin e pavarësisë nga Perandoria Osmane! Në këtë ditë, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka uruar homologun grek Konstantinos Tasoula për Festën e Pavarësisë.

Në një letër drejtuar Kryetarit të Parlamentit të Greqisë, Konstantinos Tasoulas, kryetarja Nikolla shkruan Greqia ka mirënjohjen tonë për mbështetjen e vendosur të integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu ndër të tjera, kryeparlamentarja nënvizon se Kuvendi i Shqipërisë dhe Parlamenti i Greqisë do të vijojnë të nxisin e mbështesin fuqimisht bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve dhe mes njerëzve tanë.

“Pas Pavarësisë, Greqia u zhvillua si një shtet demokratik e modern, sot anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Mes Shqipërisë dhe Greqisë vijojnë lidhjet e forta historike e njerëzore, fqinjësia e mirë, partneriteti e marrëdhëniet e shkëlqyera politike, investimet dhe bashkëpunimi i gjerë e intensiv ekonomik, tregtar, arsimor e kulturor; bashkëpunimi në forumet e organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale, për mbrojtjen e sigurisë e të paqes.

Greqia ka mirënjohjen tonë për mbështetjen e vendosur të integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor; integrimin e emigrantëve shqiptarë në ekonominë, sistemin e mirëqenies dhe shoqërinë greke; nxitjen e kontributit të tyre dhe të minoritetit grek në Shqipëri si ura miqësie mes dy vendeve.

Kuvendi i Shqipërisë dhe Parlamenti i Greqisë do të vijojnë të nxisin e mbështesin fuqimisht bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve dhe mes njerëzve tanë. Gëzuar Festën e Pavarësisë!”, shkruan Nikolla.