Sot kolosi i letërsisë shqiptare Ismail Kadare mbush 88 vjeç

Sot kolosi i letërsisë shqiptare Ismail Kadare mbush 88 vjeç

Ismail Kadare

88 vite më parë, 28 janar të vitit 1936, u lind në Gjirokastër Ismail Kadareja, shkrimtari i shquar shqiptar. Ditëlindja e Kadares nuk është një datë e shënuar vetëm për lexuesit shqiptarë që krenohen me të, por edhe për lexuesit e gjuhëve të tjera në botë, pasi letërsia e tij është përkthyer në më shumë se 45-së gjuhë. Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi dhe ka marrë dekoratën më të lartë franceze, si ‘Komandant i Legjionit të Nderit’.

Ndërsa së fundmit, në Tiranë, më 16 tetor, presidenti i Francës Emmanuel Macron nderoi Isamil Kadarenë me gradën e lartë të 'Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit'.

Në 88-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, kryeministri Edi Rama, dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja kanë uruar “kolosin e letërsisë shqiptare” përmes një video-urimi. Gonxhja ka vlerësuar Kadarenë si një nga shkrimtarët “më gjenialë bashkëkohor që me veprat e tij ka sfiduar kohën dhe ka ofruar një perspektivë mbresëlënëse”, ndërsa presidenti Bajram Begaj e evidenton si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Perëndimit.

Urimet nuk kanë munguar as nga krye bashkiaku  i Tiranës, Erion Veliaj si dhe personalitete të tjera të fushave të ndryshme nga mbarë shqiptaria, përfshirë ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn apo edhe ish-kampionin në mundje Luan Krasniqin, që ndër të tjera ka theksuar edhe kontributin e Kadaresë në mbrojtjen e çështjes kombëtare.

Kadare (lindur në Gjirokastër, më 1936) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin "Prince of Asturias Aëards" për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca. Në vitin 2005 fitoi çmimin "Man Booker International Prize" ku kishte qenë i nominuar bashkë me shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, duke përfshirë nobelistë si Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj. Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t'i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët: "Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri". Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet - çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea. “Dhënia e çmimit Lerici Pea 2010 autorit Kadare - shkruhet në motivimin e çmimit - nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohohen liritë themelore”.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Me studimin e veprës së Kadaresë janë marrë autorë të shteteve të ndryshme, të cilët kanë botuar vepra dhe studime për të në gjuhët e tyre amtare: Eric Faye dhe Jean-Paul Champseix (frëngjisht), Piet de Moor (hollandisht), Peter Morgan (anglisht), Jose Carlos Rodrigo Breto (spanisht).[nevojitet citimi] Ky i fundit e ka vlerësuar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të gjysmës së dytë të shekullit XX, dhe shkrimtarin më të rëndësishëm të shekullit XXI.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:16
Kadare mbush 88-vjeç, Begaj uron shkrimtarin: Është një urë e fortë dhe e bukur e jona me perëndimin

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka uruar shkrimtarin e madh Isamil Kadare për 88-vjetorin e tij të lindjes.

Kreu i shtetit përmes një mesazhi në rrjetet sociale shkruan se Kadare është një urë e fortë dhe e bukur e jona me perëndimin.

‘Jetë të gjatë dhe shëndet shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare! Universi i tij i mrekullueshëm letrar i përcolli Shqipërinë perëndimit, nëpërmjet Ilirisë, legjendave ballkanike, Homerit në epopetë shqipe dhe Eskilit në dramat e kohëve moderne. Kadare është një urë e fortë dhe e bukur e jona me perëndimin.’- shkruan Begaj.

Ora 10:13
Rama uron Ismail Kadarën për 88-vjetorin e lindjes: Dedikuar shqiptarit ‘Nder i Kombit’

1704906518_1c3eb1705c2d4cb7afb267e2c6e5d3c7.jpg

Kryeministri Edi Rama ka uruar shkrimtarin Isamil Kadare me rastin e 88-vjetorit të lindjes së tij. Kreu i qeverisë shqiptare ka publikura një video në rrjetet sociale, me një këngë, vargjet e të cilës janë marrë nga poezia 'Në parkun që mbuluan fletët', nga Ismail Kadare.

 

Ora 08:59
Veliaj uron 88-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë: Kolos i letërsisë shqiptare

Shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare feston sot 88-vjetorin e lindjes.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar gjeniun e letrave shqipe.

“Gëzuar ditëlindjen kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare”, shkruan Veliaj.

Shtëpia ku jetoi dhe punoi për shumë vite për të shkruar disa nga veprat e tija më të njohura letrare, Ismail Kadare është kthyer nga Bashkia Tiranë në muze. Banesa ndodhet në një prej pallateve me më tepër histori në kryeqytet në qendër të Tiranës, ku shkrimtari ka jetuar për rreth 15 vite dhe ka shkruar disa nga kryeveprat e tij.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi: Musk dhe Trump vlerësohen afërsisht njësoj nga amerikanët

Sondazhi: Musk dhe Trump vlerësohen afërsisht njësoj nga amerikanët