Një mbledhje me tensione ishte ajo e konstituimit të këshillit bashkiak të Himarës, paraditen e sotme, (27 qershor) ku brenda sallës, ishin dhe mbështetës së Fredi Belerit, ambasadorja e Greqisë, familjarë të tij dhe deputeti Vangjel Dule. Kryebashkiaku minoritar që ndodhet në qeli për blerje votash,  i dërgoi këshillit një letër duke thënë se leja për tu betuar iu refuzua qëllimisht, që kryeministri Rama sipas tij të tjetërsojë vullnetin e himariotëve.

Edhe ambasadorja e Greqisë, Konstantina Kamitsi e quajti goditje të madhe të shtetit të së drejtës dhe parimin themelor të prezumimit të pafajësisë” mungesën e Belerit sot ndërsa paralajmëroi se nëse Beleri nuk do të lejohej të ushtronte detyrën atëherë ky do të ishte një hap pas për Shqipërinë e cila synon të integrohet në BE. 

"Do të ishte regres i madh në fushën e shtetit të së drejtës të humbasë të drejtën e kryerjes së detyrës së tij një kryetar bashkie zgjedhur në mënyrë demokratike ndaj të cilit nuk rëndojnë akuza dhe nuk është gjykuar dhe dënuar. BE është mbi të gjitha komunitet parimesh që duhet ti zbatojë cdo vend që do të jetë anëtar i tij" deklaroi ambasadorja jashtë godinës së bashkisë

 Me shumicë votash në krye të këshillit u zgjodh Dhimtër Kapaj i PS. Në krah të ambasadores greke në vendin tonë, Konstantina Kamitsi, bashkëshortja, djali, vajza dhe vëllai i Fredi Belerit.  Brenda sallës së këshillit mbështetës të Belerit kërkonin lirimin e tij.

"Duhej ta lironit kryetarin! Fredi Beleri të ishte këtu!" thonë disa mbështetës të tij që ndodhen në sallën e bashkisë ku dhe po vijon të bëhet konstituimi.

Kërkuan që sallën ta lirojë administrata e Jorgo Goros, ish-kryebashkiakut të socialistëve, që me shumë gjasë do të mbajë përkohësisht detyrën në mungesë të Belerit në qeli prej 12 majit.

Ata kërkojnë që punonjësit e administratës së bashkisë Himarë të largohen. Të krijohet bashkia e re. Të dalin përjashta ata që kanë qenë të futen ata që janë votuar" thonin ata.

Konstituimin e këshillit, e ndoqi nga afër edhe kreu i PDBNJ-së, Vangjel Dule, me të njëjtin përqendrim si ditën e votimit kur kutia e fundit po ndante fituesin e bashkisë.

Zhvillimet në Himarë përbëjnë letrën e lakmuesit për të gjitha zhvillimet tek ne. Kjo ishte një njollë e zezë për demokracinë, për shtetin e se drejtës parimet dhe vlerat europiane. I është dhënë vlefshmëri nga gjykata e Faktit. Nuk ka asnjë rol këshilli bashkiak. Ishte leximi i vendimit të vlefshmërisë së mandatit. Ne do të vazhdojmë politikisht betejën tonë në të gjitha instancat brenda dha jashtë vendit' tha Dule.

Nga socialistët në sallë ishte deputeti Blendi Klosi.

Mungesën  në mbledhjen që do të vinte dorën mbi kushtetutë, Fredi Beleri, e zëvendësoi me një letër përshëndetëse anëtarëve të këshillit bashkiak dhe qytetarëve.

Teksa kritikon drejtësinë se po e pengon të marrë detyrën dhe kryeministrin Rama se po tenton të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve të Himarës, shpresën e sheh tek ndërkombëtarët.

Ju kërkoj të tregoni durim, besim në demokraci dhe në shtetin e së drejtës, në atë që mbrojtët me votën tuaj. Sepse më 14 maj fitoi Demokracia. Fitoi Himara.   Jam i sigurt se së shpejti bashkësia ndërkombëtare do të mbrojë parimet dhe vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Sepse mbi të gjitha sot një kryetar bashkie i zgjedhur në këtë pjesë të Evropës, një qytetar pjesëtar i minoritetit, u pengua të merrte detyrën. Sepse sot u konfirmua synimi i kundërshtarëve të popullit, demokracisë dhe shtetit të së drejtës" shkruan Beleri.

Jashtë ambienteve të bashkisë, mbështetës të Fredi Beleri shpalosën një banderolë të shkruar në gjuhën angleze “Liri kryebashkiakut të Himarës”. Hyrja e bashkisë u rrethua me forca të shumta policie për të shmangur përplasje të mundshme.

Nga 21 këshilltarë, me 13 vota, kryetar i këshillit u zgjodh Dhimitër Kapaj përballë Afrovita Dhimojani që mori vetëm 8 vota.

Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e Fredi Belerit për leje dalje nga paraburgimi për të marrë pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak të Himarës ku do të betohej si kryebashkiak i ri i qytetit. Shkak për rrëzimin e kërkesës për leje të posaçme, sipas gjykatës, u bë fakti se i arrestuari për korrupsion zgjedhor nuk përmbush kriteret ligjore. Referuar nenit 60 të ligjit, leje e posaçme jepet për ngjarje të rëndësishme familjare, si martesë, vdekje, apo provime shkollore të vetë të pandehurit i cili shoqërohet me policë.

Letra e plotë përshëndetëse e Fredi Belerit

'Fjala përshendetëse e Kryetarit te Bashkisë z. Dhionisios Alfred Beleri drejtuar anetarëve të Këshillit të Bashkisë së Himarës Himarë 27.06.2023. Të nderuar këshilltarë, të nderuar qytetarë të Bashkisë së Himarës, Sot, në ditën e marrjes së detyrës si kryetar i Bashkisë Himarë, megjithëse kërkova leje për të marrë pjesë dhe njëherësh përgjegjësinë që më ngarkuat me rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit 2023, ma refuzuan. Pas sulmit shpifës dhe vulgar ndaj meje nga Edi Rama në javën e fundit zgjedhore, arrestimit tim të paligjshëm dy ditë para garës zgjedhore, paraburgimit tim për 45 ditë, sot më penguan të marr detyrën duke tjetërsuar për momentin, rezultatin e zgjedhjeve. Pavarësisht kësaj, unë ende besoj në fuqinë e së vërtetës. Unë ende besoj në fuqinë e së mirës dhe virtytit. Sulmi i paprecedentë dhe 45 ditët e paraburgimit tim të padrejtë nuk e ndryshojnë besimin tim të thellë te demokracia, te të drejtat, institucionet dhe pikë së pari te qytetarët.

Besoj dhe ju ftoj të besoni dhe ju se ky kalvar nuk do të ketë kryqëzim. Shpresoj që së shpejti të gjithë të mendojnë lirshëm dhe të veprojnë me virtyt. Prandaj ju kërkoj të tregoni durim, besim në demokraci dhe në shtetin e së drejtës, në atë që mbrojtët me votën tuaj. Sepse më 14 maj fitoi Demokracia. Fitoi Himara. Dhe u jam mirënjohës atyre që treguan trimëri, por edhe mirëkuptoj ata që u nënshtruan presionit. Por ju premtoj se për mua nuk ka fitues dhe humbës. Të gjithë qytetarët e Himarës dhe unë si kryebashkiak, i pari mes të barabartëve, do të marshojmë të bashkuar për t'u bërë edhe më të fortë, duke mbrojtur Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut. Personalisht marr forcë nga forca juaj dhe duroj, si një qytetar që ka mësuar të mbrojë idetë e tij për liri, demokraci dhe në praktikë të mbrojë dhe të kujdeset për çdo njeri që vuan apo kërcënohet. Jam i sigurt se së shpejti bashkësia ndërkombëtare do të mbrojë parimet dhe vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Sepse mbi të gjitha sot një kryetar bashkie i zgjedhur në këtë pjesë të Evropës, një qytetar pjesëtar i minoritetit, u pengua të merrte detyrën. Sepse sot u konfirmua synimi i kundërshtarëve të popullit, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Dhe nga ky cep i Evropës, i drejtohem lidershipit të zgjedhur në mënyrë demokratike të Shqipërisë, Bashkimit Evropian dhe të gjitha Kombeve që i shërbejnë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U drejtohem të gjithë anëtarëve përkatës të të gjitha organizatave ndërkombëtare të cilët sipas kompetencës së tyre mbrojnë dhe ruajnë të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës, duke u kërkuar të mbrojnë jo Fredi Belerin, as pjesëtarët e minoritetit etnik 2 grek në Bashkinë e Himarës, as shumicën e qytetarëve që më zgjodhën, jo demokracinë në Shqipëri apo rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, POR, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur atë që përfaqësojnë, për të mbrojtur historinë e tyre dhe pikësëpari të ardhmen e tyre. Sepse nëse të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës do të lihen në fatin e tyre në këtë cep, atëherë vetë demokracia do të mposhtet, atëherë ata do të jenë mposhtur dhe do të jetë mposhtur morali që janë betuar të mbrojnë.

Në fund të fundit, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike është një ushtrim kolektiv dhe jo një përpjekje e njëanshme. Dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara edhe Presidenti i Evropës së Bashkuar edhe krerët e organizatave ndërkombëtare, edhe kryetari i bashkisë së Himarës, ose kryetari i çdo cepi të botës perëndimore mbrojnë të njëjtën demokraci, të njëjta të drejta të njeriut, të njëjtin shtet të së drejtës. Prandaj u kërkoj që ti kushtojnë vemëndje paraburgimit dhe aktakuzës ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës për të përmbushur misionin e tyre në mbrojtje të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Nëse këtu, si dhe në çdo cep të planetit, humbet beteja, atëherë nesër mund të humbasë edhe lufta. Por beteja do të jepet dhe do të fitohet dhe dita kur unë do të lirohem dhe do të marr detyrat që më keni caktuar, do të jetë një ditë e guximshme në histori ndryshe nga e sotmja që është turpëruese për përgjegjësit dhe zhgënjyese për ne të tjerët.’- shkruan Fredi Beleri.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:06
Fredi Beleri në burg, Vangjel Dule nga Himara: Njollë e zezë për demokracinë, ligji është Maliqi i Ramës

 

Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule nga Himara e ka cilësuar si njollë të zezë për dmeokracinë faktin që Fredi Beleri po mbahet në burg.

‘E mbajnë në burg pa ju dhënë e drejta kushtetuese për të marrë përsipër atë që i ngarkoi sovrani kreun e bashkisë së Himarës. As të lexojnë vendimin e gjykatës së Faktit për Vlorën nuk pritën. E kuptoni e shikoni dhe të gjithë bashkëqytetarët le të nxjerrin konkluzionin. Kjo ishte një njollë e zezë për demokracinë, për shtetin e se drejtës parimet dhe vlerat europiane. I është dhënë vlefshmëri nga gjykata e Faktit. Nuk ka asnjë rol këshilli bashkiak. Ishte leximi i vendimit të vlefshmërisë së mandatit. Vërtetë ka ligj thotë Rama, po unë kam ligjin tim... është Maliqi i Ramës dhe ne ligjin do ta përballojmë si Maliqi. Ne do të vazhdojmë politikisht betejën tonë në të gjitha instancat brenda dha jashtë vendit.  Demokracia, shteti i së drejtës janë në rrezik dhe po nuk e kuptuam tani nesër do të jetë vonë. Jemi në fazën e pushtimit të sovjetëve. Kontribuoni në ndërgjegjësimin e qytetarëve. Është frymëzim për të gjithë qytetarët e Himarës. Ne do t'i shkojmë deri në fund Belerit, ka fituar dhe në fund do të triumfoje. Jemi krenar që kontribuojmë për demokracinë.'- tha Dule.

Ora 15:04
Paralajmërimi i ambasadores greke nga Himara nëse Fredi Beleri humbet të drejtën e detyrës së kryetarit të bashkisë

 

Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi reagon lidhur me vendimin  GKKO-së për të mos lejuar Fredi Belerin të dalë nga qelia për të bërë betimin si kryetar i zgjedhur në bashkinë e Himarës.

“Mungesa e kryetarit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Fredi Beleri në mbledhjen e parë të këshillit  bashkiak përbën goditje të madhe në shtetin e së drejtës dhe parimin themelor të prezumimit të pafajësisë” tha ajo në një prononcim për median.

Më tej ambasadorja paralajmëroi se nëse Beleri do të humbiste të drejtën e kryerjes së detyrës do të ishte regres i madh për një vend që do të integrohet në BE.   

"Do të ishte regres i madh në fushën e shtetit të së drejtës të humbasë të drejtën e kryerjes së detyrës së tij një kryetar bashkie zgjedhur në mënyrë demokratike ndaj të cilit nuk rëndojnë akuza dhe nuk është gjykuar dhe dënuar. BE është mbi të gjitha komunitet parimesh që duhet ti zbatojë cdo vend që do të jetë anëtar i tij"

 

Ora 12:31
Fredi Beleri në burg, konstituohet këshilli bashkiak i Himarës, djali dhe gruaja e tij krah ambasadores greke

1687861416_552556564770x431.jpg

Ambasadorja greke në Tiranë po ndjek nga afër mbledhjen e këshillit bashkiak dhe konstituimin e saj.

E ndërsa Fredi Beleri ndodhet në burg pasi nuk iu dha leja për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit, në mbledhje ndodhen familjarët e tij.

Krah ambasadores greke Konstantina Kamitsi u panë djali i tij dhe bashkëshortja, ndërsa në sallë ndodhen edhe vëllai dhe vajza e Fredi Belerit.

Ora 12:11
Konstituohet këshilli bashkiak i Himarës, kryetari zgjidhet Dhimitër Kapaj i PS-së

1687856626_himara.jpg

Me 13 vota Dhimitër Kapaj, i PS-së u zgjodh kryetari i këshillit bashkiak të Himarës.

Në garë për këtë post ishin dy kandidatura. Nga 21 këshilltarë, Dhimitër Kapaj mori 13 vota ndërsa Afrovita Dhimojani 8 vota.

Ora 11:35
Konstituimi i këshillit bashkiak, mbështetësit e Belerit me banderolë në gjuhën angleze: ‘Liri kryebashkiakut të Himarës’

 

Ndërkohë që mbahet mbledhja e konsituimit të këshillit bashkiak të Himarës, jashtë ambienteve të bashkisë disa prej mbështetësve të Fredi Belerit kanë shfaqur një banderolë.

Me një shkrim në gjuhën angleze të përkthyer në shqip “Liri kryebashkiakut të Himarës”, mbështetësit e Belerit kanë vendodur banderolën në hyrje të bashkisë ku ka edhe forca policie për të siguruar mbareëvajtjen e procesit të betimit të anëtarëve të këshillit bashkiak. 

Ora 10:54
Konstituimi i Këshillit bashkiak të Himarës nis me debate, mbështetësit e Belerit: Lironi kryetarin (VIDEO)

 

U shoqërua me disa minuta tensione nisja e mbledhjes së këshillit të bashkisë Himarë ku pritet të bëhet konstituimi.  Mbështetës të Fredi Belerit kërkojnë që të dalin jashtë punonjësit aktualë të bashkisë dhe të qëndrojnë brenda vetëm mbështetësit e Belerit.

Ndërkohë kanë mbërritur i deleguari politik Blendi Klosi dhe deputetë të Vlorës. E pranishme dhe ambasadorja e Greqisë, Konstantina Kamitsi dhe kreu i PBDNJ-se, Vangjel Dule. 

Mbështetësit e Belerit thonë se ai duhej të ishte liruar dhe të ishte në sallë për të bërë betimin.