Ajo që prej 12 ditësh dëgjohet në rrugët e Tiranës, këtë të enjte hyri edhe në sallën e Parlamentit. Si një jehonë e protestës që ka nisur në Zvërnec dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër, deputetët e Partisë Demokratike u paraqitën në Kuvend me pankarta në duar.

Një pankartë u vendos në hyrjen kryesore të Kuvendit, ndërsa të tjerat kaluan brenda sallës plenare. Për më shumë se një orë e gjysmë, Kuvendi u kthye në një pasqyrë të debatit që po zhvillohet jashtë mureve të tij.

Deputetja demokrate Ina Zhupa akuzoi shumicën se situata e sotme, është pasojë e ndërhyrjeve ligjore, që prekin zonat e mbrojtura.

“Ju keni një projektligj të datës 14 maj për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura. Ishte një kërkesë e Parlamentit Evropian. Është i vetmi projektligj në kalendar që nuk ka një datë se kur do të shqyrtohet. Përgjigjjuni realitetit", tha Zhupa. 

Por nga ana tjetër, socialistët zgjodhën ironinë. Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, përdori simbolin e flamingove, tashmë të kthyer në ikonë të protestës, për të thumbuar opozitën.

"Ky ishte fiks një fjalim, një flamingo nga TEMU dhe më pëlqen shumë që keni disa ditë që ju zogjtë e bufit ju duket vetja si flamingo ose keni filluar të silleni si flamingo", tha Balla. 

Në një debat ku flamingot fluturonin në metafora dhe pankartat mbulonin tavolinat e PD-se, mesazhi politik i shumicës mbeti i pandryshuar dhe i qartë:

"Ne jemi pro investimit. Investimi do të bëhet!  Shqipëria nuk e ka luksin Shqipëria nuk e ka luksin të humbë 4 miliardë", vijoi Balla. 

Deputeti Socialist Ardit Bido nuk ua harron demokratëve heshjen në ditët e para të protestës!

"Kam vetëm 1 pyetje, në 30 maj ku ishit? Pse nuk folët? Pse heshtët? Pse nuk flisni sot për tregje oligopol që e dëmtojnë këtë vend?", tha Bido. 

Ndërkohë, Sali Berisha e konsideroi protestën si një lëvizje qytetare kundër qeverisë, duke mbështetur kërkesën për largimin e Edi Ramës. Por ai nuk komentoi thirrjet që dëgjohen çdo mbrëmje në protestë kundër të gjithë klasës politike, përfshirë edhe vetë atë.

"Prej 12 ditësh janë në një protestë epike, paqësore, me një seri kërkesash absolutisht të drejta, me të cilat nuk synojnë gjë tjetër veçse të shpëtojnë Shqipërinë nga një njeri, që konsideron shtetin dhe vendin si pronë të tij personale", u shpreh Berisha. 

Debati u ndez më tej kur në foltore u ngjit deputeti socialist Ulsi Manja.

"Protestat kundër qeverisë në të gjithë botën janë normale, por nuk ka protestë që të kërkojnë edhe dorëheqjen e liderit të opzozitës", tha Manja. 

Por përgjigjja e opozitës nuk erdhi me fjalë. Demokratët nisën të këndonin në sallë një nga sloganet që dëgjohet prej ditësh në bulevard.

Mes korit të opozitës, Ulsi Manja nuk u largua nga foltorja. Përkundrazi, për pak çaste u duk sikur po merrte rolin e dirigjentit të një koncerti politik, duke u kërkuar deputetëve të ngrinin zërin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:02
‘Zvërneci’/ Blushi në Kuvend: PS duhet të gjejë forcën për t’u shkëputur nga Edi Rama! Kryeministri dhe oligarkët po grabisin pasuritë e vendit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka deklaruar se prej 12 ditësh rrugët dhe sheshet e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë po gjëmojnë nga revolta e popullit.

Komentet Blushi i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku teksa komentoi protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, tha se largimi nga pushteti i kryeministrit Edi Rama është jetik për vendin.

Më tej Blushi tha se Partia Socialiste duhet të gjejë forcë dhe të distancohet nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij, në bashkëpunim me oligarkët, po grabisin pronat dhe pasuritë e Shqipërisë.

Fjala e Tedi Blushit në Kuvend:

Prej 12 ditësh rrugët dhe sheshet e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë po gjëmojnë nga revolta e popullit.

Kjo është rrahja e zemrës së një kombi që nuk pranon më padrejtësinë, korrupsionin, krimin, arrogancën, dhunën, gënjeshtrën, dhe përbuzjen si normalitet.

Ky është zëri i shumicës, zëri i Shqipërisë së vërtetë!

Përgjegjësia ka një emër: Edi Rama.

Ai ka mbajtur timonin dhe tepsinë për 13 vite. Ai ka pasur në dorë parlamentin, pushtetin vendor, administratën, drejtësinë.

Ai ka përdorur fuqinë e shtetit për të goditur të dobëtit dhe për të amnistuar të fortët.

Ai e shndërroi shtetin në pronë private dhe Shqipërinë në plaçkë për veten dhe oligarkët pranë tij.

Shpopullimi nuk erdhi nga opozita.

Mjerimi nuk erdhi nga opozita.

Narkoshteti nuk u ngrit nga opozita.

Korrupsioni dhe aferat mafioze nuk u prodhuan nga opozita.

Ligjin për shkatërrimin e familjes, zëvendësimit të Nënës dhe Babait me “Prindi 1” dhe “Prindi 2” dhe Shqipërinë me 72 gjini nuk e miratoi opozitar.

Të gjitha janë produkt i një superpushteti që Edi Rama përqëndroi në dorën e tij për të rrjepur, dhunuar dhe përbuzur shqiptarët.

Ndaj largimi i Edi Ramës është më shumë se kurrë jetik dhe interesi më i lartë kombëtar.

Çdo ditë kur shumica e shqiptarëve numëronte kafshatën e gojës, Edi Rama shtronte bankete me hartën e Shqipërisë, për të gllabëruar miniera, pyje, puseta nafte, male e bregdet me oligarkët e tij.

Ky është modeli mafioz i qeverisjes që opozita ka paralajmëruar dhe denoncuar prej vitesh dhe që sot është realitet.

Laguna e Zvërnecit është shndërruar në oqean revolte popullore.

Ky është shpërthimi i një populli të vjedhur, të lënduar, të përbuzur, të refuzuar.

Por pyetja nuk është çfarë do të bëjnë protestuesit. Pyetja është çfarë do të bëjë Partia Socialiste? Do të vazhdojë të mbrojë një narkoregjim autokrat, apo do të gjejë forcën për t’u shkëputur nga Edi Rama, largimi i të cilit nga pushteti është më shumë se kurrë interes kombëtar.

Shqipëria nuk i përket një partie.

Shqipëria nuk i përket një njeriu.

Shqipëria u përket shqiptarëve!

Dhe sot zëri i tyre po dëgjohet më fort se kurrë.

Liria u përket atyre që luftojnë për të dhe nga kjo luftë largohet vetëm ai që ka lindur tradhëtar.

Ora 17:44
Bido për protestat kundër resortit në Zvërnec: Të hiqen tezat që bien ndesh me interesin kombëtar

Deputeti Ardit Bido ka komentuar protestat kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, duke e cilësuar atë si një reagim qytetar me energji dhe kreativitet, por duke paralajmëruar se disa prej mesazheve të artikuluara gjatë saj mund të dëmtojnë kauzën.

"Sipas meje, ajo protestë ishte plot energji, kreative, e madhe e qytetare dhe civile. I kishte të gjitha komponentët e një proteste bashkëkohore", u shpreh Bido.

Ai theksoi se nga foltorja e protestës duhet të distancohen qëndrimet që, sipas tij, bien ndesh me interesin kombëtar.

"Ajo që është e rëndësishme është që nga kjo foltore të themi se tezat e infiltruara në protestë, që janë kundër interesit kombëtar, duhet të hiqen sa më shpejt", deklaroi deputeti.

"Si person që kam marrë pjesë në protesta dhe i dua protestat, kjo protestë ka një rrezik shumë të madh. Nëse mbetet me këto teza që janë kundër interesit kombëtar, do të dëmtojë aftësinë e shoqërisë sonë për të bërë teza reale edhe në vijim", shtoi ai.

Ora 17:03
Protesta për Zvërnecin/ Ismaili: Dikur protestuesit vriteshin në bulevard, sot protestohet me fëmijët

Ministrja e Shtetit për Marrëdhiniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, foli sot në Kuvend lidhur me protestat kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, duke deklaruar se Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht si në aspektin e lirisë për të protestuar, ashtu edhe në mbrojtjen e mjedisit.

"Nuk ka qenë e largët koha kur protestuesit vriteshin në bulevard. Jam krenare që sot ekziston siguria për të protestuar edhe me fëmijët", u shpreh Ismailaj.

Duke iu referuar debatit për projektin në Zvërnec, ministrja theksoi se situata mjedisore në zonën e Nartës ka pësuar përmirësime të ndjeshme ndër vite.

"Sot mund të themi që në Lagunën e Nartës jetojnë dhe shumohen flamingot dhe pelikanët", deklaroi ajo.

Ismailaj vuri në dukje edhe rezultatet e politikave mjedisore të viteve të fundit, duke kujtuar se dikur në ujërat e Vlorës peshkimi kryhej me dinamit.

"Reformat mjedisore... Të mos harrojmë detin e Vlorës, kur vite më parë peshkimi bëhej me dinamit. Sot, falë moratoriumit të gjuetisë, kemi specie të kthyera në vendin tonë, si foka mesdhetare, breshka e detit dhe delfinët", tha ministrja.

Ora 16:58
Vrasja e efektivit Mekolli, Lamallari: S’mund të komentoj derisa të përfundojë hetimi! Opozita: Operacioni u komandua në mënyrën më të gabuar!

Në interpelancën e thirrur nga deputetët e PD lidhur me operacionin që rezultoi në vrasjen e efektivit Enea Mekolli në krye të detyrës dhe plagosjen e Edison Adrit, ministri Besfort Lamallari refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me operacionin për shkak të vijimit të hetimeve.

Ai konfirmoi vetëm nisjen e hetimit administrativ nga Drejtoria e Policisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për të cilin nënvizoi se duhet të jetë shterues.

“Do të doja shumë të kisha një përgjigje në këtë moment, por mund t’i përgjigjem vetëm hetimit administrativ.  Ka nisur një hetim i tillë, si nga Drejtoria e Policisë, ashtu edhe AMP. Vetëm përfundimi i këtij vhetimi në mënyrë sa më të potë, shteruese, pa ndikim politik që mund tu japë përgjigje pyetjeve. Nuk mund të përfshihem me komente, derisa të përfundojë hetimi, i cili do të jetë i plotë, sepse bëhet fjalë për t’i dhënë drejtësi një efektivi që nuk është më mes nesh”, tha Lamallari.

Në kundërshtim të kësaj, Klevis Balliu i tha se autori, Violand Braçellari, ishte me rrezikshmëri të lartë, ndërsa hodhi dyshime për dekonspirim të operacionit.

“Nuk është e vërtetë që s’mund të jepni përgjigje. Çdokush nga ministrat mund të japë përgjigje. Ai ishte njeri me rrezikshmëri të lartë. Ai operacion është komanduar, urdhëruar në mënyrën më të gabuar, nga njerëz që nuk meritojnë të jenë në ato funksione që kanë sepse kanë shkuar si militantë partie, kanë shkuar atje për të promovuar shërbime politike me uniforma. Për interesa monetare është inkriminuar Policia e Shtetit”, tha Balliu.

Ora 15:27
Balla për Redi Muçin: Paraqitet si komunist, ndonëse ka përfituar nga kapitalizmi! Ka lidhje me ndërtuesit

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla replikoi në Kuvend me deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi  duke e akuzuar se paraqitet si mbrojtës i mjedisit, ndërkohë që sipas tij përfaqëson interesat e sektorit të ndërtimit.

Balla deklaroi se nuk bën zakonisht replika me deputetët e rinj, por tha se nuk mund të pranonte atë që e cilësoi si hipokrizi politike. Ai tha se Muçi vjen nga një familje që ka ndërtuar në Tiranë dhe e akuzoi se flet për mbrojtjen e natyrës, ndërsa në realitet mbron interesat e ndërtuesve.

Kreu i grupit socialist ironizoi edhe bindjet ideologjike të deputetit duke thënë se ai paraqitet si komunist, ndonëse sipas Ballës ka përfituar nga kapitalizmi. Në fjalën e tij, ai deklaroi se teoritë e Marksit kanë dështuar dhe se shqiptarët i kanë provuar pasojat e tyre për 45 vite.

“Ti je nga ata që mjedisit i ke marrë shpirtin dhe vjen këtu si zëdhënës i shoqatës së ndërtuesve”, u shpreh Balla nga foltorja e Kuvendit.

Ora 12:38
'Zvërneci', Balla ironizon opozitën: Protesta nisi për flamingot dhe bufat kanë filluar ta ndjejnë veten si flamingo!

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një deklaratë për mediat para Kuvendit komentoi edhe rreth protestës së qytetarëve për Zvërnecin. Duke ironizuar opozitën ai tha se protesta nisi për flamengot, por bufat kanë nisur ta ndjejnë veten si flamengo.

“Dje ishin më shumë se 2000 mijë veta se ishte protestë kombëtare jo lokale. Padyshim që edhe PD-ja ishte në protestë duke filluar nga Sali Lushaj te anëtarë të PD. Protesta nisi për flamingot dhe bufat kanë filluar ta ndjejnë veten si flamingo. Jam kundër çdo thirjrje antisemite, kundër diskriminmit. Sa i përket thelbit të protestës, deri kur të ketë një përfaqësi të protestës do të komentoj edhe rreth kërkesave”, tha Balla teksa shtoi se opozita  vjen në Kuvend dhe flasin në emër të protestës.

Balla u pyet edhe nga gazetarët në lidhje me deklaratat e bëra dje nga socialisti Petro Koçi, teksa ky i fundit shpërtheu dhe ndaj Belinda Ballukut. Ai e cilësoi këtë të fundit, themeluese të korrupsionit. Ndërkohë Balla tha se nuk e kishte lexuar reagimin e Koçit.

“Unë nuk e kam ndjekur deklaratën e Petros dhe refuzoj të komentoj mbi diçka që nuk e kam lexuar vetë. Megjithatë, ditë të nxehta me temperaturë dhe secili ka këndvështrime të veta. Por mendoj se PS Fierin e ka kryeqytetin e vet. E kam drejtuar qarkun. Kemi fituar gjithmonë në Fier, dhe do të vazhdojmë të fitojmë”, tha Balla.

Ora 12:21
Opozita s’pushon së kënduari, Peleshi ‘propozon’: Gjysmë ore kohë të këndoni të gjitha këngët e protestës ose vijojmë seancën

Ndërsa deputetët e opozitës vijuan me refrenin “Rama jepe dorëheqjen”, një nga parullat e njohura të protestës për Zvërnecin, kryeparlamentari Niko Peleshi u bëri një ‘propozim.’

“Ose vijojmë seancën ose ju jap gjysmë ore kohë të këndoni të gjitha këngët e protestës dhe të gjitha parullat”, u tha Peleshi.

Ora 12:10
VIDEO/ ‘Rama jepe dorëheqjen’, opozita këndon në Kuvend, Manja i dirigjon: 1, 2, 3 ngrijeni zërin!

Parrullat e protestës për Zvërnecin depërtuan deri në Kuvend kur gjatë fjalës së Ulsi Manjës, opozita nisi të këndonte “Rama, jepe dorëheqjen.”

I pashqetësuar nga kjo, kryetari i Komisionit të Ligjeve u kujtoi se protestuesit kërkojnë edhe dorëheqjen e Sali Berishës.

Ulsi Manja: Ju jeni opozita apo protesta? Nëse jeni opozita parlamentare, jeni opozita. Protesta është në shesh. Me sa kam dëgjuar, thonë larg partitë nga protesta. Ju rrini atje anash. Ky krahu këtej s’ka arsye të ulë kokën as sot, as mot, as sa do të ekzistojë Shqipëria! Ne kemi bërë kaq shumë punë të mira për Shqipërinë sa në 2013 ju as nuk i bëtë dot.

“Rama jepe dorëheqjen”, këndojnë deputetët.

Ulsi Manja: Ju bërtisni sa të doni, të kërkoni edhe dorëheqjen e Ramës, pa diskutim... unë kam minutat e mia, ju mund të vazhdoni këngën. Kur të mbaroni këngën... meqë ju kënduat një këngë që këndohet në protestë, unë po ju them një gjë: kjo protestë qytetare sigurisht që është shumë e bukur, por është normale në një demokraci të protestohet dhe të kërkohet dorëheqja e një kryeministri. Kjo protestë ka edhe një risi të bukur: kërkohet dorëheqja e liderit të opozitës, atij që zgjodhët në maj. Keni parë protestë që kur kërkon dorëheqjen e qeverisë, të kërkojë edhe të opozitës?

Deputetët e opozitës vijojnë me refrenin, kurse Manja mori situatën në dorë për të bërë dirigjentin.

"1,2, 3, 4, ngrijeni zërin! 3, 2 është refren! Shqiptarë, ja ku e keni opozitën që keni votuar më 11 maj! Ramën do ta keni deri më 2029 kryeministër dhe me votën e shqiptarëve, do të jemi edhe një mandat tjetër!", tha Manja.

Ora 11:56
Protesta për Zvërnecin, Tabaku: Shqipëria është ngritur në këmbë, forca jonë politike duhet ta dëgjojë! Qeveria të dorëhiqet

Ndërsa mori fjalën në Kuvend, Jorida Tabaku tha se protesta kundër investimeve në Zvërnec nuk është vetëm për këtë kauzë, por edhe kundër sistemit që e ka kthyer Shqipërinë në të pajetueshme.

Deputetja demokrate bëri thirrje se ata duhen dëgjuar edhe nga vetë partia që ajo i përket, ndërsa shtoi se qeveria duhet të bëjë të njëjtën gjë dhe të dorëhiqet.

“Ata sot protestojnë për një realitet, atë që kanë përjetuar vite me radhë, që ky parlament dhe PS nuk i përfaqëson më, protestojnë se nuk duan të largohen. Kam që ditën e parë që shkoj në atë protestë dhe nuk ka pasur emocion më të madh se të kesh të rinj në krah që janë kundër asaj që po ndodh sot në Shqipëri. Për 4 vite me radhë bashkë me kolegët e PD kemi kërkuar 14 shkresa për ligjin e zonave të mbrojtura, të investimeve strategjike etj për të treguar që e ardhmja e Shqipërisë është në udhëkryq, që vendimet e qeverisë po e pengojnë Shqipërinë të ecë përpara në procesin e integrimit. Sot është ngritur e gjithë Shqipëria në këmbë dhe ne duhet ta dëgjojmë, së pari ne si forcë politike dhe sigurisht që të jemi pjesë atje, por ta dëgjojë edhe qeveria me kërkesën e tyre legjitime për dorëheqje, me kërkesën e tyre legjitime për të ndryshuar Shqipërinë sot dhe ndryshimi fillon me largimin e PS”, tha Tabaku.

Ora 11:39
Investimi në Zvërnec, Berisha ndryshon fjalët: Mjedisi shqiptar po shkatërrohet në të katër anët, prioritet kërkesat e protestuesve! Mocion urgjent me debat me Ramën

Kryetari i PD, Sali Berisha, foli në Kuvend për protestën kundër investimit në Zvërnec duke i quajtur kërkesat të drejta, ndonëse më herët pati shprehur se investime të tilla janë të nevojshme. Tani, me fjalë të ndryshme nga të mëparshmet, Berisha thotë se mjedisi i mrekullueshëm shqiptar po shkatërrohet dhe trashëgimia kulturore po sulmohet.

Ai kërkoi që për këtë çështje të zhvillojë mocin me debat me kryeministrin Rama dhe çështja të jetë prioritet i parlamentit.

“Sot, shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në të katër anët e rajonit dhe të botës, kudo që ndodhen, presin nga ky parlament përgjigje të menjëhershme të kërkesave të dhjetëra mijëra dhe qindra mijëra të rinjve dhe të rejave shqiptarë, që prej 12 ditësh janë në një protestë epike, paqësore, me një seri kërkesash absolutisht të drejta, me të cilat nuk synojnë gjë tjetër veçse të shpëtojnë Shqipërinë nga një njeri, që konsideron shtetin dhe vendin si pronë të tij personale. Të shpëtojnë mjedisin shqiptar të mrekullueshëm nga natyra që po shkatërrohet në të katër anët e tij. Të shpëtojnë trashëgiminë shekullore të kombit që po pëson sulme barbare nga oligarkët, klanet dhe lobingjet e afërta të Edi Ramës. Ndaj dhe t’i lëmë mënjanë, ata janë qytetarë shqiptarë, janë para së gjithash të rinj shqiptarë, të cilët në protestën e tyre, me një gjë janë 100 përqind të sinqertë, duan që ëndrrën ta vendosin në këtë vend. Duan që me ëndrrën e tyre të bëjnë Shqipërinë. Ndaj dhe të mos merremi me asgjë tjetër, të merremi me plotësimin e kërkesave të tyre. Kërkoj urgjentisht mocion me debat me kreun tuaj. Kërkoj urgjentisht që parlamenti të ketë në axhendë të vetmen çështje, kërkesat që janë absolutisht legjitime pasi të gjitha ligjet që keni ndryshuar janë antikushtetuese. Dëgjimi i zërit të tyre është domosdoshmëri absolute, përndryshe do të jetë vonë dhe do jetë një gabim i madh historik që bëhet. Ndaj zoti kryetar, ushtro të gjithë autoritetin, distancohuni nga Edi Rama dhe ktheni axhendën e parlamentit”, tha Berisha.

Ora 11:21
Deputetja Zaka: Treni i Shqipërisë për në BE s’është ndalur! Ndani mendjen për Zvërnecin, mos e mbroni me dy standarde

1781169640_kiduinazaka.jpg

Deputetja socialiste Kiduina Zaka i tha opozitës se treni i Shqipërisë për në BE nuk është ndalur dhe do të realizojë anëtarësimin brenda 2030. Më tej, u kërkoi të mbajnë një qëndrim të qartë lidhur me investimin në Zvërnec dhe protestën kundër tij.

“Që treni i Shqipërisë për në BE është ndalur, nuk do ta shikoni as në ëndrrat tuaja më të bukura, sepse treni i Shqipërisë për në BE është në një rrugë pa kthim dhe do të realizojë ëndrrën e gjithë shqiptarëve, Shqipërinë në BE brenda 2030. Kolegë të opozitës, ndajeni mendjen se çfarë doni të bëni. Paradite dilni kundër investimit, pasdite në mbështetje të protestës. Nëse doni ta mbroni, bëjeni ashtu siç ju ka hije, jo me dy standarde”, tha Zaka.

Ora 11:16
Demokratët me pankarta pro protestës në Kuvend, Bido: Sot u kujtua PD, ku ishit me 30 maj që nuk folët?

Deputeti i Partisë Socialiste Ardit Bido i pyeti demokratët se përse nuk reaguan më 30 maj, ditën e protestës në Zvërnec, ku një qytetar u tërhoq zvarrë. Kjo pyetje e Bidos vjen në një moment kur deputetët e opozitës kanë ardhur në Kuvend me pankarta në mbështetje të protestës.

“Më dhemb teksa sot parullat që u kujtua sot PD të vendosë dhe e ekzaltuar nga heqja e non gradës. Kam vetëm 1 pyetje, në 30 maj ku ishit? Pse nuk folët? Pse heshtët? Pse nuk flisni sot për tregje oligopol që e dëmtojnë këtë vend?”, tha ndër të tjera Bido.

1781169141_pankarta.jpg

Ora 11:09
‘Ai treni i projektligjeve ka ngecur, na thoni ta shtyjmë’, Muçi akuza: Rama ka humbur besueshmërinë te ndërkombëtarët

1781168596_redimuci.jpg

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, tha në Kuvend se projektligjet për procesin e integrimit nuk po trajtohen në komisione. Me ca doza ironie, ai shtoi se e vërteta e ‘ngecjes’ së ‘trenit’, është humbja e besueshmërisë së Ramës te ndërkombëtarët.

“Ka 2 javë që në komisionet ku unë bëj pjesë janë anuluar mbledhjet dhe nuk ka asnjë nga ato projektligjet e trenit që nxitonte shumë dhe ne s’kishim kohë t’i lexonim dhe kryeministri i firmoste tëk e tëk. Na thoni që ta shtyjmë, t’i japim një dorë të ecë përpara ose pranojeni që Edi Rama e ka humbur besueshmërinë te ndërkombëtarët. Pranojeni se ky sharlatan që kemi për kryeministër, na bën që na bën neve me turp, por tani po bën me turp edhe ata europianë që dikur e puthnin në faqe. Në çfarë epoke jetoni ju sepse qarkullojnë mesazhe ku u kërkoni patronazhistëve të marrin me vete me listë edhe 15 shokë të tjerë. jeni bërë si byroja politike në kohën e Ramiz Alisë. Tani që dhëndri i Donaldit u tërhoq nga investimi i Zvërnecit, çfarë justifikimi keni për ato 4.5 miliardë dollarët e supozuar?”, tha Muçi.

Ora 10:38
‘Flamingo nga TEMU’, Balla ia bën të qartë opozitës: Kapni edhe protestën po të doni, 4 pr.ligjet tuaja do t’i rrëzojmë! Investimi në Zvërnec do të bëhet

1781166543_taulantballa.jpg

“Flamingo nga TEMU” i quajti Taulant Balla deputetët e PD duke shtuar se kanë nisur të sillen si flamingo. Shefi i grupit parlamentar socialist ia bëri të qartë opozitës se 4 projektligjet e opozitës do të rrëzohen dhe investimi në Zvërnec do të bëhet.

“Ky ishte fiks një fjalim, një flamingo nga TEMU dhe më pëlqen shumë që keni disa ditë që ju zogjtë e bufit ju duket vetja si flamingo ose keni filluar të silleni si flamingo, edhe pse me respektin më të madh, kush ju ka komanduar ju, kush ju ka autorizuar, bëni zhurmë sa të doni, kapni edhe protestën po deshët, sa u përket 4 ligjeve që keni sjellë, jemi kundër! 4 projektligjet që keni sjellë do t’i rrëzojmë ato sepse jemi votuar për ta zhvilluar Shqipërinë. Një javë më parë dolët me bufin e madh dhe thatë që jeni pro investimit. Tani, kush është qëllimi i 4 projektligjeve? Investimi do të bëhet! Shqipëria nuk e ka luksin të humbë 4 miliardë”, tha Balla.

Duke folur më tej edhe për procesin e integrimit për të cilin nënvizoi se s’kanë “as orë për të humbur”, Balla ritheksoi:

“4 projektligjet tuaja do të rrëzohen kurdo që të jetë data, projekti në Zvërnec do të vazhdojë dhe Shqipëria do të ecë përpara drejt BE”, përfundoi ai.

Ora 10:30
Protestat për Zvërnecin/ Zhupa: Parlamenti Evropian kërkon shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, Rama të japë dorëheqjen

 

Deputetja e PD Ina Zhupa tha se Kuvendi po miraton me procedurë të përshpejtuar projektligje të panevojshme ndërsa nuk futet në rend dite kërkesa e ardhur nga Parlamenti Evropian për të shfuqizuar ligjin për zonat e mbrojtura.

“E kanë trajtuar zhvillimin me konceptin: kur do Rama, kë do Rama, ku do Rama, si do Rama. Kjo nuk është as Siria evropiane me të cilën keni bërë fushatën dhe as Shqipëria që duan shqiptarët. Ju keni një projektligj të datës 14 maj për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura. Ishte një kërkesë e Parlamentit Evropian. Është i vetmi projektligj në kalendar që nuk ka një datë se kur do të shqyrtohet.

Është një nga kërkesat e protestuesve për të mbrojtur zonat e mbrojtura, trashëgiminë natyrore dhe kulturore. Miratoni kalendar për gjëra të pavlera. Përgjigjjuni realitetit. Realiteti kërkon dorëheqjen e Edi Ramës, kërkon një qeveri tranzitore, një parlament që miraton shfuqizimin e ligjeve kundër interesit publik”, tha Zhupa.

Ora 09:52
VIDEO/ ‘Kur rinia çohet, qeveria rrëzohet’, deputetët e PD shkojnë në Kuvend me pankarta

Deputetë të Partisë Demokratike kanë shkuar në Parlament me pankarta me vete. Ata kanë ngjitur në xhamin e derës kryesore të Kuvendit një pankartë ku shkruhet “Kur rinia çohet, qeveria rrëzohet”.

Pankartat vijnë nga protestat që po zhvillohen tashmë prej 11 ditësh në Tiranë e qytete të tjera për të kundërshtuar projektin në Zvërnec e mandej duke vazhduar me kërkesën për dorëheqje të qeverisë.