Kuvend/ Arrestimi i Dakos përplas Berishën me PS-në! Balla: Ti Sali do vazhdosh t'i hash atë që s’thuhet PS-së! Irritohet Noka: Të përjashtohet nga seanca

TIRANË- Kuvendi është përfshirë nga debate mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe socialistëve dhe shkak për këtë është bërë arrestimi i ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako.

Berisha tha hodhi akuza në drejtim të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku tha se Gjushi i Tiranës ka jo një por dhjetëra pallate kate mbi kate e kalon pa iu futur ferra në këmbë.

Përgjigjen e mori nga kryetari i grupit parlamentar në PS, Taulant Balla, i cili tha se sa të jetë gjallë Berisha do të merret me PS-së dhe do të vazhdojë që ‘ti hajë atë që nuk thuhet’. Sipas Ballës Berisha Berisha s’ka si të marrë për gojë Dakon i cili ka shpërdoruar detyrën, për një leje pallati, kur ky (Berisha) ka vrarë duke shpërdoruar detyrën.

Në lidhje me gjuhën e ashpër të Ballës, Flamur Noka, nga Rithemelimi i ka kërkuar Nikollës, përjashtimin nga seanca parlamentare.

Po ashtu në Kuvend, u diskutua edhe shkrija e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Deputetët e opozitës thirrën një interpelancë me ministren e Arsimit, Evis Kushi, e cila shpjegoi shkrijen e ASA mes replikash me deputeten Ina Zhupa.

Në fjalën e saj deputetja demokrate Ina Zhupa u shpreh se shkrirja e Studimeve Albanologjike është bërë për t’i plotësuar dëshirat politike Skënder Gjinushit. Zhupa tha se me vendimin e qeverisë shkelen liritë akademike

Në kundërpërgjigje të saj, ministrja e Arsimit u shpreh se akademikët nuk po hidhen në rrugë.

"Në këto foto, Evis Kushi në takim me senatin e akademisë së studimeve albanologjike. I gjeni në FB të gjitha vlerësimet e saj për këtë akademi. Në këtë foto keni ish-ministrin e fundit të Diktaturës. Viti 1997, Skënder Gjinushi kur priste studentët. Ndryshe nga Kushi që e lavdëronte Akademinë, Gjinushi nuk e fshehu kurrë dëshirën për ta shkrirë. Ju bëtë një VKM për t’i plotësuar dëshirat Gjinushit, duke shkelur ligjin dhe duke e shkrirë Akademisë Albanologjike. Bëni një VKM duke shkelur Kushtetutën, sepse shkelni autonominë dhe lirinë akademike", tha Zhupa. 

"Dua ta nis me një thirrje, veçanërisht me ju zonja Zhupa. Shpesh herë jeni drejtuar me fyerje drejt Akademisë së Shkencave. Si mund të fyhet një institucion nga inati personal që keni me Gjinushin. Deklarata juaj “ish politikanë të dalë në pension nën tutelën e Gjinushit’ është fyerje e rëndë. Nuk bëhet fjalë as për zhdukje dhe as shkrirje, vendimi parashikon bashkim. Do e ngremë në një nivel të ri. Merrni shkresat që i jam drejtuar në dhjetor të 2021 Akademisë së Studimeve Albanologjike që të riorganizohet në përputhje me ligjin. Ne jemi institucion që bëjmë ligje dhe të justifikojmë shkeljen e ligjit?! Një akademi duhet të ketë  një fakultet, sipas ligjit… Nuk e ka! Prej 8 vitesh nuk është regjistruar asnjë student. Është vetë institucioni që aplikon për mbylljen e institucionit, por nuk e kanë bërë. Kanë doktorantë prej vitesh dhe nuk po i  çojnë drejt finalizimit", tha Kushi. 

Këshilli i Ministrave, ka vendosur shkrirjen e institutit të Akademisë së Studimeve Albanalogjike dhe transferimin e saj te Akademia e Shkencave. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se një vendim i tillë ishte i domosdoshëm për rritjen e nivelit të kërkimit shkencor, duke theksuar se ASA si institucion nuk ishte i akredituar ndërsa prej 8 vitesh nuk kishte regjistruar asnjë student.

Vendimi u përshëndet nga Akademia e Shkencave. Ndërsa në një deklaratë, senati i ASA-s tha se vendimi i Këshillit të Ministrave është tërësisht politik, duke e konsideruar si dëm shumë të madh për kërkimin shkencor si dhe për marrëveshjet ndërkombëtare të firmosura me institucionet e huaja.

Pas një seance që zgjati thuajse 10 orë, Kuvendi miratoi me 74 vota pro, ndryshimet e propozuara nga qeveria në ligjin për “Policinë e Burgjeve”,  i cili synon të japi zgjidhje vakancave në punësimin në këtë sektorë dhe rregullon ndarjen e gradave.  Po ashtu me 72 vota pro, ligjëvënësit i dhanë dritën jeshile heqjet e taksës së importit të produkit hirrë dhe krem qumësht, duke marrë në konsideratë dhe kërkesat e fermerëve. Po ashtu me 73 pro, kuvendi miratoi dhe ndryshime ligjore që detyrojnë Bashkitë që tepricat e buxhetit e faktit në fund të vitit 30% të alkoohet për huat e prapambetura.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:32
Miratohen ndryshimet në 3 projektligjet për ‘Taksat Kombëtare’, ‘Policinë e Burgjeve’ dhe ‘Financat Vetëqeverisjen Vendore’

1686244874_votime.jpg

Kuvendi ka miratuar ndryshimet në 3 projektligje. Për ‘Taksat Kombëtare’, projektligji mori 72 vota pro dhe 13 kundër. Kështu ligjëvënësit i dhanë dritën jeshile heqjet e taksës së importit të produkit hirrë dhe krem qumësht, duke marrë në konsideratë dhe kërkesat e fermerëve..

Për Policinë e Burgjeve i cili synon të japi zgjidhje vakancave në punësimin në këtë sektorë dhe rregullon ndarjen e gradave, mori 74 vota pro, 5 abstenim dhe asnjë kundër . Ndërsa me 73 pro, 7 abstenim, 0 kundër, kuvendi miratoi dhe ndryshime ligjore që detyrojnë Bashkitë që tepricat e buxhetit e faktit në fund të vitit 30% të alkoohet për huat e prapambetura.

Ora 19:19
Deputetët e opozitës hynë të ndarë sot në parlament, vetëm Tabaku e Bardhi shfaqen pranë njëri-tjetrit

 

Në seancën plenare të ditës së sotme, u vu re se të gjithë deputetët e opozitës hynë një nga një në Kuvend. Dy ish liderët e opozitës, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha duket se futen njëri pas tjetrit por vetëm.

Ndërsa ajo që vihet re është se Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi shfaqen të buzëqeshur krah njëri-tjetrit.

Ora 18:29
Noka: Dako dilte blinte vota, por e shiti babloku! Manja: Thuaj Saliut të mos mërzitet se prej moshës së thyer do e njoftoj 10 ditë para

 

Deputeti Flamur Noka akuzoi qeverinë Edi Rama dhe ministrin Ulsi Manja se kanë shantazhuar qytetarët në zgjedhjet e 14 majit që t’i votojnë. Po ashtu tha se krimet elektorale nuk do të harrohen dhe paralajmëroi Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manjën që të bëjë kujdes nga shitja. Një koment e pati edhe për arrestimin e Vangjush Dakos.

“E ka thënë ky i juaji, s’keni parë gjë akoma. Ju i shndërroni në kamikazë njerëzit e lirë. Mbajini kriminelët elektoralë, por mos harroni se çdo gjë do të paguhet. Ministri bën terror në Lac, në Mamurras, në Fushë Kuqe, ja pra ja, kjo është fytyra e rilindjes, kjo është farsa. Edhe 5 personalitet te hajrit që ka pasur po i ikin, pse po i ikin se po i trajtoni si qen. O do bëhesh kamikaz i rilindjes ose nuk ke punë. Prisni se ka thënë ky që nuk keni parë gjë akoma.  Asgjë nuk do të kalojë, janë në pushtet dhe fryhen si gjela, edhe Gjushi ketë bënte dilte blinte vota, shantazhonte, por e shiti babloku, Ulsi bëj kujdes nga shitja”, tha Noka.

Një përgjigje ndaj tij e kishte Ulsi Manja duke i thënë se të shkojë të bëjë kallëzim para organeve të drejtësisë për çdo akuzë që ka. Manja tha se të mos shqetësohet për Dakon se Sali Berishën do e njoftojë 10 ditë para nëse SPAK vendos urdhër arrest ndaj tij.

“Flamur thuaj Saliut të mos mërzitet për Dakon se do ta njoftoj një javë para. Për shkak të moshës së thyer do i them 10 ditë fare, do e konsumoj dhe një herë atë vepër penale… Meqë më akuzoi se kisha dekonspiruar sekretin, do ta konsumoj dhe një akuzë tjetër dhe do ta njoftoj një javë më para.

Për ju, vjedhje votash dhe krim elektoral ka patur vetëm atje ku ka fituar PS. Flamur humbe këtë radhë se s’ju duan qytetarët, nuk është faji im ky. Keni qenë dhe ju dikur si ish ministër dhe jemi si nata me ditën unë me ty tek raporti me ligjin e drejtësinë.

Në shpatullat e mia nuk rëndojnë jetë njerëzish. Gara mbaroi, përballoni me dinjitet humbjen ndërsa nëse ke raste se Ulsi Manja në cilësinë e drejtuesit politik dhe ministrit, je i lutur të çosh kallëzimin në organet kompetente. Pallavra këtu është mësuar ky milet se e keni bërë zakon. Shko çojë dhe jam i gatshëm që të shkoj të përgjigjem sa herë të më kërkojnë organet ligjzbatuese. Ju jepni opinionet he kur shkoni atje thoni janë opinione politike. Dhe sa për votën në burgje, edhe për këtë do të jap përgjigje publikisht.

Një nga standardet e mia në drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë falë një ekipi dhe skuadre jemi kujdesur t’ju garantojmë të drejtën e votës të paraburgosurve e të dënuarve se janë banorë rezident që i ka dënuar drejtësia, jo qeveria. Drejtoria e përgjithshme e burgjeve në respektim dhe komunikim të vazhdueshëm ka garantuar të drejtën e votës dhe jemi krenar pse e kemi garantuar këtë standard. Burgjet tona, sot për fat kanë monitorim të brendshëm e të jashtëm.

Për ty bota fillon e mbaron te Saliu. Je i lutur, së bashku me të gjithë kolegët e deputetët e këtij parlamenti, shko e vizito institucionet dhe pyesni të paraburgosurit e të dënuarit si kanë votuar dhe a kanë qenë të lirë të cojnë votën atje ku duan”, tha Manja

Ora 16:32
Berisha flet për arrestimin e Dakos, i kthehet Balla: Ti s’ke prapanicë të dalësh para prokurorëve! Ke vrarë duke shpërdoruar detyrën

 

Sali Berisha ka sulmuar SPAK-un gjatë seancës së sotme plenare duke e quajtur si drejtësi me regji nga Edi Rama, ndërsa është shprehur se si Vangjush Dako duhet të arrestohet edhe Erjon Veliaj. Ndaj tij ka reaguar Taulant Balla, i cili i ka përmendur Berishës disa prej aferave më të mëdha korruptive qindra-miliona dollarëshe për të cilat socialistët e kanë akuzuar vazhdimisht si vrasjet më 21 janar dhe afera e CEZ.

"Ironia më e madhe e kësaj foltore dhe kësaj salle që të thotë Berisha “drejtësia vonon, por nuk harron”. Që Berisha të marrë nëpër gojë edhe Dakon se ka shpërdoruar detyrën për një leje pallati, kur drejtësia bëri punën vet, mirë është që ta bëjë njësoj për të gjithë.

Berisha ka vrarë duke shpërdorur detyrën. Unë nuk e di se çfarë bën Prokuroria e Tiranës, me qenë se atje mbahet peng dosja e vrasjes së Aleks Nikës, që sipas Prokurorisë, vrasja nuk ka autor. Berisha ka dalë në këtë foltore dhe ka thënë që e kam vrarë unë dhe kam dhënë urdhër që të qëllohet.

Të vijë këtu Berisha dhe të marrë nëpër gojë njerëz që sot janë para drejtësisë dhe të thotë se sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë e arrestuar për rryshfet, por që ky të vijë këtu dhe ndërkohë që ngre akuza dhe në orën 11 duhet të ishte përballë meje dhe përballë gjyqtares sepse e kam paditur në GJKKO për shpifje, padi penale, ky nuk vjen aty.

Ky bën gjithçka e madje edhe komplekson dhe SPAK-un. Ky po e thirrën një ditë në SPAK, ky nuk shkon, do të bëjë të sëmurin. Ky këllqe dhe prapanicë që të shkojë para prokurorëve, ky nuk e ka. Ky është një i vdekur që vazhdon dhe ec në këmbë dhe fundi më ekzemplar i gjithë kësaj fjale – flet ky në emër të drejtësisë së SHBA, ky që SHBA e kanë shpallur “non grata” për SHBA për korrupsion të nivelit të lartë dhe minim të demokracisë dhe po ashtu Britania e Madhe ia ka dhënë me fakte dhe me emra. Nuk e di se çfarë pret drejtësia në këtë vend.

Po këtë historinë e 408 milionë Eurove të privatizimit të OSSHE-së që ata që e shitën nuk kishin përcaktuar vlerën sa kushton. Sa është shitur kompania? Ky Kuvend me vendimin e vet, ka përcaktuar se nën dirigjimin e Berishës, shteti shqiptar ka humbur 408 milionë Euro.

Berisha ka shpërdorur detyrën me pasojë vrasjen e protestuesve më 21 Janar. Vjen ky edhe thotë që Vangjush Dako paska shpërdorur detyrën për një leje palllati para 12 vjetësh, po ky që e ka shpërdorur detyrën për vrasje shtetërore?

Erdhi ky individ për të mbajtur gojën se e di unë se çfarë meriton ky dhe tha “hajdutët e kësaj pjese”. Ti Sali, kësaj pjese do të vazhdosh të ja hash gjithmonë sa herë të jep mundësia sepse ti këtij krahu i vjen anash. Kësaj ane i vjen anash ti Sali dhe këta që të vijnë nga mbrapa", tha Balla. 

Ora 15:45
U përplas me Berishën, Noka kërkon përjashtimin e Ballës nga seanca: Përdori zhargon vulgu ordiner

 

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka ka kërkuar përjashtimin nga seanca parlamentare të deputetit të PS Taulant Ballës, pas deklaratave që ky i fundit bëri në adresë të Sali Berishës. 

Noka i kërkoi kryeparlamentares Lindita Nikolla që të marrë masa për gjuhën e përdorur nga deputeti Balla.

“Ju jeni edhe deputete e Kuvendit, jeni edhe një zonjë, jeni edhe një nënë, tashmë jeni bërë edhe gjyshe, nuk besoj që jeni shurdh. Të paktën kështu kam informacion. Fjala e përdorur nga parafolësi është një zhargon i vulgut ordiner të rrugës, nuk është fjalë që mund të përdoret në këtë kuvend. Ndërhyni dhe merrni masa. Kërkoj të përjashtohet urgjentisht si halabak ordiner parafolësi. Gjuha e rrugës nuk mund të jetë gjuhë që të prevalojë këtu në Parlament”, ths Noka.

Ora 15:45
Braçe: Presioni që vjen nga politika nuk lejon të bëhet drejtësi! Politikanë të zhytur deri në fyt me kallëzime, bëjnë paradë

 

Deputeti i PS, Erion Braçe duke folur për Reformën në Drejtësi dhe për arrestimin e ish-zyrtarëve të lartë tha se presioni që vjen nga politika është tepër i madh dhe pengon organet e drejtësisë për të bërë punën e tyre.

Ai tha se ka politikanë ndaj të cilëve ka numër të madh kallëzimesh dhe shtoi se akuzat e tyre ndaj organeve të drejtësisë janë thjesht ‘paradë’.

“Nga këtu buron kultura e marrëdhënieve me institucionet. Që pas reformës në drejtësi kam vendosur mos të flas këtu për vendimet e gjyqësorit në respekt të institucioneve të drejtësisë. Me atë reformë u dhamë mundësinë prokurorëve dhe gjyqtarëve që të veprojnë, ndërsa politikanët vetëm të dëgjojnë. Parada e politikanëve të zhytur deri në fyt nuk u bën nder organeve të drejtësisë. Presioni që vjen nga politika nuk lejon të bëhet drejtësi. Nëse ka pasur një pyetje që mund të ishte pyetje e pamundur por që u bë në komisionin e ligjeve, nëse do vazhdojë kjo këngë patjetër që nuk do ketë drejtësi”- u shpreh Braçe.

Ora 15:37
Balla-Berishës: Ti Sali do vazhdosh (sa të jesh gjallë) ti hash atë që s’thuhet Partisë Socialiste

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla nga foltorja e Parlamentit i bëri thirrje Drejtësisë së re të hetojë korrupsionin e non-gratës Sali Berisha.

‘Ti Sali do vazhdosh (sa të jesh gjallë) t’i hashë atë që s’thuhet Partisë Socialiste. Ironia më e madhe e kësaj foltoreje është që të vijë Sali Berisha dhe të thotë se drejtësia vonon por nuk harron, që Sali Berisha të marrë nëpër gojë edhe Vangjush Dakon i cili ka shpërdoruar detyrën për një leje pallati kur ky ka vrarë duke shpërdoruar detyrën. Unë nuk e di se çfarë bën Prokuroria e Tiranës duke qenë se atje mbahet peng dosja e Aleks Nikës dhe në dosje thuhet se është një vrasje pa autor, kur vetë Sali Berisha ka thënë në këtë foltore por edhe nëpër studio televizive që e ka vrarë ai, ka thënë vetë që ka qenë ai që ka dhënë urdhër që të qëllohet.

Ky është një i vdekur që vijon të ecë në këmbë, flet ky në emër të drejtësisë amerikane, që e ka shpallur me vulë e firmë që është non grata për ta, për çfarë? Për korrupsion të nivelit të lartë e minim të demokracisë. Nuk e di çfarë pret drejtësia jonë. Britania e akuzon me emra, Damir Fazlliç, flet ky për sekretaren, po për privatizimin e OSSH, sot nuk ka njeri as në qeverinë tonë që thotë sa është shitur, se nën dirigjimin e Sali Berishës shteti ka humbur 400 e ca milionë euro. Dosja është në prokurori, cilën nuk e di se ka humbur durimi. Dhe “Gërdeci” mbani mend si raportonte ministri te i biri i Sali Berishës, Aldo Bumçi. Dhe për 21 janarin, ka shpërdoruar detyrën me pasojë vrasjen… dhe tani vjen e flet për Dakon që ka shpërdoruar detyrën për 1 leje ndërtimi, para 12 vjetësh.' - tha Balla.

Ora 15:29
Berisha akuza Veliajt: Gjushi burgoset për një pallat, por ky Gjushi i Tiranës që ka jo një, por dhjetëra pallate kate mbi kate

 

Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit ka hedhur akuza në drejtim të kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Berisha tha se Gjushi i Tiranës ka jo një por dhjetëra pallate kate mbi kate e kalon pa iu futur ferra në këmbë.

‘Gjushi arrestohet dhe burgoset për një tender, me meritë të plotë i arrestuar, për një pallat me meritë të plotë. Po ky Gjushi i Tiranës, i cili mashtron ka vjedhur faturat e 1 mln fidanëve, çfarë pëson ky. Çfarë flasim këtu për diskriminim. Gjushi burgoset për një pallat, se janë shtuar disa kate dhe e meriton plotësisht, por ky Gjushi i Tiranës që ka jo një por dhjetëra pallate kate mbi kate. Kalon pa hy ferra në këmbë. Gjushi, ky kriminel elektoral që meriton vetëm për atë, çdo dënim, dënohet për një tender se e ka shumëfishuar shumën. 

Po Gjushi i Tiranës që u vjedh qytetarëve të Tiranës, për ndërmarrjen e tij dhe të Edi Ramës, në çdo ton plehra nga 11 euro që është në kontratë, 29 euro, u vjedh 18 euro. Ky shtron darka, dreka, pritje, përcjellje. Ky është vendi i diskriminimeve më të tmerrshme.  Punonjësja e shëndetësisë që mori 30 mijë euro ryshfet, meriton plotësisht dënimin. Por shefja e saj, që me vjedhjet në dhjetëra tendera është shkak madhor i 20 mijë jetëve të humbur nga vettingu.

A e dini ju se KLSH-ja prej muajsh e muajsh, i ka dorëzuar zonjës që nuk është këtu, edhe mirë bën që ikin, se kur më rrinë këtu mbrapa shpinës, nxijnë fare, prishin peizazhin.  Pra, e vërteta, ja mbyll Edi Rama, ja ka dorëzuar skapit, por skapin e programon Edi Rama, është aktakuzë më dirigjencë, me regji. KLSH-ja e ka gjetur zonjën abuzive më shkallën më ekstreme, por e mbron Edi Rama.’- u shpreh Berisha.

Ora 14:08
Berisha akuza Manjës: Nxore sekretin hetimor për arrestimin e Dakos! Ministri: Shumë shpejt do të përballesh me drejtësinë

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manjën janë përplasur në Kuvend e shkak për këtë është bërë arrestimi i ish-kryebashkiakut socialist Vangjush Dako nga SPAK. Berisha hodhi akuza ndaj Manjës për të cilin u shpreh se ka dekonspiruar sekretin hetimor për arrestimin e Dakos.

‘Prit se do të kthehem edhe ty tani. Se ti vendin e ke te Gjushi. Se je ti që njoftove Gjushin katër ditë përpara, dhe dekonspirove dhe tani i thonë SKAP-it, kush ta nxori sekretin? Ulsi Manja e nxori sekretin. Se ky është njeriu i pazareve të Edi Ramës. Ky merr përsipër të gjitha pazaret. Kush ia tha Gjushit? Ti ia the. I gjithë Durrësi flet për ty, ke nxjerrë sekretin. Se je ti një lloj Jagoje, që ke vetëm veten shok, dhe mos më ndërpri të lutem shumë. Ky është komisioneri i shitjes së të dhënave, figura zyrtare më qesharake e planetit, që pretendon se ka një ligj dhe zbaton një ligj dhe që ligji, jo një dy, por i thyhet 1 milion herë, dhe ligji shkelmohet për të ndihmuar së pari armiqtë e Shqipërisë, duke nxjerrë në shesh të gjithë organigramën dhe të dhënat e Shërbimit Informativ Kombëtar.’- u shpreh Berisha.

Nga ana tjetër, Manja tha se Berisha ka frikë pasi do të përballet me drejtësinë e re.

‘Unë edhe ti do të shkojmë para drejtësisë, ti do të shkosh para meje. Mezi e pres këtë ditë. Unë për këtë ditë kam pritur. Shoh që sot më i shqetësuar je ti sesa unë për këtë drejtësinë e re. Sa herë të dal me ty në shesh të Mejdanit që qytetarët të zgjedhin ty ose mua, do të të mund gjithnjë.’- u shpreh Manja.

Ora 11:09
Kushi: Nuk po i hedhim në rrugë profesorët e Albanologjisë, Akademia e Shkencave, institucion që na bën krenarë

 

Në replikë me deputeten Ina Zhupa sot në Kuvend. ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se Akademia e Studimeve Albanalogjike institucionalisht dështoi të sillet në rrugë ligjore dhe mohoi se profesorët po hidhen në rrugë.

“Kryetari i Akademisë së Shkencave është plotësisht legjitim. Akademia e Shkencave është institucioni që na bën krenar.

Nuk flitet për shkrirje por bashkim. Si me një të rënë të lapsit e mbyllni? Ja ku ka shkresat. Unë personalisht në qershor 2021 i jam drejtuar akademisë së studimeve të riorganizohet në përputhje me ligjin. por asnjëherë nuk kanë pranuar të riorganizohen sipas ligjit. Të justifikojmë shkeljen e ligjit? Nuk ka student. Nuk është regjistruar asnjë student për 8 vite. Zero.

 Nuk po i hedhim në rrugë por po garantojmë transferimi në instucione të larta që kanë programe të ngjashme. Gjithçka transferohet, asgjë nuk hidhet në erë. Këta 100 studiues do të ngrihen në nivel të ri.  E thoni vazhdimisht i keni bërë nder Gjinushit,  sikur Gjinushi do ta marrë në shtëpi Akademinë" tha Kushi.

Ora 10:50
Shkrirja e Akademisë së Studimeve Albanologjike, Zhupa interpelancë me Ministren e Arsimit: Po e bëni për t’i plotësuar dëshirat Gjinushit! Shkelen liritë akademike

 

Deputetja Demokrate Ina Zhupa në fjalën e saj në Kuvend tha se shkrirja e Studimeve Albanologjike është bërë për t’i plotësuar dëshirat politike Skënder Gjinushit. Zhupa u shpreh se me vendimin e qeverisë shkelen liritë akademike.

‘Bëtë një VKM për ti plotësuar dëshirat politike Skënder Gjinushit! Po i ktheni Studimet Albanologjike në vasalë të Akademisë së shkencave. Ju bëni një VKM ku prishni Akademinë e studimeve Albanologjike ku shkelni ligjet e vendimet e GJK-së pasi shkelni liritë akademike. Ju shkelni një institucione që është pjesë e konferencës së rektorëve dhe e fusni brenda akademisë së shkencave duke i shkelur lirinë akademike. 15 vite në atë Akademi kanë ndryshuar projektet që ata po punojnë sot. Si e zgjidhni ju duke i bërë vasalë të Skëndër Gjinushit.’- tha Zhupa.

Në fjalën e saj Zhupa tha se urdhri për të shkrirë Akademinë e Shkencave është një urdhër politik dhe i pabazuar një pjesën juridike.

‘Ju çoni një ekip vlerësimi me një metodologji vlerësimi dhe i thoni që nuk i plotësoni këto kritere. Vetë Akademia ka 30% formim dhe 70% kërkim shkencor. Ju keni bërë një mungesë të vlerësimit të punës aty. Ju thoni nuk ka akreditim. Keni ndërprerë një proces, ata sot janë në një proces akreditimi. Skënder Gjinushi e ka kthyer në një çerdhe të qokave, të ish-politikave në PS-së. Nuk janë të gjithë akademikët pro! Nuk mund të jenë pro modelit sovjetik. Keni zbatuar një urdhër politik, pasi është i pabazuar në pjesën juridike.’- tha Zhupa.

SI.E.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Shtohen telashet te Arsenal, Mikel Arteta: Saka mungon gjatë

Shtohen telashet te Arsenal, Mikel Arteta: Saka mungon gjatë