Kuvend/ Zgjatet afati për investimet strategjike, Rithemelimi me zhurmues në sallë: Votimi pa kuorum! Spiropali: Ejani të flasim, mjaft e mbajtët peng

TIRANË- Seanca e sotme parlamentare ishte më e gjatë e mbajtur mes kaosit në këto 4 muaj të aksionit që rithemelimi ka nisur në Kuvend. Ndonëse mes zhurmueseve, pankartave dhe bllokimit të foltores, projekt-ligjet, kaluan në 30 minuta vetëm me votat e mazhorancës socialiste, mes tyre zgjatjja e afatit deri në fund të 2024-ës për investimet strategjike.

Përplasjet e para nisën mes Gazment Bardhit dhe drejtueses së seancës Ermonela Felaj, e cila u akuzua se po kalonte ligjet në shkelje të rregullores, pasi në parlament mungonte kuorumi.

Në nisje të punimeve, prezencën  në sallë e konfirmuan vetëm 68  deputetë socialistë, ndërsa kuorumi i nevojshëm për miratimin e ligjeve, sipas rregullores do të duhet të ishte 71, pra më shumë se gjysma e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

"Në një seancë ku edhe pse sipas rregullores nuk kishte kuorum për votim. Që të hapet procesi i votimit duhet të kenë votuar pro 71 deputetë. Deklarohet që janë 68 por kjo nuk e ndal vrullin për të miratuar ligjin për investimet strategjike që është në interes të një grushti oligarkësh", tha Bardhi.

E pavarësisht kaosit, dhe pretendimeve të opozitës për pavlefshmërinë e votimit , mazhoranca nuk kurseu as thirrjet për bashkëpunim. Zëri i socialistëve këtë herë ishte, Elisa SPiropali, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

"Ka ardhur koha që ti gjejmë dy fjalë të përbashkëta. Ejani në Konferencën e Kryetarëve të biem dakord për objektet, ejani në komisionin e Reformës Zgjedhore dhe sillni propozime përmbajtësore, por mos e merrni peng këtë ditë që nuk është e jona për e mësuesve", tha Spiropali. 

Por thirrja e Spiropalit, nuk kurseu zemërimin e një prej deputetëve të rithemelimit Petrit Doda, I cili iu afrua foltores duke e goditur me grushte. Lulet dhe atmosfera disi më festive për shkak të festave 7-8 marsit nuk e zbutën as qëndrimin e zonjave deputeteve. Lulen e dhuruar nga kuvendi, Deputetja e rithemelimit Elda Hoti refuzoi ta mbante duke ia hedhur ministres Kumbaro.

Pas përfundimit të seancës, opozita hodhi akuza kundrejt ligjit për investime strategjike duke thënë se po i shërben vetëm oligarkëve. Gazment Bardhi i bëri thirrje presidentit të mos-dekretojë ligjet e miratuara në seancën pa kuorum.

"Sot ishte përfaqësuesja e 5 oligarkëve që përfitojnë nga ligji i investimeve strategjike dhe 3 grupeve kriminale që përfitojnë nga ky ligj", tha Gazment Bardhi. 

"Një ligj korruptiv, një ligj i cili ka pajisur me leje investitorë të cilët kanë qenë pjesë e afërt e kësaj qeverie, klientë të kësaj qeverie", tha Arbi Agalliu. 

Edhe ligjin për turizmin, i miratuar këtë të enjte në parlament, për të formalizuar ata që akomodimin e kanë biznes gjatë gjithë vitit, opozita e quan metodë për të gjobitur bizneset.

Në seancën e së enjtes u kaluan po ashtu ligjet për burimet ujore, ai për mbrojtjen e konkurrencës, si dhe një ndryshim në ligjin për arsimin profesional i cili mundëson kualifikime dhe marrëveshje bashkëpunimi me institucione arsimi ndërkombëtare për një punësim më të shpejtë të të rinjve

Në seancë nuk morën pjesë 4 deputetët e përjashtuar të Rithemelimit, Flamur Noka, Bledjon Nallbati,  Saimir Korreshi dhe Edi Paloka. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:40
Zgjatja e afatit për Ligjin e Investimeve Strategjike, Tabaku: Vetëm zonat e mbrojtura kishin mbetur pa u zaptuar

Deputetja Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje për zgjatjen e afatit të Ligjit për Investimet Strategjike nga Kuvendi ditën e sotme. Tabaku shprehet se kemi të bëjmë me një ligj klientelist dhe abuziv, që ka sjellë dëmin më të madh në ekonominë e vendit.

'Për herë të pestë parlamenti I Shqipërisë shtyu për herë të pestë Ligjin e Investimeve Strategjike, që të gjithë e njohin, e kanë pranuar që është ligji më korruptiv i 30 viteve të fundit. Ligji nga 9 vite do të zbatohet për 10 vite. Kush janë rezultatet e këtij ligji? Në 44 vendime të KIS 75% e tyre janë në fushën e turizmit. Kur pyeta pak ditë më parë se çfarë ka mbetur pa u dhënë në investimet strategjike, sigurisht që përgjigja ishte e qartë; kanë mbetur pa u zaptuar Zonat e Mbrojtura.

Askush deri më sot nuk ka bërë një analizë; sa investime ka sjellë Ligji Investimeve Strategjike? Sa prej tyre janë të huaja? Sa kanë punësuar? Kush është rezultati i zbatimit të ligjit që nga 9 vite e bëjmë 10? Përgjigja është e qartë; Ligji përpos se klientelist! Abuziv! Përpos se ligj i korruptuar! Është ligj që ka sjellë dëmin më të madh në ekonominë e vendit. duke mbyllur tregun, duke ndryshuar modelin ekonomik.

Por a është e ardhmja që duam të ndërtojmë ne për Shqipërinë? A është ligji sistemi i modelit ekonomik që duam të ndërtojmë? A është ky ligj reflektim i garës dhe meritokracisë në ekonomi? Një përgjigje që dihet që është jo!', ka qenë reagimi i deputetes Tabaku në rrjete sociale.

 

Ora 16:38
PS negociata me Bardhin për të ndalur kaosin? Report Tv mëson për bisedimet, mund të pranohen disa komisione hetimore

1709826000_17098071181233.jpeg

Deklarata e Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, e cila ftonte deputetët të drejtuar në Kuvend nga Gazment Bardhi për të gjetur dakordësi, riktheu vëmendjen te thirrjet e vazhdueshme për dialog që janë bërë shpesh-herë për të kthyer në normalitet Kuvendin.

Burime për gazetaren e Report Tv Daniela Maloku bëjnë me dije se prej disa ditësh Partia Socialiste dhe Gazment Bardhi po negociojnë për t’u ulur e për të biseduar për kërkesat me të cilat grupi i Rithemelimit kushtëzon normalitetin e jetës parlamentare.

Sipas burimeve, PS mund të pranojë disa prej komisioneve parlamentare të kërkuara prej opozitës dhe që janë 1 prej 3 kërkesave të bëra nga deputetët e drejtuar nga Gazment Bardhi.

Negociatat janë nxitur edhe nga faktori ndërkombëtar, që prej muajsh i kërkon opozitës e maxhorancës të gjejnë rrugën e dialogut për të kthyer funksionalitetin e plotë në parlament.

Sa i takon dy kërkesave të tjera, që Bardhi parashtron prej 5 muajsh në parlament, është ajo për t’u njohur si kryetar i grupit, të cilën maxhoranca ndonëse e ka lënë pa përgjigje, e ka pranuar, pasi fton atë si kryetar të grupit në mbledhjet e konferencës së kryetarëve apo në aktivitet e tjera parlamentare.

Më e vështira për t’u plotësuar është kërkesa që lidhet me bashkë-drejtimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku punën socialistët e vijojnë me Enkelejd Alibeajn e PD zyrtare ndërsa nuk kanë pranuar kërkesën e grupit të Rithemelimit për të zëvendësuar Alibeajn me Bylykbashin e Rithemelimit.

Ora 16:07
Miratimi i ligjit për investimet strategjike, Rithemelimi letër Nikollës: Nuk kishte kuorum, votimi të deklarohet i pavlefshëm

1709805041_bardhi.jpg

Grupi parlamentar i PD-së së Rithemelimit i ka kërkuar kryetares së Kuvendit deklarimin e pavlefshëm të votimit në seancën e sotme plenare ku u miratuan 5 projektligje mes tyre edhe ai i Investimeve Strategjike. 

Shkresa e firmosur nga Gazment Bardhi i është dërguar për dijeni edhe presidentit Bajram Begaj.

Një prej argumenteve në bazë të të cilit kërkohet deklarimin e pavlefshëm të votimit, është mungesa e kuorumit minimal të deputetëve që duhet të ishin të pranishëm në Kuvend.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Ora 13:06
FOTOT: Kryemadhi e Vasili shohin diçka në telefon, rikthehet Tabaku, çfarë nuk u pa sot në Kuvend

Ndërsa deputetët e Rithemelimit, vijuan edhe këtë të enjte me zhurmues dhe përplasje fizike në Kuvend, aleatët e tyre qëndronin të qetë në karriget e tyre.

Asnjë prej tyre në fakt, që prej nisjes së marrëzisë në Kuvend nga kamikazët e Berishës, nuk iu është bashkuar.

Mediu, Duka e Dule qëndronin më vete, ndërsa Monika Kryemadhi me Petrit Vasilin diçka shikonin në telefon.

Këtë seancën në Kuvend është rikthyer edhe Jorida Tabaku, e cila prej kohësh kërkon t’i jepet fund kësaj shfaqje të shëmtuar, në mënyrë që të zhvillohen rregullisht seancat, me debate dhe llogaridhënie.

Ora 13:05
FOTO/ Buqeta me lule për deputetet dhe ministret! Çfarë nuk u pa nga seanca plenare

 

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot, ndërsa u përsëriti skenari i bllokimit nga Rithemelimi.

Në 32 minuta seancë, pati edhe disa momenti që nuk u ‘kapën’ nga kamerat.

Deputetet dhe ministret morën buqeta me lule sot në seancën plenare, me rastin e 8 marsit, Ditës së Gruas.

Ora 11:15
Shtyrja e ligjit për investimet strategjike, PD: Korruptiv, pajis me leje investitorë të afërt të qeverisë

 

Deputeti i Partisë Demokratike Arbi Agalliu e ka cilësuar si korruptiv ligjin për investimet strategjike. Agalliu tha se ky ligj pajis me leje investitorët të cilët kanë qenë pjesë e afërt e kësaj qeverie.

‘Doja të ridenoncoja për të disatën herë  faktin e projektligjit lidhur me investimet strategjike. Fatkeqësisht në seancën plenare sot, sikurse e dini tashmë rreth disa muaj nuk po lejohet që të ketë një diskutim normal për arsye të cilat dihen. Partia Demokratike ka mbajtur qëndrimet e veta, por ajo që duhet ta theksojmë, atë që ne kemi përmendur në vijushmëri është problematika me ligjin e investimeve strategjike. Një ligj korruptiv, një ligj i cili ka pajisur me leje investitorë të cilët kanë qenë pjesë e afërt e kësaj qeverie, klientë të kësaj qeverie. Në kaq e kaq vite janë 40, 44 leje të dhëna nga 88 aplikime, të tjerat janë ende në proces. Dhe kjo qeveri kërkoi deri para kësaj seancë që ta zgjaste afatin e investimeve strategjike deri në 2027-ën dhe të riste vlerën nga 5 milionë në 50 milionë dhe 100 milionë. Deklaratat që PD ka bërë, oponenca që jemi munduar të bëjmë në këto hapësira që na lejon situata besoj që ka qenë e mjaftueshme nuk do të thoja, por ka qenë maksimumi i aktivitetit në këto kushte. Qeveria sot ka bërë një hap mbrapa, duke tërhequr disa nga elementët siç është shuma e investimit apo zgjatja deri në 2027. Por në mënyrë të pakuptimtë vijon dhe zgjat afatin deri në 2024-ën. Prap jashtë çdo lloj konteksti ekonomik dhe jashtë çdo lloj konteksti normale logjike duke ditur që sot SPAK ka nën hetim dhe të akuzuar lidhur me investimet strategjike individ të cilët janë pjesë të qeverisë ose janë afër saj.’- tha Agalliu.

Deputeti i PD-së u ndal edhe tek ndryshimet mbi ligjin për turizmit. Sipas Agalliut, qeveria po detyron bizneset të vendosi impiante për përpunimin ujërave të zeza, ndërkohë që duhet ti kryente vet këto investime.

‘Element tjetër që doja të evidentoja është fakti me, unë do ta quaja gjobë të gjithë bizneseve që janë bregdetare apo buzë liqeneve duke i detyruar të vendosin impjante për përpunimin e ujërave të zeza, impiante që kushtojnë nga 25 mijë deri në 100 mijë euro. Ndërkohë që qeveria do të duhet të jetë ajo për të kryer investime të cilat risin efiçencën e turizmit, ulin ndotjet në dete dhe në liqene dhe nuk mund t’ia faturojnë këtë barë biznesit duke iu thënë që nëse deri në fillimin e sezonit nuk vendosen impiante, do të gjobiten me një vlerë taksative 15 mijë euro dhe do të shkojë deri në heqjen e liçencës.’- tha Agalliu.

Ora 11:00
VIDEO/ Deputeti i Rithemelimit i bie foltores me grushte dhe shkon drejt ministrave, ndalohet nga garda

Deputeti i Rithemelimit, Petrit Doda, ka shkuar në mes të sallës së Kuvendit në momentin që ministrja Elisa Spiropali mori fjalën dhe ka goditur disa herë me grushte foltoren.

Teksa Spirpoali po i bënte thirrje opozitës që ti japin fund ksnearit të bllokimit dhe të ulen në diskutime, ai iu është drejtuar me tone të larta dhe të acaruara ministrave të qeverisë, duke shkuar drejt tyre. Por deputeti Petrit Doda është ndaluar nga Garda.

Spiropali: Hera e parë që marr faljen në këto katër muaj të këtij teatri. Dua t’iu them diçka shumë miqësisht. Sot është 7 marsi, vetëm një koment.

Po qetësohu more qetësohu....

Desha të bej një urim për mësuesit e Shqipërisë, besoj edhe në emrin tuaj...

Po qetësohuni more çke

Ndërsa nënkryetarja Ermonela Felaj, i tha: “Zoti deputet t’i nuk i çirresh dot asnjë gruaje, asnjë vajze ditën e sotme. Është për turpin tuaj kjo që po bëni”.

Ora 10:55
Ligji për investimet strategjike, Bardhi: I shërben 5 oligarkëve! Votimi i pavlefshëm, prezent 68 deputetë

 

Gazment Bardhi, nënkryetar i Rithemelimit, thotë se nga ligji për investimet startegjike përfitojnë vetëm 5 oligarkë, dhe 3 grupe kriminale. Sipas Bardhi, votimi nuk quhet i vlefshëm pa dalë rezultati, pasi në sallë për prezencë u tha se ishin 68 deputetë dhe që të nisë votimi duhen 71 deputetë.

‘Më pëlqen që jeni të lumtur. Në një seancë ku edhe pse sipas rregullores nuk kishte kuorum për votim. Që të hapet procesi i votimit duhet ë kenë votuar pro 71 deputetë. Deklarohet që janë 68 por kjo nuk e ndal vrullin për të miratuar ligjin për investimet strategjike që është në interes të një grushti oligarkësh. Sot ishte përfaqësuesja e 5 oligarkëve që përfitojnë nga ligji i investimeve strategjike dhe 3 grupeve kriminale që përfitojnë nga ky ligj, është e rëndësishme për opozitën që parlamenti ti kthehet normalitetit. Dua të deklaroj që sipas rregullores dhe kushtetutës asnjë nga aktet ligjore që kaloi në seancë pa u shpallur votimi nuk quhet i vlefshëm.’- tha Bardhi.

Ora 10:55
Ligji për investimet strategjike, Shehaj akuza dy ish-ministrave: U futën me xhepa bosh në politikë, e po ndërtojnë rezorte në jug

 

Deputeti Agron Shehaj tha se shtyrja e ligjit për investimet strategjike u bë në interes të mazhorancës socialiste, pasi ish-ministrat po ndërtojnë rezorte në jug të vendit.

‘Kemi raste konkrete se si nëpërmjet ligjeve të aprovuara nga parlamenti, Gjiknuri po ndërton këtë resortin këtu. Kjo është ajo pika e vogël që fliste ministria e Kulturës, që është pjesë e parkut kombëtar të Butrintit. Qeveria e Hoqi nga parku dhe ia dha Gjiknurit. Ishte një perlë tani shiko se çfarë po ndërtohet. Ky është plazhi i Dhërmiut ku ish-ministrja e cila hyri me xhepat bosh në politike, për ndërton këtë resort.

Këta kanë vetëm një qëllim  të kapin çdo gjë që ka vlerë në  bregdetin e vendit dhe të ndërtojnë për veten  e tyre dhe familjet e tyre. Po ndërtohet një rezort kjo është arsyeja se pse u kalua ligji për investimet strategjike. Duan të kapin çdo gjë që ka vlerë në bregdetin shqiptar. Merr pronat e qytetarëve të thjeshtë dhe i përvetëson. Pika e vogël është një perlë aty ku po ndërtohet.’- tha Shehaj.

Ora 10:47
Spiropali thirrje opozitës: Mjaft e mbajtët peng Kuvendin, eja të flasim! Sillni propozimet për Reformën Zgjedhore

 

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i ka bërë thirrje opozitës që të mos vijojë me skenarin e bllokimit dhe të mos marrë më peng Kuvendin. Spiropali i ftoi që te gjejnë një gjuhë të përbashkët, të paraqiten në Konferencën e Kryetarëve, si edhe një ftesë e pati që të sjellin propozimet e tyre për Reformën Zgjedhore.

“Hera e parë që marr faljen në këto katër muaj të këtij teatri. Dua t’iu them diçka shumë miqësisht. Sot është 7 marsi, vetëm një koment.

Po qetësohu more qetësohu....

Desha të bej një urim për mësuesit e Shqipërisë, besoj edhe në emrin tuaj...

Po qetësohuni more çkeni.

Besoj mësuesit na kanë mësuar që kur flet dikush nuk ja marrin fjalët tjerët, nuk bëhet zhurmë, s’ka bilbila. Ka ardhur koha që ti gjejmë dy fjalë të përbashkëta. Ejani në Konferencën e Kryetarëve të biem dakord për objektet, ejani në komisionin e Reformës Zgjedhore dhe sillni propozime përmbajtësore, por mos e merrni peng këtë ditë që nuk është e jona për e mësuesve. Gjithë fëmijëve të Shqipërisë po i jepni sot shembull të shëmtuar. Jemi shumë afër që të gjejmë një zgjidhje. Partinë  e bashkuat, udhëheqësit janë bashkë, jeni të fortë e të gatshëm, vazhdoni para dhe zgjidhja është shumë e thjeshtë”, tha Spiropali.

Ora 10:34
68 deputetë prezent në sallë, Gazment Bardhi-Ermonela Felajt: Po kryen votim pa kuorum

 

Gazment Bardhi ka akuzuar nënkryetaren e Kuvendit, Ermonela Felaj se po kryen votime ka kuorumin e nevojshëm.

‘Në sallë janë 68 deputetë. Po kryen votim pa kuorum. Kuorumi i nevojshëm për çeljen e votimit 71 vota’- tha Bardhi

Ora 10:17
Rithemelimi vijon kaosin në Kuvend, Felaj u kërkon ndryshim skenari: Sjellja juaj duhet të ndryshonte për 7 Marsin dhe 8 Marsin

 

Rithemelimi ka vijuar kaosin në Kuvend, ndërsa nënkryetarja Ermonela Felaj u ka kërkuar që të ndryshojnë sjelljen në respekt të festës së Mësuesit sot dhe të Gruas nesër.

‘Në emër të Kuvendit uronim të gjithë mësuesit edukatorët dhe pedagogët. Shqiptarët nuk kanë në axhendë atë që ne kemi në axhendë por dy ditë të shënuara. Sjellja juaj sot do të duhet të ndryshonte në varësi të dy ditëve të rëndësishëm siç është festa e Mësuesit dhe e Gruas.’- thotë Felaj.

SI.E./G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • edi: 08/03/2024 08:14

    Per ju komentuesit patronazhiste Vilson, mergimtari dhe Linda qe mer dhe kjo rroge te veçante a nuk me thoni nje rast kur eshte marre mendimi i opozites edhe kur ka qene ne parlament ? Po sikur kjo inisjative te ishte e opozites dhe mazhoranca ta rrezonte me vote ju si do pergjigjeshit ?

    Përgjigju
  • Linda: 07/03/2024 15:00

    Keta te klanit Berisha e ushtrojn me rradhe dhunen ne parlament marrin rroge te vecant per keto veorime te turpshme! Sot ata ben perpjepkjen me te ulet per te dhunuar kete dite kaq historike qe u mbajt gjall nga gjithe brezat qe nga 1887! Tradhetaret e kombit qe u shiten te Greqia e duan vendin pa histori pa parlament pa drejtesi e duan vetem te djegur dhe shkaterruar!

    Përgjigju
  • mergimtari: 07/03/2024 13:58

    Zoterinj si mund te ndalet grykesia e pozites kur ju opozita me zhurmen qe beni po u hapni rrugen qe ata me forcen e kartonit te bejne c'te duan.Vazhdoni ne kete rruge duke braktisur kuvendin(djegiae mandateve),bojkotimi i Kuvendit dhe se fundmi zhurme pa objekt.Keni humbur te drejten te flisni ne emer te popullit dhe elektoratit qe ju ka votuar.

    Përgjigju
  • vilson: 07/03/2024 11:25

    Ne opozite kane mbetur vetem shpellaret NON GRATA,kjo eshte fatkeqesi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!