Sot në orën 10:00 Kuvendi do të mbajë seancën plenare ku në rendin e ditës është një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin, lidhur me emërimet në polici si dhe situatën e kriminalitetit në radhët e saj. 

Marrja e detyrës së kryepolicit nga Skënder Hita pritet të jetë kryefjalë e përballjes së deputetëve në seancë.

Më pas Lamallari do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetit Arjan Ndoja, si dhe deputetit Erald Kapri.

Në rend të ditës është edhe interpelanca e kërkuar nga Jorida Tabaku me kryeministrin Rama lidhur me koorporatën shqiptare të Investimeve, por do të mbetet për t’u parë nëse shefi i qeverisë do të jetë vetë në sallë, apo do ta delegojë.

Në seancë pritet të miratohen edhe anëtarët e Bordit të Autoritetit të Konkurrencës. Propozimet e PS janë Denar Biba dhe Eldian Balla. Gjithashtu me propozim të Këshillit të Ministrave pritet të zgjidhet Diana Dervishi, anëtare e Këshillit Drejtues të AKEP.

Axhenda e plotë:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 2.4.2026, ora 10:00.  

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 30.3.2026.

2. Njoftime.

3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

4. Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga deputetja Jorida Tabaku.

5. Seancë pyetje - përgjigje me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga deputeti Arian Ndoja.

6. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga deputeti Erald Kapri.

7. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Singaporit mbi Ligjin e Markave Tregtare, bërë në Singapor, më 27 mars 2006".

8. Projektligji "Për ratifikimin e vendimit nr.1/2025 të Komitetit të Përbashkët, i krijuar nga marrëveshja e tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, për ndryshimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, duke zëvendësuar protokollin II të saj, në lidhje me përcaktimin e konceptit të "produkteve origjinuese” dhe metodave të bashkëpunimit administrativ".

9. Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Najrobit për Mbrojtjen e Simbolit Olimpik, bërë në Najrobi, më 26 shtator 1981".

10. Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.58/2022 "Për krijimin, organizimin dhe funksionimin parqeve teknologjike dhe shkencore"".

11. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, datë 17.06.2019,“Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, të ndryshuar".

12. Projektvendimi "Për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës".

13.  Projektvendimi "Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare".

14.  Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 61/2025, “Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar".

15.  Projektvendimi "Për një ndryshim në vendimin nr. 64/2025, "Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit", i ndryshuar".

16.  Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III.  Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV.  Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.