Interpelanca/ Ministrja e Shëndetësisë: Do të vendosim pasaportë vaksinimi për të hyrë në lokale dhe në shërbime të tjera! Shehu: E mbushët vendin me vaksina të pasigurta, si ruse e kineze

Ashtu si vendet e Europës , edhe Shqipëria do të vendos 'green pass’ për t’u futur në lokale apo marrë shërbime të tjera, thënë ndryshe qytetarët duhet të kenë certifikatë vaksinimi në të kundërt nuk mund të hyjnë në bare-restorante apo dhe në shërbime të tjera. Kjo u bë me dje nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë interpelancës të thirrur nga deputeti demokrat Tritan Shehu.

Deputeti i PD-së Tritan Shehu gjatë interpelancës së tij me ministren e Shëndetësisë, tha se në vendin tonë po përdoren vaksina të pasigurta, siç është ajo ruse dhe kineze. Por ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu hodhi poshtë deklaratat e tij dhe theksoi se të gjitha vaksinat që përdoren në vendin tonë janë të aprovuara nga OBSH.

Tritan Shehu tha se qeveria ka fshehur vdekjet si pasojë e Covid në vend dhe se Shqipëria mban numri i vdekjeve është ndër më të lartët në botë, por i është përgjigjur menjëherë ministrja Manastirliu duke i thënë që të ndalë dezinformimin që e ka nisur që prej 18 muajsh nga divani dhe facebook, ndërkohë që kolegët e tij luftonin nga fronti i luftës.

lligji 'për bashkëqeverisjen', që u bë shkak për jo pak debate në Kuvend, u miratua me 73 vota pro, ndërsa 42 deputetë votuan kundër.

PS e ka konsideruar 'Bashkëqeverisjen' një platformë që do t’u vijë në ndihmë qytetarëve në lidhje me shërbimet, denoncimet e rasteve korruptive apo ankesa të ndryshime për strukturat shtetërore.

Po ashtu u miratua me 112 vota pro, asnjë kundër dhe 2 abstenim, akti normativ për disa ndryshime në marrëveshjen e Ministrisë së Shëndetësisë me kompaninë Pfizer për furnizimin me vaksina kundër COVID.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:08
Me 73 vota pro, Kuvendi miraton ligjin 'për bashkëqeverisjen'! Kalon edhe akti normativ për vaksinat Pfizer

Kuvendi ka miratuar sot me 73 vota pro tligjin 'për bashkëqeverisjen'. 42 deputetët votuan kundër, ndërsa ky ligj u bë shkak për jo pak debate në seancën e sotme parlamentare. Po ashtu është miratuar me 112 vota pro edhe akti normativ për vaksinat Pfizer.

Ora 15:08
Kreu i grupit parlamentar të PS: Zyra të bashkëqeverisjes duhet të ketë në çdo cep të vendit, qytetarë rrinë me muaj në dyert e zyrave për një përgjigje

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se agjencia e bashkëqeverisjes duhet të mbështetet nga të gjitha palët pasi kjo shmang abuzimet me institucionet dhe shërbimet që u ofrojnë qytetarëve.

"U bënë 16 vite në këtë sallë dhe e di shumë mirë sa të shumtë janë njerëzit që nuk marrin përgjigje nga institucionet. Në këto 30 vite kemi pasur lloj-lloj përpjekjesh për të adresuar me ligj që institucionet t'i kthejnë përgjigje qytetarëve dhe kurrë nuk e kanë marrë një përgjigje. E kam mbështetur ngritjen e zyrës së bashkëqeverisjes në çdo cep të vendit. Njerëzit rrinë me muaj para dyerve të institucionit për të marrë një përgjigje dhe agjencia në vetvete do të jetë një instrument më shumë në duart e qytetarëve", tha Balla.

Ora 14:09
Agjencia e bashkëqeverisjes, Kryemadhi: Sjell mbivendosje ligjesh! Më mirë të ngrihet sindikata e administratës publike

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha se agjencia e bashkëqeverisje nuk sjellë asnjë dobi por vetëm mbivendosje të ligjeve. Ajo tha në vend të kësaj më mirë do të ishte të ngrihej një sindikatë për administratën publike.

"Kjo agjenci nuk sjellë gjë tjetër vetë mbivendosje. A është kodi i punës në mbi statusit e nëpunësit civil, me atë mbi autonominë vendore e me radhë të gjitha të tjerat. Ka një mbivendosje të shumë ligjeve të tjera që ne i kemi miratuar. Ka ardhur koha që të ndërtojmë një sindikatë  të administratës publike që do të sillte dhe oponencën ndaj ligjeve të tilla që bën qeveria. Nëpunësi i bashkisë kujt do i përgjigjet kryebashkiakut, këshillit bashkiak, agjencisë së kryeministrit apo prokurorisë e gjykatave. Kjo agjenci  heq të drejtën e ankimit në gjykatë nga individi që është denoncuar në këtë agjenci", tha Kryemadhi.  

Ora 13:05
Ministri-Sulës: Lërini patronazhistët tanë, ato po bëhen gati për zgjedhjet lokale! Ankesat e qytetarëve nuk do ngelin më në zyrat e shtetit

Duke ju përgjigjur akuzave të deputetit të PD-së, Dashnor Sula se ligji për ‘Bashkëqeverisjen’ do t’u shërbej patronazhistëve, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i kërkoi që të mos merrej me to, pasi kanë nisur punën për zgjedhjet e ardhshme lokale.

‘Në fakt me kolegun Sula, kemi një të përbashkët sepse vijmë nga radhët e prokurorisë, por ne edhe kur nuk duam i kemi këto teoritë konspirative. Lidhur me projektligjin e Bashkëqeverisjes, kjo çështja e patronazhistëve juve ju ka kushtuar pushtetin, është normale, por ky nuk është faji jonë se ju jeni pa struktura, pa organizata, pa patronazhistë, kjo nuk është puna ajonë. Këtu jemi për qytetarët. Nëse deri dje një qytetar që kishte një ankesë për një institucion për mos marrjen e një shërbimi, dërgonte një shkresë. Shkresa shkonte për ministrinë e linjës dhe i kalonte personit, nëpunësit të marrëdhënies me publikut ose ankesat. Merrte dhe s’merrte përgjigje fare. E njëjta gjë do të ndodhë edhe sot. Me këtë projektligj, qytetari do t’i drejtohet institucionit më të cilin ka problematikën ose ankesën dhe do marrë përgjigjen nga institucioni i linjës. Por me një ndryshim, kjo për faktin se do të digjitalizohet marrëdhënia e qytetarit me institucionit e shtetit. Nuk do të ekzistojë më mundësia që ankesat e qytetarëve të ngelin në zyrat e shtetit. Lërini patronazhistët tanë se po bëhen gati për zgjedhjet lokale’.- tha Manja.

Ora 12:55
Dashnor Sula kërkesë mazhorancës për ‘Bashkëqeverisjen’: Vini fre kësaj marrëzie, ai që e ka shkruar ose është budalla ose është detyruar

Deputeti Partisë Demokratike Dashnor Sula tha se projektligji për ‘Bashkëqeverisjen’ është një marrëzi dhe do monitorohet nga kryeministri Edi Rama. Ai i kërkoi qeverisë që të tërhiqet nga ky projektligj.

‘Ky projektligj ja kalon një telenovele turke, por vlen më pak. Personi që e ka shkruar ose është budalla ose e kanë detyruar. Varianti që u miratua në Komisionin e Ligjeve është ndryshuar. Është për të ardhur keq. Jo si krah kundërshtar, por do ju kërkoja të reflektojnë e t’i vënë fre një marrëzie të tillë. Projektligji që do të miratojë sot PS është një ligj tërësisht politik nën drejtimin e kryeministrin. Krijon problematika, pasi ndërfutet tek pushtet e tjera. Duke parë zellin e madh në të cilin u mbrojt projektligji nuk besoj se do të tërhiqet mazhoranca. Kjo nismë rrëzon pushtetin demokratik duke kontrolluar çdo pushtet.’- tha Sula.

Ora 12:36
‘Bashkëqeverisja’, Tabaku përplaset me Ahmetajn: Bën batuta dy lekëshe, duhet të ishe para SPAK! Jemi kundër qeverisë që ka varfëruar shqiptarët

Deputetja e Partisë Demokratike tha se PD nuk do ta votojë ligjin e bashkëqeverisjes, pasi sipas saj ato janë kundër qeverisë që ka varfëruar shqiptarët. Duke ju drejtuar ministrit Arben Ahmetaj, Tabaku tha se ai duhet të ishte para SPAK e jo në Kuvend duke bërë batuta dy lekëshe.

Tabaku: Të dëgjosh batuta dy lekëshe të Ahmetajt që duhet të ishte para SPAK, kjo është për të qeshur.. duhet të flisnim me fakte me shifra se çfarë po ndodh sot me shtetin shqiptar. Kjo tregon tendencën sesi këto duan të qeverisin. Ditë e zezë kur je ti aty... Po dëgjojmë humor banal me ty!.Ta harrojë ai që foli se ne do të diskutojmë në këtë Kuvend për bashkëqeverisjen. Për mua ka vetëm një kundërshtar ato që janë në qeverisje dhe që kanë varfëruar shqiptarët. Ne jemi kundër çdo ligji, dhe e keqja e shqiptarëve do të largohet.

Ndërkohë ministri Ahmetaj, në përgjigjen e tij ndaj deputetes së PD-së ka theksuar se nuk është ajo personi që duhet të diskutojë në lidhje me bashkëqeverisjen.

Ahmetaj: Jam në pozitë të vështire. Ju kujtoni se jeni kundërshtarët tanë... Nuk jeni ju, janë ato pengesa të zhvillimit që nuk e lejojnë Shqipërinë të bëhet ajo që duam ne dhe ju bashkë. Ju nuk jeni kundërshtarët tanë. Ne duam që ju të bashkëqeverisni me ne nëpërmjet inovacionit për qytetarët, me platforomën.

Ora 12:30
PS i lutet opozitës: Hajdeni votojeni ‘Bashkëqeverisjen’, do të ulë korrupsionin në zyrat qendrore e lokale

Duke folur për projektligjin e ‘Bashkëqeverisjes’, ministri Arben Ahmetaj i këkroi opozitës që ta votojnë, pasi ato do të bashkëqeverisin në mënyrë inovative dhe do të ndihmojnë qytetarët.  

‘Mos refuzoni ligjin e bashkëqeverisjes. Do t’i shërbejë çdo qytetari. Do na ndihmojë të ulim korrupsionin në zyrat qendrore dhe lokale. Bëjeni tuajën platformën shfrytëzojeni ligjin për të na kërkuar llogari dhe të na thoni ku dështuam kjo pasi edhe mund të dështojmë ndonjëherë. Nuk do të jetë më burimi PD: Por do të jetë platforma e bashkëqeverisë. Do të vini të na thoni kemi dështuar, sepse edhe mund të dështojmë ndonjëherë, por kjo do të tregojë se ne po bashkëqeverisim. Do të shihni me numra. Të gjitha do të jenë me numra. Ne duam që ju të bashkëqeverisni me ne dhe të jemi për shërbim për qytetarët. Do t’ju lutesha hajdeni të bashkëqeverisim ndërmjet këtij ligji, platforma është e juaja është e mazhorancës dhe mbi të gjitha është e qytetarëve. Jam i bindur se do ta përdorini ligjin, sepse do të bashkëqeverisim në mënyrë inovative.’-tha Ahmetaj.

Ora 12:20
‘Bashkëqeverisja’, ministri i Drejtësisë: Me anë të këtij ligji do të 'krasiten' të paaftët, qytetarët komunikojnë drejtpërdrejt me ministrat e deputetët

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në fjalën e tij në kuvend këtë të enjte ka folur në lidhje me projekt ligjin për bashkëqeverisjen. Në fjalën e tij, Manja tha se ky ligj do të ndalojë abuzimin e punonjësve të administratës ndaj shërbimit që bënin për qytetarët të cilët endeshin nëpër zyra. Manja tha ndër të tjera se ky ligj do të nxjerrë në dritë të gjithë aftësinë e punonjësve të administratës publike.

“Sistemi i disa burokratëve të shpërndarë në zyra me shkelje syri dhe me shenja, ato që po flas janë që nuk denjojnë për të kthyer as përgjigje. Ditë pas dite dhe javë pas jave ato që paguhen nga ne dhe për qytetarët mendojnë se janë në punën e tyre private dhe qytetarët dynden. Ato që ishin dikur zyra që duhej që të zgjidhnin hallet e qytetarëve ishin strukur miqtë e këtij apo të këtij, që u kishin mbizotëruar shumë administratave të majtë dhe të djathtë. Me ligjin e bashkëqeverisjes do të jetë luftë ndaj korrupsionit dhe ryshfetit ndaj padrejtësisë që u bëhet qytetarëve. Duke krijuar një mekanizëm gjurmimi dhe për pranimin e  ankesave të qytetarëve që të mos përfundojë në kosh e grisur dhe e harruar diku apo çfarë shpifej tjetër por me këtë ligj kërkesa dhe ankesa e qytetarëve do të marrë zgjidhje. Ligji për bashkëqeverisjen do të rrisë shpejtësinë e veprimit dhe rritjen e kërkesës së llogaridhënies përballë ligjit nuk ka ligj që të mbron para tij. Me anë të këtij ligji do të krasiten të paaftët dhe do të hidhen themele të shëndosha me bazë të shëndoshë.

Në rreth 140 mijë raste të regjistruara, rreth 54 mijë ankesa qytetarësh kanë marrë zgjidhje dhe rreth 9 mijë punonjës janë vënë para përgjegjësisë. Rekordin e ankesave e mban institucioni i kadastrës. Në nivel ministrisë dhe institucione vartësie 44 mijë kanë marrë zgjidhje. Nga goditja e vendit nga tërmeti dhe nga pandemia ka pasur shumë probleme dhe po punohen për zgjidhjen e ankesave të qytetarëve. Drejtoria e anti-korrupsionit me këtë ligj do të jenë dy ene me interesa të përbashkëta. Qytetari nuk ka pse ta vrasë më mendjen ku do të shkojë denoncimi i tyre pasi ato do të ndiqen nga specialistët përkatës. Vetëm në tetor drejtoria anti-korrupsion ka treguar në prokurori 50 raste,. Një tjetër instrument ligji është se qytetarët kanë të drejtë të komunikojnë me zv ministrat, ministrat dhe me kryeministrat, patjetër dhe te deputetët që kanë zgjedhur. Ky ligj do të nxjerrë në dritë të gjithë aftësinë e punonjësve të administratës publike, ka thënë Manja.

Ora 11:35
Përplasje në Kuvend/Boçi: Pse qeveria nuk flet për rastet e abuzimit seksual ndaj fëmijëve, kush i mbron të miturit? Kushi: Turp që përdorini këto raste politikisht

Një përplasje ka ndodhur në Kuvend mes deputetit të PD Luçiano Boçi, i cili tha se pse qeveria dhe autoritete nuk reagojnë për rastet e dhunës dhe abuzeve që po u bëhen minoreve duke përmendur edhe rastin e 6-vjeçares në Kamëz që dyshohet se është abuzuar seksualisht nga i ati. Boçi tha se 3 ngjarje janë kaluar në heshtje dhe se asnjë ministri nuk ka folur për të mbrojtur ato fëmijë të abuzuar.

“Tre ngjarje shumë të rënda kanë kaluar në heshtje. E para është dhunimi i 6-vjeçare në Kamëz, 11 vjeçare në Lushnje dhe sot e përdhunimit të 16-vjeçare. Këtu nuk tregohet dhe fshihet, atë pjesën e dramës së familjes shqiptare. Në rastin e vogëlushes mori përmasa ulëritëse, jeta përtej ekraneve në Shqipëri kështu është, copëza dramash. Ndodhi drama e 6-vjeçares. Ku është kryeministër? Pse nuk flet, na tregon me gishtin e tij satelitin. Ku është ministrja e Arsimit?  Pse nuk reagoi, asnjë deklaratë nuk ë është bërë. Por ajo ministria e Fëmijëve ku është ajo? po kjo ministria tjetër e Shëndetësisë ku është, pse nuk reagon.? Solidariteti këtu po vdes, sepse ju keni axhenda të tjera. në qendër të vëmendjes tuaj nuk është familja. Nuk artikuluat asnjë shqetësim. Sot megjithëse ka tre ngjarje të rënda unë nuk dëgjoj asnjë prononcim. Keni humbur çdo lloj komunikimi me shoqërinë. E keni goditur familjen", tha Boçi.

Kjo ka sjellë reagimin e ministres së Arsimit Evis Kushi, e cila tha se është turp që këto raste dhe një minorene të përdoret për politikë dhe sulme politike.

“Turpi më i madh është kur rastet e dhunës përdoren politikisht. Vajza është e mitur fatkeqësinë e saj ju e përdorni për të dhunuar politikisht. Nuk duhet reaguar me fjalë por me vepra dhe përmes institucioneve, turp” ka thënë Kushi.

Dy ditë më parë në Tiranë u denoncua një rast i abuzimit seksual të babait ndaj vajzës së tij 6-vjeçare. 27-vjeçari R.K nga Kamza, është lënë në burg pasi akuzohet për abuzim seksual ndaj vajzës së tij 6-vjeçare, ndërsa priten akt-ekspertimi mjeko-ligjor për të vërtetuar nëse ka pasur apo jo abuzim seksual.  Ndërsa sot një tjetër rast abuzimi u denoncua në Gjirokastër, ku një 16-vjeçare ka denoncuar xhaxhain e të atit se ka abuzuar me të që kur ishte 12 vjeçe.

Ora 11:33
Vajzat dhe gratë i ‘përshtaten’ ngjyrave të motit, mbizotërojnë e zeza dhe kafja! Burrat veshin kostumet për seancën e sotme në Parlament

Duket se vajza dhe gratë e parlamentit kanë zgjedhur t’i përshtaten zymtësisë së motit sot, duke u veshur me ngjyra të errëta për seancën e sotme parlamentare.

Ndërsa kanë mbizotëruar ngjyrat e vjeshtës, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu ka zgjedhur “ta thyej” me një xhaketë të kuqe dhe një bluze me lule.

Për sa i përket burrave, ata si gjithmonë kanë zgjedhur kostumet e errëta për ditën e sotme në Parlament.

Ora 11:11
Ministria e Shëndetësisë: Do ta vendosim pasaportë vaksinimi për të hyrë në lokale dhe në strukturat e shërbimit

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastiliu tha sot në Kuvend se do të vendoset ‘green pass’ për t’u futur në lokale. Pra çdo qytetar duhet të paraqesë certefikanët e vaksinimit kur të futet në lokale apo në struktura të tjera të shërbimit.

‘Mos harroni se kur krahasohemi me Evropën duhet të përmendim kontekstin. Si hyhet në një lokal në Evropë? A hyhet me Green Pass? Do ta vendosim Green Pass-in? Si shkohet në strukturat e tjera të shërbimit? Do ta vendosim Green Passin. E vendosëm në Universitete.' - tha ministrja e Shëndetësisë

Ora 11:03
Tritan Shehu-ministres së Shëndetësisë: Të shpërndahet komiteti ekzistues i ekspertëve, është instrument në duart e qeverisë

Deputeti Tritan Shehu kërkoi që të shpërndahet komiteti ekzistues, pasi sipas deputetit të PD-së është thjeshtë një instrument në duart e qeverisë.

‘Duhet shpërndarë komiteti ekzistues pasi është thjeshtë një instrument në duart e qeverisë. Të merren masa reale për mbrojtjen e personelit përveç vaksinimit. Të vihen në gadishmëri spitalet periferike. Të forcohen reanimacionet. Të liberalizohen testet e shpejta. Të organizohet ndjekja post COVID, të paraqitet një kalendar i plotë dhe i qartë. Të ndalojë përdorimi i gjithë vaksinave të pacertifikuara. Të realizohet vaksinimi masiv me dozën e tretë. Të vaksinohen të rinjtë dhe fëmijët me konsensusin e prindërve. Unë jam pesimist se ju do t’i bëni. Shenjat nuk janë të mira.’- tha Shehu.

Ora 11:00
Ministrja e Shëndetësisë-Shehut: Ju luftuat nga facebook, kolegët tuaj ishin në frontin e luftës! Mjaft me dezinformim

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i është drejtuar deputetit demokrat Tritan Shehu që të ndalë dezinformimin që e ka nisur që prej 18 muajsh nga divani dhe facebook, ndërkohë që kolegët e tij luftonin nga fronti i luftës.

"Ju luftoni  nga divani shtëpisë, kur kolegët tuaj përballeshin  me pandeminë. Nëse jeni vërtet të shqetësuar për të sëmurë mos i gënjeni, mos i mashtroni sepse po i merrni më qafë njerëzit. Kujdes dhe shqetësimin lerjani kolegeve tuaj mjekë që e bëjnë punë  nga fronti i luftës as nga divani dhe as nga facebook. Ju nuk pranoni ata të dhënat shkencore të OBSH dhe hiqni dorë nga dezinformimi sepse jeni dhe mjek mbi të gjitha. Tundi në ajër klasifikime botërore që janë shifra relative në kohë të ndryshme, por konteksti duhet të lexohet mirë. Kemi bërë maksimumin për të ruajtur shëndetin dhe kemi bërë maksimumin edhe për pandeminë e gënjeshtrave që ju hidhnit se nuk ka virus.", tha Manastirliu.

Ora 10:45
Shehu-ministres: Fshehët viktimat, nuk janë deklaruar vdekjet në shtëpi

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu tha se qeveria ka fshehur vdekjet si pasojë e Covid në vend dhe se Shqipëria mban numri i vdekjeve është ndër më të lartët në botë. Sipas tij nuk janë deklaruar ata që kanë humbur jetën në shtëpi, si dhe të sëmurët që kanë ndërruar jetë në spitalet private.

"Humbjet ishin tragjike, me gjithë punë vetëmohuese të personelit. Ju nuk morët asnjë masë për mbrojtjen e mjekëve përveç spitaleve Covid. Ju nuk bëtë asgjë. Vepruat në mënyrën më hermetike. A ju kujtohet sesi vinte në lojë kryeministri testimet. Në një kohë kur roli i testimeve ishte esencial. Të gjitha ua thamë. Në spitale private është paguar edhe 1500 euro në ditë. Sepse ju asnjëherë nuk i keni certifikuar ato. Nuk llogarisni aq sa kanë paguar qytetarët për të bërë ilegalisht anti-viralin që ju nuk e keni rimbursuar. E njëjta gjë edhe me testet. Në Gjermani blihej 6 euro. tek ne u shitej qytetarëve 60-70 euro. Prandaj Shqipëria ka sot 16 mijë humbje jete deri në korrik të këtij viti, 50 mjekë të vjetër. Janë fshehur vdekjet, ashtu sikurse janë fshehur edhe rastet e identifikimit. Nuk janë deklaruar rastet e humbura në shtëpi dhe spitalet periferike ", tha Shehu.

 

Ora 10:34
Ministrja e Shëndetësisë i përgjigjet Shehut: Të gjitha vaksinat janë të aprovuara nga OBSH! Deri në mesin e 2022 parashikojmë të vaksinohen 70% e popullatës

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend ka deklaruar se vaksinat që përdoren në Shqipëri janë të gjitha të çertifikuara nga autoritet përkatëse. Në përgjigje të interprelancës së thirrur nga deputeti Tritan Shehu, Manastirliu ka nënvizuar se të gjitha vaksinat janë përdorur në disa vende të botës dhe janë çertifikuar nga OBSH.

‘Deri në mesin e 2022 parashikojmë të vaksinohen mbi 70% e popullatës. Edhe pse me keqardhje kam vënë re tendenca për të keqinformuar, dua ta theksoj fort një të vërtetë, e cila duke qënë e bazuar tek shkenca, tek ekspertet më të mirë, ndërkombetare dhe shqiptare, nuk mundet të jetë e shtrëmberueshme nga askush, as edhe në këtë sallë: Të gjitha vaksinat që janë përdorur dhe përdoren në ShqipërI, janë të miratuara nga OBSH dhe nga agjenci të rëndësishme të Barnave. Të gjitha!

 Pfizer Biontech është aprovuar në 101 vende të botës, dhe është parakualifikuar nga OBSH;

AstraZeneca është aprovuar në 124 vende të botës, dhe është e parakualifikuar nga OBSH;

 Covishield (AstraZeneca) është e aprovuar në 41 vende të botës, përfshi dhe Kanadanë, dhe është e parakualifikuar nga OBSH;

Coronavac e Sinovac është e aprovuar në 41 vende të botës, përfshi Kinën, Turqinë, Gjerogjinë, Maqedoninë e Veriut etj dhe është e parakualifikuar nga OBSH;

Sputnik V - e aprovuar nga 72 vende të botës, përfshirë Hungarinë, Sllovakinë, Serbinë, Malin e zi, Maqedoni e Veriut’, theksoi Manastirliu.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani më shumë së 2 milion e 490 mijë vaksina kanë mberritur në Shqiperi dhe janë kryer më shumë se 1 milion 900 mijë vaksinime.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në interpelancën e kërkur nga deputeti i opozitës, Tritan Shehu për strategjinë e vaksinimit, ka theksuar se Shqipëria do të ndjekë objektivin e OBSH për vaksinimin e 70 % të popullsisë deri në mesin e vitit 2022.

“Ne do të ndjekim objektivin e OBSH-së, për mbulesë vaksinale të 70 % të popullatës, deri në mesin e vitit 2022. Por falë pikërisht kësaj strategjie që ne kemi miratuar që në krye të herës nuk kemi hequr dhe nuk do të heqim dorë nga objektivi ynë, për të vaksinuar popullatën target mbi 16 vjeç, deri në pranverën e vitit që vjen”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj në interpelancën e kërkuar nga deputeti i opozitës, Tritan Shehu, Manastirliu informoi se falë përpjekjeve të qeverisë 44% e qytetarëve janë më të mbrojtur me një dhe dy doza që i përkasin popullatës target +16 vjeç.

Manastirliu në fjalën e saj tha se qeveria ka bërë të gjitha përpjekjet për të përmbushur përgjegjitë e saj për sigurimin e sasisë së nevojshme të vaksinave që çdo qytetar të ketë mundësi të vaksinohet.

“Qeveria ka lëvizur të gjithë gurët për të përmbushur përgjegjësinë e saj, për të siguruar sasinë e nevojshme të vaksinave, në mënyrë që çdo qytetar të vaksinohet. Dhe në këtë drejtim, ia kemi dalë. Ky është një fakt! Arritja e objektivit të mbulesës me vaksina do të varet padyshim nga pranueshmeria, por edhe nga mekanizmat e sugjeruar nga ekspertët, të cilat ne jemi të vendosur t’i zbatojme”, tha Manastirliu.

Ora 10:22
Shehu: E mbushët vendin me vaksina ruse e kineze të pacertifikuara dhe të pasigurta! E kthyet vaksinimin në sallatë ruse

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu ka kërkuar sot interpelancë me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për pandeminë. Shehu teksa bëri thirrje për vaksinimin e popullsisë, tha se në vendin tonë nuk duhet të përdoren më vaksinat ruse dhe kineze pasi janë të pasigurta dhe të pacertifikuara nga EMA. Ai tha se sot popullsia është e rrezikuar nga pandemia , madje akuzon qeverinë se po e kthen vaksinimin në sallatë ruse me kombinimin e vaksinave që njihen nga BE me ato kineze e ruse.

'Fatkeqësisht vendi ynë që nga 2020 nuk pati asnjëherë strategji reale, transparente përballe epidemisë. Nuk shoh dhe nuk kemi asnjë strategjitë qartë dhe objektiva të përcaktuara për vaksinimin e popullsisë. Sot po e mbushni vendin me vaksina kinezë të pacertifikuara nga EMA dhe të pasigurta. Ju bëni demagogji. Shqiptarët meritojnë të vaksinohen me ata që bën edhe BE, jo vaksina të pacertifikuara. Ne përdorim vaksinën kineze të pacertifikuar që nuk përdoret nga BE. Ne jemi të amulli të plotë duke bërë një sallatë ruse me vaksinat. Në këto kushte po humbim jetë njerëzish dhe rrezikojmë të përkeqësohemi", tha Shehu.

Ora 10:09
Tritan Shehu kërkon që të bëhet publike vota e deputetëve: Të votohet hapur! Kryeparlamentarja ia kthen: Çdo gjë është transparente

 

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu ka kërkuar në Kuvend që vota të bëhet publike dhe qytetarët të njihen me votat që hedhin deputetët. Por kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla tha se çdo gjë është transparente dhe se botohet në faqen zyrtare të Kuvendit.

Shehu: Duhet të jemi transparencë ndaj opinionit publik. Duhet të dinë njerëzit si votojmë. Të mos votojmë fshehurazi në letër, por hapur me kartona, është absurde. Është absurditet i tërë...

Nikolla: Votimi është i hapur është transparente çdo fletë votimi publikohet në faqen ë parlamentit të Shqipërisë.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E.D: 04/11/2021 17:41

    O Ogerta me të thon te kalmojt ishalla stë ngel hatrri besoj. Noshta EU mund të boj ligje që bien ndesh me normat e rregullat apo vazhdimin e riprodhimit të jetës. Ju ça do boni??

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë