Kuvendi miraton komisionin për '25 prillin', rrëzon 'Becchettin'! Basha: Padi në SPAK për korrupsionin në 'energjetikë'! Rama: Mos e kopjo atë të foltores, dukesh si personazh i qajtores

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur këtë të enjte, duke nisur që nga ora 10:00 e paradites.  Me debate të shumta ka nisur seanca e sotme e Kuvendi dhe shkak është bërë ulja e minutazhit për deputetët për të folur sot. Vendimin që seanca të jetë më e shkurtër për shkak të masave anti COVID opozita e ka konsideruar si tentativë për t'i mbyllur gojën. 

Një debat mes Kryeministri Rama dhe kryetarit të PD-së Basha ka vijuar më pas, me akuza nga njëra anë dhe me ironi e batuta nga ana tjetër.  Nisi si një debat i zakonshëm për minutazhin e diskutimit por shefi i opozitës Lulzim Basha shpërtheu ashpër kur deputeti socialist Eduart Shalsi po fliste nga foltorja 

"U bërë ti mo plehrë. S’ke turp. Me tregon ti mua shpifjen. O plehrë", ishin fjalët e kryedemokratit që kondicionuan të gjithë diskursin e mëpasshëm edhe të Kryeministrit Rama në debatin e gjatë më kundërshtarin e tij politik.

Kur mori fjalën e tij në Kuvend, Basha njoftoi se PD do të denoncojë të premten në SPAK të gjitha shkeljet dhe abuzimet ne sektorin energjetik në vend. 

"Plani për të marrë 200 milionë euro borxh për OSHEE është tregues i faktit se Rama e ka mendjen vetëm te paratë që do të vjedhë", tha ai.

Kryeministri Rama i qendroi gati Bashës duke e thumbuar se po fliste si Sali Berisha.

"Ta kam thënë edhe personalisht, mos e imito atë të foltores sepse origjinali është gjithmonë më i besueshëm se kopja dhe sa më shumë klith si personazhi i foltores aq më shumë dukesh si ai i qajtores", tha ai.

Duke i kërkuar Edi Ramës ta arrestojë Becchettin Basha i ktheu përgjigje edhe për Berishën

"Unë nuk pështy mbi 16 vite partneritet më Sali Berishën. Nuk pështyj. S’kam ndërmend që të bëhem pjesë e procesit që kaq shumë të pëlqen ty, të eksiton.

Debati u bë edhe më i fortë kur Rama, paralajmëroi se Shqipëria do të dërgojë në orbitë, dy satelitë për kontroll mbi trafiqet e kufijtë.

Rama: The do të blemë dronë? Jo, do të blemë dronë dhe do të çojmë satelitë në orbitë. Këtë do e bëjmë vitin tjetër, Albania 1 Albaia 2, sepse për ne ky vend nuk është tokë e xanun. Prandaj, sytë për të kontrolluar do t’i çojmë në qiell e do të kontrollojmë nga qielli.

Basha: Ti lideri global i satelitëve, në vendin ku njerëzit blejnë dy karota e dy qepë, ke futur mijëra në burg pse nuk paguajnë dot energjinë elektrike. Sado të përdridhesh e shpërdridhesh këtu, faktet janë se ti je përgjegjës për vjedhjen 10 milionë euro me vetëm tenderat e fundit.

Rama dhe Basha u tensionuan më tej pas ironisë për një tjetër krahasim me Berishën, teksa një moment Kryeministri e quajti kryeopozitarin si mik.

Në fund Kuvendi vendosi që të miratonte ngritjen e komisionit hetimor për "25 prillin"  me 123 vota pro, dhe rrëzoi, ashtu siç kishte paralajmëruar Rama, komisionin për "Becchettin" me 46 vota pro dhe 77 kundër. Në komisionin për 'Becchetin' mazhoranca ka votuar kundër, por duket se as vetë opozita që propozoi ngritjen e këtij komisioni hetimor nuk ka votuar e gjitha pro saj, duke pasur 'firo' të votve, duke qenë se PD ka 59 mandate në total. 

Ndërkohë që Kuvendi ka rrëzuar të 3 dekretet e Presidenti Ilir Meta Dekreti për kthimin e ligjit për ndryshime për sistemin e menaxhimit të buxhetit, Dekreti për ndryshime për buxhetin e viti 2021 dhe Dekreti për kthimin e ligjit për të huajt.

Fjala e plote e Rames

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:38
Ngrihet Komisioni hetimor për '25 prillin' , rrëzohet komisioni për 'Becchettin'

Ngritja e komisionit hetimore për përdorimin  e administratës për zgjedhjet e 25 prillit u votua me 123 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim. Kuvendi ka rrëzuar ngritjen e komisionit hetimor për 'Becchetti', me 46 vota pro dhe 77 kundër. Në komisionin për 'Becchetin' ka qenë vetë opozita dhe aleatët e saj që nuk e kanë votuar, duke qenë se PD ka 59 mandate në total.

Të dyja këto komisione hetimore janë kërkuar nga Partia Demokratike. 

 

Ora 17:13
‘2 satelitë në orbitë’, Këlliçi ironizon: Mos u çudisni kur Rama të dalë javës tjetër dhe të thotë se do hapim tender për ‘Rrugën e Qumështit’

 

Deklaratën e kryeministrit Edi Rama se brenda vitit do të çojmë në orbitë dy satelitë, 'Albania 1' dhe 'Albania 2' është komentuar me ironi nga deputeti i PD-së, Belind Këlliçi. Ai tha se javës tjetër Rama do të dalë me deklaratën se do të hapë tender për të ndërtuar rrugën e qumështit. 

“Unë kisha ardhur të flisja sot disa gjëra shumë të vërteta dhe të rëndësishme por s’paskan faj të rinjtë që thonë se kryeministri ka lëshuar pëllumbat.

I vetmi kryeministër në botë, që ndërkohë që në vendin e tij është rritur çmimi i bukës, energjisë elektrike dhe i karburanteve me urdhër të tij, vjen dhe tallet këtu përpara qytetarëve për satelitë që do lëshojë në orbitë.  Pëllumbat e tu zotëri mirë që i ke lëshuar, por tani paskan vajtur edhe në orbitë e jashtë orbite. Kot nuk e ke lënë mjekrën për t’i ngjarë Ismail Qemalit, por tani idhull paske edhe Juri Gagarinin, si i pari njeri që do të shkojë në hapësirë. Nuk do jetë çudi kur Rama të dalë javës tjetër me deklaratën për hapjen e tenderit për ndërtimin rrugën e qumështit. Deri këtu ka vajtur melogamania jote zotëri.”– deklaroi Këlliçi.

Ora 17:05
Tenderi i ‘Unazës së re të Tiranës’, Salianji: Fitoi oferta me 17.4 mln euro më shumë, çdo ditë kjo qeveri po prodhon skandale

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar se kjo qeveri po prodhon çdo ditë skandale. Në fjalën e tij në Kuvend, Salianji u te tenderi për ‘Unazë e Re’, ku tha se ka fituar oferta me çmimin më të lartë.

“Situata e rëndë ekonomike në të cilin ndodhen qytetarët shqiptarë, tregon se për shkak të papunësisë, të mungesës së të ardhurave, mungesës së shanseve të barabarta dhe pasigurisë këto vitet e fundit, qytetarët kanë humbur besimin se cilësia e jetës së tyre do të mund të përmirësohet këtu dhe ndaj ikin.

Mbushja me këta njerëz të cilët janë makineri dhe nuk kanë as gojë të flasin, as llogari t’i kërkojnë do të tentohet që të heshtet mbi dhjetëra afera korruptive që përditë po e shkretojnë Shqipërinë.

Urdhëroni sot, vetëm te Unaza 17.4 milionë euro fiton oferta më e shtrenjtë. Përpara dy ditësh OSHEE 10 milionë euro më shtrenjtë se sa çmimi i tregut. Përditë skandale korruptive të denoncuara sa nga opozita, sa nga media dhe sa nga qytetarëty të cilët kanë cilësi mizerabël në shërbime, qoftë ato shëndetësore, qoftë ajo në arsim, qoftë në kushtet e papërballueshme të vendeve të punës

Për sa kohë që ky ligj është bërë për t’i shërbyer një numri të vogël personash rrotull qeverisë ne do të votojmë pro dekretit të presidentit dhe kundër këtij ligji klientelist”, tha Salianji.

Ora 16:45
Komisioni Hetimor për Bechetti-in, Alibeaj: T’i paguajë lekët Rama, jo shqiptarët, kaq duam ne! Ka lekë ai, mjafton të shkoni në Surrel

 

Aksioni opozitar në këtë seancë plenare ka qenë pikërisht ngritja e një komisioni hetimor për çështjen Bechetti. Deputeti Enkelejd Alibeaj tha se me ngritjen e këtij Komisioni do të ndihmonte oër të hedhur dritë në këtë aferë korruptive, siç e quan ai.

“50 euro do të paguhen nga xhepi i gjithsecilit për tekat e këtij, nuk mjafton rritja e çmimit të bukës, të karburantit, jo nuk mjaftojnë, policia e Edi Ramës i mësyu në mendiat e vet, Engjell Agaci thërret Bechetti, të bëjmë dritë, pse urdhëroi policinë dhe prokurorinë,  pse urdhëroi Engjel Agacin, t’i paguajë Rama këto lekë, asjo shqiptarë, vetëm një njeri, ka para ai, mjafton që të shkoni në Surrel”, tha Alibeaj.

Ora 16:18
Bardhi i përgjigjet PS: Dokumenti ku u bazuam për ngritjen e Komisionit Hetimor të ‘Becchetti’ s’është konfidencial! Keni frikë nga zbardhja e kësaj afere! Publikon vendimin e arbitrazhit

 

Në përgjigje të Taulant Ballës, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha se dokumenti ku është bazuar PD-ja në kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen  “Becchetti” nuk është konfidencial, ndryshe nga sa pretendon PS-ja. Refuzimi për ngritjen e këtij Komisoni, sipas Bardhi është tregues se si PS-ja ka shkelur ligjin.

“Rama ka vendosur që të gris ligjin për Komisionet Hetimor për të mos lejuar opozitën që të faktoj korrupsionin e EdI Ramës. Rama sundon me parimin, tjetër themi e tjetër bëjmë, thjesht po pengoni në pak kohë ngritjen e këtij Komisioni, kërkoni të ndalni transparencë se i trembni asaj që do të zbulohet, tregoni se keni frikë nga zbardhja e kësaj afere, ju vendosni fatin e një njeriu para interesave të shqiptarëve, e paimagjinueshme që Avokatura e Shtetit t’i kërkojë parlamentit që të mos i ushtrojë të drejtat e veta kushtetuese, si cenohet interesi publik nga hetimi. Shtetit shqiptar është shtuar 1.7 mln dollar, nuk është konfidencial dokumenti, nuk ka vendim”, tha Bardhi.

Menjëherë pas përfundimit të seancës plenare në Kuvend, Bardhi ka publikuar vendimin e arbitrazhit për çështjen “Becchetti”. Sipas Bardhit, Rama gënjen kur thotë se ato janë konfidenciale dhe të pa publikuara askund.

 

Ora 16:03
Kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor për ‘Becchetti’, PS: Shkel parimin e konfidencialitetit! PD po shfrytëzohet nga palë të treta, ku e gjetët dokumentin sekret?

 

Kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla tha se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen “Becchetti” është në kundërshtim më ligjin, e ndërsa hodhi dyshime se PD-ja po përdoret nga palë të treta, në kurriz të interesave të Shqipërisë.

" Pyetjet që shtrohen këtu janë:
 1. “Si dhe kush ia ka vendosur në dispozicion PD-së vendimin në fjalë, duke qenë se ai është konfidencial dhe pjesë të tij citohen në kërkesën për ngritjen e komiisonit hetimor, duke respektuar edhe presjen?!
2. A mundet një subjekt politik, i cili funksionin mbi bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, të shkelë parimin e konfidencialitetit dhe të vendoset në funksion të interesave të dyshimta që u shërbejnë palëve të interesuara në këto procese?!
 3. A është në konflikt interesi, apo duke lobuar PD në funksion të interesave private dhe në kurriz dhe kundër interesave thelbësorë të RSh?!
 
Pa pasur synimin të ngre asnjë akuzë, mendojmë që në kushtet e një kërkese naive, PD po shkel rëndë parimet e së drejtës ndërkombëtare. Por, që të jemi realistë dhe jo naivë, duke patur parasysh pasionin e zjarrtë të lidershipit të PD për t’u përfshirë dhe përthithur nga interesa financiare private, mendojmë se jemi para një situate, ku një subjekt politik po shfrytëzohet për t’i shërbyer përfitimeve të paligjshme, në kurriz dhe dëm të interesave të RSH. Në të dy rastet, ky investim i PD u shërben interesave të palëve të tjera të interesuaram, por në asnjë rast interesave të vendit", tha Balla. 

Deklarata e plotë e Ballës
Mazhoranca shprehu vullnetin e plotë për ngritjen e dy komisioneve të tjera dhe parimisht nuk do të kishte asgjë kundër me asnjë lloj komisioni hetimor, i cili do të respektonte parimet kushtetuese, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk do cenonte dhe rrezikonte interesat e Republikës së Shqipërisë. Secili nga ne, para se t‘u shërbejë interesave të partive politike, duhet t’i përmbahet parimeve të mësipërme në formatin e një shtetari të përgjegjshëm që vendos interesat e vendit mbi cdo gjë tjetër.
 
A u përmbahet kërkesa për ngritjen e këtij komisioni këtyre parimeve?! Së pari, kërkesa është në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare. Arbitrazhi, sipas kuadrit rregullator ndërkombëtar si dhe praktikës tashmë të konsoliduar, konsiderohet si një metodë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Në ndryshim nga procesi gjyqësor “klasik” i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, arbitrazhi ka një tipar veçanërisht dallues të mënyrës së zhvillimit të tij, që është konfidencialiteti.
 
Të gjithë proceset ku është palë Republika e Shqipërisë në juridiksionet ndërkombëtare dhe që kanë lidhje direkte apo indirekte me objektin e kërkesës për hetim, janë konfidenciale dhe, rrjedhimisht nuk mund të bëhen publike të dhënat e rrjedhura, apo prodhuara prej tyre, duke përfshirë por pa u kufizuar, edhe vendimmarrjet përkatëse.
 Konfidencialiteti i këtyre proceseve është detyrues bazuar në sa më poshtë:
a. Konventa ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë;
b. Vendime të trupave ndërkombëtare, gjyqësore apo arbitrazhi (si psh GjEDNj);
c. Dakordësi ndërmjet palëve ndërgjyqëse
 
Cdo shkelje e konfidencialitetit përfaqëson automatikisht shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke u pasuar në të njëjtën kohë me dëmtim/rrezik të konsiderueshëm financiar ,por jo vetëm, të interesave të Republikës së Shqipërisë si dhe penalizim të profilit publik dhe privat në sferën ndërkombëtare. Kërkesa e paraqitur nga një grup deputetësh të PD për ngritjen e këtij komisioni hetimor është në shkelje të hapur të konfidencialitetit, pasi i përmbahet dhe citon paragrafe të një vendimi i cili gëzon mbrojtje strikte konfidencialiteti.
 Pyetjet që shtrohen këtu janë:
 1. “Si dhe kush ia ka vendosur në dispozicion PD-së vendimin në fjalë, duke qenë se ai është konfidencial dhe pjesë të tij citohen në kërkesën për ngritjen e komiisonit hetimor, duke respektuar edhe presjen?!
2. A mundet një subjekt politik, i cili funksionin mbi bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, të shkelë parimin e konfidencialitetit dhe të vendoset në funksion të interesave të dyshimta që u shërbejnë palëve të interesuara në këto procese?!
 3. A është në konflikt interesi, apo duke lobuar PD në funksion të interesave private dhe në kurriz dhe kundër interesave thelbësorë të RSh?!
 
Pa pasur synimin të ngre asnjë akuzë, mendojmë që në kushtet e një kërkese naive, PD po shkel rëndë parimet e së drejtës ndërkombëtare. Por, që të jemi realistë dhe jo naivë, duke patur parasysh pasionin e zjarrtë të lidershipit të PD për t’u përfshirë dhe përthithur nga interesa financiare private, mendojmë se jemi para një situate, ku një subjekt politik po shfrytëzohet për t’i shërbyer përfitimeve të paligjshme, në kurriz dhe dëm të interesave të RSH. Në të dy rastet, ky investim i PD u shërben interesave të palëve të tjera të interesuaram, por në asnjë rast interesave të vendit. Në rastin e prezumimit të naivitetit, ku qasja do të ishte jo vetëm në kundërshtim me ligjin por edhe amorale dhe jo etike, deputetët firmëtarë të kërkesës për ngritjen e komisionit, do të duhej të plotësonin deklaratën e konfliktit të interesit, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe nenin 13 të  Kodit të Etikës, ose të kenë kurajon dhe të deklarohen si lobues apo hallka kontakti midis grupeve lobuese dhe subjekteve private (duke përfshirë por pa u kufizuar, palët e interesuara në proces), në përputhje me nenin 21 të Kodit të Etikës së Deputetit.
 
Ndërsa në skenarin e dytë, ku subjekti politik vepron me qëllim duke u shërbyer interesave private në dëm të interesave të RSH, mendojmë se shkohet përtej shkeljes të së drejtës ndërkombëtare, moralit dhe etikës, duke u shndërruar katërcipërisht në një qasje kriminale, gjë që do të ishte shumë e rëndë dhe që nuk do e dëshiroja kurrë për opozitën e vendit tim.
 Së dyti, kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor shkel parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetit të së drejtës dhe prezumimit të pafajësisë.  
Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar qartë kuadrin e funksionimit dhe objektin e punës së Komisioneve Hetimore, të cilat në asnjë rast nuk duhet te cedojnë nga zbatimi i parimeve kushtetuese. Kështu në vendimin 18/2003 Gjykata Kushtetuese shprehet, ndër të tjera, se:
 
1. Komisionet hetimore janë mjet efektiv kontrolli që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit, të cilat ngrihen për çështje të veçantam, të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit;
 2. Objekti dhe fusha e veprimit të komisioneve hetimore, duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, duke mos cënuar pavarësinë dhe duke mos penguar veprimtarinë e organeve të pushteteve të tjera;
 3. Parimet kushtetuese, veçanërisht, parimi i ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve, i të drejtës për një proces të rregullt ligjor, i prezumimit të pafajsisë, i paanshmërisë, i respektimit të jetës private të individit, përbëjnë standarte kushtetuese mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë komisionet hetimore parlamentare.
 
Është fakt që në një seri juridiksionesh ndërkombëtare, të huaja por edhe brenda juridiksionit shqiptar ka procese penale dhe civile, që nuk kanë përfunduar ende, dhe ngritja e komisionit hetimor të kërkuar, do të ndikonte konsiderueshëm në [keq]zhvillimin dhe mbarëvajtjen e këtyre proceseve, duke u përdorur, keqpërdorur, nxjerrë nga konteksti etj, me pasoja shumë të dëmshme për RSH. Përvec procesit penal që është duke u zhvilluar në gjykatë, vetë PD ka investuar SPAK me një kallzim penal, objekti i të cilit është i njëjtë me objektin e komisionit hetimor të kërkuar, dhe ngritja e këtij të fundit do të shkaktonte jo vetëm ndikim negativ në mbarëvajtjen e proceseve penale brenda vendit, por edhe mbivendosje dhe uzurpim kompetencash kushtetuese.
 Duke pasur në vëmendje orientimin e Gjykatës Kushtetuese (V18/2003) se
 “{...} një element esencial i ndarjes së pushteteve është pavarësia e gjykatave dhe gjyqtarëve. Ekzistenca e parimeve të tilla nuk pranon mbi veprimtarinë e gjykatave influenca diktuese që mund të vijnë nga pushtete të tjera. {...} Raporti përfundimtar që harton komisioni hetimor, sigurisht që nuk ka efekte detyruese mbi gjykatat, por ndikimi i tij në nivelin politik mund të jetë i konsiderueshëm. Këto parime përjashtojnë cdo formë kontrolli parlamentar mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave.
 
Në përfundim mazhoranca vlerëson se ngritja e këtij komisioni hetimor në këtë moment, shkel jo vetëm parimet kushtetuese dhe ato të së drejtës ndërkombëtare, por edhe dëmton rëndë interesat publikë të RSH. Secili nga ne duhet të ndjejë përgjegjshmëri atdhetare dhe të mëvetësohet në profilin e një shtetari, duke lënë mënjanë interesa të vogla politke, apo duke u distancuar nga interesa të dyshimta për përfitime personale apo në favor të personave të tretë, dhe duke marrë hapur krahun e shqiptarëve dhe interesave të Shqipërisë, për to mos u dhënë asnjë shkas lindjes së pretendimeve për fatura financiare dhe dëm të autoritetit dhe imazhit të vendit.
 
Pa pasur aspak frikë nga transparenca dhe me bindjen e plotë për të mbështetur të drejtën e kontrollit parlamentar, le të presim përfundimin e të gjithë këtyre proceseve dhe, më pas, nëse opozita e vlerëson ende të vlefshme, të ulemi dhe të koordinojme objektin e një komisioni hetimor, sipas përcaktimeve dhe kushtëzimeve të Kushtetutës dhe të ligjit".

Ora 15:49
Balluku-PD-së: Latë një kufomë energjetike! Arkëtonit 48% të faturimit, ne mbi 96% të faturimit

Ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku ka hedhur akuza të rënda ndaj opozitës, duke theksuar se kanë lënë një "kufomë energjetike". Balluku i është përgjigjur akuzave të rënda të Bujar Leskajt, i cili hodhi akuza për shkelje nga ana e qeverisë duke e bërë fajtore për krizën energjetike që po përjeton vendi.

Sipas ministres, PD-ja kur ishte në pushtet arkëtonte 48% të faturimit, kurse aktualisht vendi nën pushtetin e PS arkëton 96% të faturimit të energjisë elektrike.

“Duhet të jeni më i saktë kur akuzoni, kur nuk ka asnjë copë letër duhet ta japim sipas jush?! Vetëm tuneli i Thirrës ka nisur me një shumë që ishte tek 110 mln dhe u mbyll me 280 mln euro. Është mirë ky lidh i cili nga fillimi vendos një çmim limit i cili në të do ndërtohet vepra, apo t’ja lëmë çdo kompanie që ia rrit çmimin disa fish. Mund t’i merrni dosjet e t’i dërgoni në SPAK, askush nuk ju ndalon që të kontrolloni çdo lloj procesi. Latë një kufomë energjetike. Ju arkëtonit 48% të faturimit, ne mbi 96% të faturimit. 1.1 mln kontrata abone të lidhura nga të cilët 500 mijë aktivë 187 mijë subvenciohen nga shtetit”, tha Balluku.

Ora 13:15
Tabaku akuza qeverisë: E keni kthyer parlamentin në noter dhe Kushtetutën në fletore bakalli! PD nuk tërhiqet për hetimin e inceneratorëve

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha nga foltorja e Kuvendit se qeveria nuk vjen me propozime që vlejnë për jetën e qytetarëve por me akte normative dhe ndryshime në buxhet që i shërbejnë vetëm asaj duke e kthyer parlamentin në noter dhe Kushtetutën në fletore bakalli. Kjo qeveri tha Tabaku është e vetmja që ndryshon buxhetin herë brenda vitit.

"Ia kam thënë komisionit edhe këtu në seancë, nga mëngjesi deri në darkë, e mbledhim parlamentin sa herë duhen vendime për qytetarët, votojmë me të dyja duart pro edhe për vaksinimin, në qoftë se duhet edhe për rindërtimin me gjithë kontratat abuzive dhe korruptive që janë duke firmosur çdo ditë. Por nuk mund ta kthejmë Parlamentin në një noter të çdo ndryshimi buxhetor që këto duan të bëjnë. 38 akte normative, ndryshime kanë bërë vitin e kaluar, tha këshilltari i presidentit, 28 këtë vit. çfarë është kjo?! Është paaftësi?! Është arrogancë?! Që jo vetëm buxhetin por edhe Kushtetutën e kanë kthyer në një fletore bakalli që na mbledhin ne këtu sa herë zgjohen me idenë për të ndryshuar diçka. Por unë nuk e di që ka qeveri që 4 herë brenda vitit të ndryshojë buxhetin?! Nuk e di a qeveri që në fillim të vitit 2021 këtë vit ne do të vaksinojmë?! Është minimumi i përgjegjësisë zyrtare. Është minimumi i përgjegjësisë përpara qytetarëve dhe pastaj vijnë na shesin ne fonde për rindërtimin e fonde për tërmetin", tha Tabaku.

Deputetja demokrate foli edhe për inceneratorët, ku pritet që të ngrihet edhe një komision hetimor për këtë. Ajo tha se PD nuk tërhiqet nga hetimi i inceneratorëve dhe se për to janë bërë janë bërë 3 padi në SPAK, por që dosja vijon të flejë në sirtarët e tyre pa u bërë drejtësi.

"Ne nuk do të tërhiqemi nga kërkesa jonë për të hetuar inceneratorët, impiantin e mbetjeve të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Edhe duke thirrur të paktën 5 deputetë në grupin parlamentar që kanë marrë vendime kriminale për buxhetin e shtetit ashtu siç e thotë KLSH. Kemi bërë tre padi, akoma nuk kemi asnjë përgjigje nga SPAK, tre padi të cilat flenë sot në sirtarët e SPAK sepse i ke nivelin më të lartë nga Kryeministri, zv/Kryeministri, ke Sekretar të Përgjithshëm të përfshirë, ke Sekretar Organizativ të përfshirë, ke të paktën 5 persona nga PS të cilët duhej të ishin sot në hetim dhe ky parlament prapë do të mbyllë sytë e nuk do të na lë që të votojmë ngritjen e këtij Komisioni hetimor. Nuk e pengon asgjë. As drejtësia nuk e pengon. Ne nuk do të marrim të arrestojmë persona këtu në parlament që kanë marrë vendime, ne thjesht duam që t’i çojmë ato përpara drejtësisë", tha Tabaku

Ora 13:10
Braçe: Mbaj përgjegjësi për çdo firmë të hedhur si zv.kryeministër, nuk i kam duart e lyera me gjak

1634208771_Screenshot2.jpg

Deputeti socialist Erion Braçe nga foltorja e Kuvendi tha se mban përgjegjësi për çdo firmë të hedhur në çdo VKM gjatë kohës kur ka qenë zv.kryeministër, pasi nuk i ka duart e lyera me gjak. Ndër të tjera Braçe tha se “nuk i kam duart me gjak” dhe “nuk ma prish gjumin gjakun”.

“Këtu i bashkohem kryetarit të opozitës në thirrjen e tij për drejtësinë, hetoheni privatizimin OSSH-së, ka qenë një ndër më kriminalet bashkë me ARMO-n dhe tentativën për AlbPretrolin. OSSH-ja nuk i privatizua për biznes, u privatizua për të transferuar vjedhjen me energjinë.

Në planin personal, pa më të voglin diskutim që unë i dal zot çdo firme, të hedhur në VKM dhe çdo akt tjetër. Jam në dritë të diellit dhe nuk i fshihem kërkujt. Mbi të gjitha nuk i kam duart me gjak. Nuk ma prish gjumin gjaku, përveçse ora e mëngjesit për të dalë për të vrapuar vetëm, pa roje”, tha Braçe.

Ora 12:46
Rindërtimi nga tërmeti, me 25 nëntor hyjnë në shtëpitë e reja 700 familje

Kur bëhen dy vite nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha nga foltorja e Kuvendit, se 700 familje do të akomodohen në shtëpitë e reja me datën 25 nëntor.

'Sa për rindërtimin, ju thatë dikur 3 D, e më pas thatë që do të ndërtohen pallate te Sami Frashëri, por historia është që deri më 25 nëntor, do të hyjnë 700 familje në pallate dhe sot vetëm ata që kanë marrë përsipër fondi shqiptar i zhvillimit janë gati 2 mijë njësi individuale dhe falas për qytetarët. Kur të shpërndajmë pallatet për të gjithë do e bëjmë me short”, u shpreh Ahmetaj.

Ora 12:32
Rama largohet nga Kuvendi, Basha vijon sërish me akuza ndaj kryeministrit: Je kapur me thonj pas ‘Foltores’, e përdor në mënyrë neveritëse

 

Kryetari i Partisë Demokratik Lulzim Basha ka vijuar akuzat për kryeministrin Edi Rama, edhe pasi ky i fundit u largua nga Kuvendi. Duke e quajtur Ramën si një aktor të dështuar, Basha tha se foltorja e Kuvendit është një vend jo për përballje personale, por ku ai duhet të japë llogari. Kryedemokrati tha se Rama është kapur me thonj pas foltores dhe po e përdor në mënyrën më neveritëse.

‘Sa qesharak që je! Po mos të ishe njeri që ka në dorë buxhetin dhe fatet e vendit nuk do më argëtojë dot as sa një aktor i dështuar shfaqjesh në çerdhe fëmijësh. Kjo nuk është një Foltore për përballje personale, por është një foltore ku t’i të japësh llogari për shqiptarët. Je kapur më thonj pas foltores dhe pjesë më të keqe të këtyre 30 viteve nuk ka njeri ta ketë përvetësuar në mënyrën më neveritëse sesa ti. Gjërave kryesore nuk u dhe përgjigje. Ke kohë që je në ajër. Nuk kam gjetur asgjë gati, përveç tigrit në zonën time elektorale.’- tha Basha.

Ora 12:16
Rama-Bashës: Ajo që po ndodh me PD, fundi i partisë! Të kam pikë referimi, mendoj për të mirën tënde gjithmonë

 

Duke iu përgjigjur akuzave të Lulzim Bashës, në një 'luftë' replikash në Kuvend, Rama i kërkoi Bashës që të mos 'imitojë' ish-kreun e PD-së, Sali Berishën. Ai theksoi se situata në PD dhe 'lufta' e nisur mes Bashës dhe Berishës, është fundi i një partie, situatë që, sipas Ramës, nuk e bën të ndihet mirë.

"Ajo që ndodh me ju, mua jo vetëm nuk më argëton, por është fundi i një partie e cila gjithsesi ka bërë çka bërë, por deri këtu nuk kishte shkuar, është shumë e shëmtuar ajo që ndodh. Foltoren këtu nuk e solla unë dhe  nuk ke për ta dëgjuar këtu nëse nuk e sjell ti. Pse qesh? pse qeshura që të del natyrshëm ka filluar të del me shumë vështirësi këto kohë. Të kam pikë referimi, kjo dihet, mendoj për të mirën tënde gjithmonë. Foltoren e sjellë ti kur vjen këtu i fundit, gjë që e dimë sepse zgjohesh më vonë se të gjithë këtu dhe fillon një llogore fjalësh më të ulëta që mund të nxjerrë njeriu. Mos imito, hiq dorë nga imitimi i atij që këtu e quajte ustai, i yti jo i mi, sepse sa më shumë e imiton, aq më pak mund të kthesh realitet ato që sheh në ëndërr. Këto janë gjëra të ulëta. Ai ishte autori i një dosje ta fabrikuar që i ka dalë edhe rrënja e të vërtetës në lidhje me djalin tim. Ti e rimerr këtu prap dhe më tregon mua prindin dhe këta të tjerët duartrokasin. Me këto do ringrihesh? Me këto do bësh opozitën duke iu referuar ustait tënd, duke folur si ai, duke nxjerrë fjalë që është turp të mbushim televizionet me ato lloj fjalësh. Nuk fiton me këto", tha Basha.

Ora 12:02
Basha: Unë nuk pështyj nga 16 vite partneritet me Sali Berishën! Më i keqi i qeverisjes sonë, as nuk krahasohet me më të mirin e qeverisjes tënde

 

Kryetari i PD-së i ka kërkuar Edi Ramës që ta arrestojë Becchettin meqë e ka shpallur në kërkim. Lulzim Basha tha se qeverisja e PD-së as nuk krahasohet me atë të tanishmen.

"S'ka shqiptar që të shpëton më me vulë shqiptare, turke apo serbe që e çon në Uashington për të paguar lobistë. Importi i bananeve të është rritur, i vetmi sektor ku të është rritur bashkë me trafikun e kokainës.

Më i keqi i qeverisjes sonë, as nuk krahasohet me më të mirin e qeverisjes tënde, dhe meqë ra fjala asnjë nuk ke çuar para Prokurorisë.

Unë nuk pështyj nga 16 partneritet dhe bashkëpunim me Sali Berishën dhe nuk dua të bëhem pjesë e këtij procesi që ty kaq shumë të eksiton.  Pyes veten time se çfarë duhet të bëj që ta bëj PD-në ende shpresën e shqiptarëve. Ajo rrugë ka nisur dhe atë rrugë nuk ka fuqi mbi tokë ta ndal. Nuk ka Zot që të shpëton", i tha Basha Ramës. 

Ora 11:56
Basha i përgjigjet Ramës: Armiku im që prej ditës së parë në politikë! Thuaj langonjve të përmbahen nëse s'do të dëgjosh atë pjesë timen që e njeh

Teksa Rama e konsideroi mik duke i kërkuar të mos bëhet njeriu me gojën më të shthurur në Kuvend, Basha i është përgjigjur duke i thënë se për të, kryeministri është sjellë si armik që në ditën e tij të parë në politikë. Ai i bëri thirrje Ramës që të mos provokojnë opozitën, nëse nuk do të 'dëgjosh atë pjesë timen që ti e njeh shumë mirë.  

" Nuk jam në këtë sallë për të qenë dikush tjetër veç vetes. Ju them jo atë që ju thash por dhe më shumë nëse guxoni të vini në foltore e të na bëni moral ne, opozitës të ardhur këtu me dëshirën e shqiptarëve për ndryshim, ju përfaqësues të listës më të zezë të kriminelëve dhe oligarkëve. Ne jemi këtu për të kthyer demokracinë se për ndryshe ky është kotec krimi dhe korrupsioni. Mos guxo, as ti as langonjtë e tu të provokojnë opozitën. Mirmëngjes nga unë s'ke për të dëgjuar, që prej ditës sime të parë në politikë, je sjellë siç je, armiku im, për atë që unë përfaqësoj, s'ke faj se sa herë më sheh të del para ora e rërës. Nëse nuk do të dëgjosh atë pjesë timen që ti e njeh shumë mirë,  thuaji langonjve të vetëpërmbahen kur i drejtohen opozitës së vendit. Halli im janë shqiptarët, por halli yt është se të ka mbaruar kandili. Nuk ke më me çfarë të merresh dhe e di që nuk ka më dhjamë për të shtrydhur prej shqiptarëve. Foltorja nuk është halli im, po i yti, bëhu gati dhe ti për foltore sepse nuk ka foltore të të shpëtojë ty. Unë kam guximin të them se në atë komision të inceneratorëve do të hetohen të gjithë, edhe llumi dhe të korruptuarit gjatë qeverisjes sonë. Ti pse nuk i arrestove ata 8 vjet? Apo sepse i ke ortakë, nga Elbasani në Shijak apo se ta ka qejfi t'i gradosh që t'i hedhësh kundër opozitës. Lojë e vjetër, mund ta kishe bërë 4 vite më parë se isha i ri dhe nuk t'i dija zakonet, por tani t'i di e gjithë bota. Flisni për satelitë ndërkohë që njerëzit s'kanë bukë të hanë", tha Basha.

Ora 11:42
Rama-Bashës: Nuk merrem me ty se je hallexhi sot! Mos e bëj gabimin të bësh garë 'qenef me qenef' me Berishën! Nuk e fiton dot

 

Me ironi dhe batuta Kryeministri Rama i bëri thirrje Lulzim Bashës sot që të mos bëhet si Sali Berisha pasi nuk e fiton dot atë garë.

"Unë hallexhinjve nuk i shtoj hallet, ti je hallexhi sot. Vetëm një gabim mos bëj, të hysh në garë me atë të foltores duke e bërë gojën qenef. Në këtë fushë është më iu mirë se ty ai, se ai është origjinali dhe ti je kopjo. Ti mos bëj konkurrencë qenef me qenef se nuk je si ai.

Mos e imito atë se po e imitove re në gropë, si ai nuk bëhesh dot. Ji në lartësinë e kostumit, e flokëve të krehu me kujdes, ji në lartësinë e buzëqeshjes dhe mos u bëj si ai i foltores sot se tregon se je në hall. Nuk mund të bëhesh ti njeriu me gojën më të shthurur në Kuvend. Unë një herë nuk mund ta pranoj që të kam konsideruar dhe të konsideroj mik", tha Basha.

Ora 11:39
Rama-opozitës: Harrojeni komisionin hetimor ‘Becheti, po mbroni për politikë një të kërkuar

 

Kryeministri Edi Rama, teksa iu drejtua opozitës, tha se nuk mund të ngrihet një komision hetimor për çështjen ‘Becheti’, pasi sipas tij, nuk ka asnjë njohje të publikut me këtë vendim nga gjykata përkatëse. Vendimi i referohet një vendimi konfidenacial dhe nuk ka asgjë publike nga gjykata, shtoi Rama. Duke ju referuar biznesmenit italian Francesko Becheti, Rama u tha deputetëve të opozitës se po bëjnë politikë me një që është shpallur në kërkim.

‘Keni bërë një kërkesë për ngritje e komisionit hetimor që të zbardhen të gjitha veprimet, dhe thoni që në fillim në prill 2021 u njoh me vendimin Becheti. Ma tregoni vendimin, vendimin me të cilin ju jeni njohur. Po ju shpjegoj nuk ka asnjë njohje të publikut me këtë vendim nga gjykata përkatëse, madje kjo që bëni ju konsiderohet vepër penale. Sipas gjykatës bërja publike e të dhënave konfidenciale me qëllim krijimin e panikut dhe dëmtime  interesave të vendin në lidhje me një procedurë të proces. Vendimi i referohet një vendimi konfidenacial sipas vetë gjykatës. Konfidencialiteti i akorduar nga Gjykata ndërkombëtare këtë e dini ju, nuk e them për të trembur, por pse nuk bëhet ky komision. Ju nuk shpjegoni burimin zyrtar publik. As në prill 2021 dhe as sot, vendimi nuk është në faqen e Gjykatës. Është një porces penal në prokurorinë e Tiranës, ku priten të thirren dëshmitare, që prej disa muajsh po kërkohen. Ky që thoni ju është në kërkim dhe ju po mbroni një njeri në kërkim. Po shpifni se shteti shqiptar ka filluar të paguajë. Nuk është e vërtetë. Ky komision hetimor shkel parimet kushtetuese dhe dëmton interesat e Kushtetutës.Komisionin në fjalë duhet ta harroni se komisioni në fjalë nuk bëhet’- tha Rama.

Ora 11:32
Rama: Brenda vitit tjetër do të çojmë në orbitë dy satelitë, 'Albania 1' dhe 'Albania 2'! Basha ironi: Ti, lideri global i satelitëve kur njerëzit vuajnë për ushqim

 

Brenda vitit tjetër Shqipëria do të dërgojë dy satelitë në orbitë. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama sot në Kuvend, deklarata pa nota humori, por një ambicie e re e qeverisë. Ndonëse se në Kuvend pati të qeshura nga radhët e opozitës, Rama se një gjë e tillë do të bëhet realitet shumë shpejt.

"The do blejmë drona. Jo, do blejmë drona, do çojmë edhe satelitë në orbitë. Do çojmë dhe satelitë në orbitë, qeshni po kur të shikoni satelitët 'Shqipëria në Orbitë' dhe jo mandatin tjetër, por vitin tjetër, satelitët 'Albania 1' dhe 'Albania 2', qeshni por do i shikoni atje në orbitë. Sepse për ne ky vend nuk është ‘tokë e xanum’, që siç tha ai i foltores, bëtë të mundur ndërtimin e një qyteti të tërë pa leje, që ka qenë pretendim për t‘u futur si mrekulli e tetë e botës. Ne shohim shumë larg. Po ju them prapë, jo drona. Drona po e po, por edhe satelitë, që kontrolli mbi territorin, kufijtë, të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duart e atyre që kontrollojnë me sy. Në atë pikë nuk dallojmë shumë nga njëri-tjetri. Sytë për të kontrolluar do t’i çojmë në qiell, do kontrollojmë nga qielli. Ju qeshni, është në të drejtën tuaj se të qeshurën e keni program partie. Edhe pse sot jeni në kushtet kur qeshni se nuk qani dot prapë ju kuptoj", tha Rama.

Basha i përgjigjet me ironi duke thënë se kjo është taktikë për të ruajtur statuskuojë

"Ti lideri global i satelitëve ku njerëzit nuk paguajnë dot 2 patate dhe  qepë. Kjo është statuskuoja që ju doni të flisni për satelitë kur njerëzit vuajnë"

Rama nuk la pa ironizuar edhe me akuzat e opozitës, ku i tha se duhet të ndërrojnë 'pllakën e gramafonit' duke shtuar se tashmë ka ikur edhe 'zëri i padronit', referuar ish-kreut të PD-së, Sali Berisha.

"Pllaka e gramafonit është regjistruar në 2013, të paktën prodho një pllakë të re, futi ca melodi të reja se i njëjti avaz që në 2013. Aq më tepër tani, duhet pllakë tjetër se zëri i padronit ka ikur të foltorja, tani ka ngelur vetëm zëri pa padron, vër një pllakë të re", u shpreh Rama.

 

Ora 11:24
Kriza energjetike, Rama: 200 mln eurot nuk janë borxh, janë garanci sovrane për të mbrojtur familjet shqiptare! Rritja ekonomike parashikohet mbi 7.8% për 2021

Kryeministri Edi Rama tha nga foltorja e Kuvendi se tha se kemi të bëjmë me një krizë energjetike globale që ka prekur gjithë botën. Kreu i qeverisë tha se po përballemi me një krizë të asaj natyre sa do të kemi të bëjmë me mungesën e ofertës në raport me kërkesën. Rama duke ju përgjigjur Bashës tha se 200 mln eurot për blerjen e energjisë nuk janë borxh, por janë garanci për të mbrojtur familjet shqiptare.

‘Sipas FMN-së, Shqipëria ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme pas tërmetit dhe pandemisë aktiviteti ekonomik po ringrihet fuqishëm pas 2020. Pas një përiudhë kontraktimi, me 4% në 2020, e cila është shumë më pak se ça ishte parashikimi fillestar. Ekonomia po ngrihet fuqishëm me një rritje të parashikuar më 7.8 % në 2021 do jetë mbi 8 mbaje shënim. Kjo nxitur nga politikat fiskale. Kjo është FMN. Çmimet janë rritur kudo. Në Kosovë deri në Amerika çmimet janë rritur. Gjithë bota flet për një krizë globale dhe jo lokale. Është detyra ime që t’u flas hapur njerëzve kur e gjithë bota do përballet me një krizë të kësaj natyre. Ka krizë dhe ka një krizë të atillë, që vendet po përballen me mungesën e ofertës në raport me kërkesën. Mund ta paguash edhe më shumë dhe mund të mos e gjesh sasinë që të duhet. Ato 200 milionët nuk janë borxh janë garanci për të mbrojtur familjet shqiptare. Të gjithë këto situata duhen përballur. Të gjithë duhen mbrojtur.’- tha Rama.

Ora 11:15
Kuvend/ Rama-Bashës: Ta kam thënë edhe personalisht, mos kopjo atë të foltores se dukesh si personazh i qajtores, je në pikë të hallit

 

Në nisje të fjalës së tij në seancë plenare, Kryeministri Rama ka thumbuar kryeopozitarin Basha duke i thënë se nga mënyra si flet i ngjan atij të foltores, duke iu referuar Sali Berishës.

Rama ironizoi Bashën edhe në lidhje me mënyrën se si ai i tha deputetit Shalsi, duke i thënë se është në pikë të hallit.

"Me keqardhje dëgjova atë logorenë në vend të mirëmnëgjensit pas ardhjes i fundit këtu z. Lulzim. Ta kam thënë edhe personalisht, mos e imito atë të foltores sepse origjinali është gjithmonë më i besueshëm se kopja dhe sa më shumë klith si personazhi i foltores aq më shumë dukesh si ai i qajtores. Një burrë që vë kujën me fjalë që si prind i thua fëmijëve të tua se nuk përdoren asnjëherë dhe e bën këtë në mes të 139 burra e grave të tjera dhe në sy të qindra mijëra të tjera është një burrë në pikë të hallit", tha Rama.  

Ora 10:56
Kriza, Basha: Nesër bëjmë denoncime në SPAK për korrupsionin në sektorin energjetik! Borxhi i ri tregon se Rama e ka mendjen te paratë

 

Partia Demokratike do të bëjë nesër në SPAK denoncim për të gjitha shkeljet dhe abuzimet që sipas tyre janë bërë ne sektorin energjetik në vend.  Në fjalën e tij në Kuvendi, Kryetari i PD Lulzim Basha e vuri theksin te plani i qeverisë për huamarrje për të përballuar krizën energjetike.

Basha nënvizioi se plani për të marrë 200 milionë euro borxh për OSHEE është tregues i faktit se Rama e ka mendjen vetëm te paratë që do të vjedhë.

"Pak ditë më parë tellalli i të keqes njohu shqiptarët me një krizë që do të godiste vendin, me pasoja të rëndë për ekonominë dhe jetët e qytetarëve, të ngjashme me ato të tërmetit apo pandemisë. Por, pakkush e besoi. Në vijim të strategjisë së tij, nxori një plan për të zgjidhur këtë krizë, ku ajo që ra menjëherë në sy ishte borxhi i ri me të cilin do të ngarkojë edhe më shumë qytetarët, edhe më shumë borxhin e lartë publik, një borxh prej 200 milionë eurosh. Dhe kur u përmend kjo shifër e lartë që do të vendoset në dispozicion të OSHEE, si mëlçitë që i varen në qafë ujkut, të gjithë kuptuan se gjuha e Ramës shkoi aty ku i dhimbte dhembi, te paratë që mungonin. Jo për shkak të qytetarëve, që kanë paguar dhe paguajnë qindarkë pas qindarke energjinë e shtrenjtuar, por për shkak të shpartallimit që korrupsioni dhe keqmenaxhimi kanë shkaktuar në sektorin e energjisë

Tendera luksi, kompani konsulence që mbushin xhepat në mënyrë korruptive, klientelizëm dhe punësime politike në administratat përkatëse të KESH dhe OSHEE, që përdorën politikën e tokës së djegur edhe për shkak të zgjedhjeve, ku paratë e dala nga këto institucione shërbyen për të kalcifikuar  një pushtet të paligjshëm. Natyrisht të bëra bashkë me dritëshkurtësinë menaxhimin skandaloz të eksporteve, fitimet e të cilave avulluan edhe pse kambanat e rritjes së çmimeve kishin rënë prej marsit, por atë kohë merreshin me fushatë jo me planifikim.

Duke shkurtuar në korrik dhe gusht rezervave ujore, në atë që ekspertët cilësojnë si viti më i mirë historik, hapën një pjesë të madhe të  gropës që do të mbyllet duke marrë borxh.

Të gjitha këto shpërdorime, duhet të hetohen me përparësi, ndaj edhe ne do të depozitojmë nesër kallzimin penal në SPAK. Sepse korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë nuk duhet ta paguajnë qytetarët, por ata që abuzuan dhe abuzojnë me djersën e tyre. Sigurisht kjo është vetëm një pjesë e krizës së korrupsionit që ka kapur vendin tonë", tha Basha.

Sipas Basha kriza për të cilën flitet është vetëm për qytetarët.

"Vetëm midis shtatorit dhe tetorit i kanë krijuar qytetarëve shqiptar një dëm ekonomik prej më shumë se 39 milionë euro. Për ndërtimin e tunelit të Llogorasë keni përzgjedhur kompaninë që ka ofertën më të lartë, 12 milionë euro më shumë. Pse? Për ndërtimin e Unazës së madhe të Tiranës keni përzgjedhur ofertat më të larta, 17.4 milionë euro më shumë. Pse? 3 blerje të energjisë me cmimie më të larta se ato të bursës, më shumë se 10 milionë euro. Pse? Sigurisht as unë dhe as qytetarët, nuk e presim përgjigjen nga ju për këto pikëpyejte, sepse në një shtet të kapur nga korrupsioni, përgjigja është e qartë. Kriza për të cilën flisni nuk është për ju, por për qytetarët. Prandaj doni t’i trembni, doni t’i mbani në ankth, t’u thoni që kjo është një fatkeqësi natyrore, sepse doni të mbuloni mynxyrat tuaja", tha kreu i PD.

 

Ora 10:39
Basha përplaset ashpër me Shalsin: Hajdut, fatkeqësi, maskara, fundërrinë...! Deputeti i PS-së: Trashja jote e zërit tremb ndonjë laraskë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka debatuar ashpër me deputetin e PS-së Eduard Shalsin sot në Kuvend. Basha i ngriti zërin deputeti socialist duke ju drejtuar me fjalët ‘plehër, hajdut, fundërrinë’. Ndërkohë që kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i tërhoqi vëmendjen për sjelljen dhe shkelje të etikës. Gjithë debati mes tyre erdhi pasi Shalsi, u bëri të qartë sipas tij, deputetëve të opozitës, se atyre askush nuk i ka penguar që të flasin. Në atë moment ndërhyu Basha duke e quajtur plehrë...

Shalsi: Në këtë sallë kam që në 2009, ku ka shumë skena vulgare dhe banale që do doja ti shmangim. Dëgjova një pishtar të PD, por unë di të komunikoj me një pjesë prej jush. Kaherë edhe kur nuk kemi rënë dakord, asnjëherë s’kemi qenë të papëlqyeshëm me njëri-tjetrin. Ju si deputetë të rinj në Kuvend, duhet të dini se jo vetëm që jemi dhunuar nga e drejta e fjalës, por ka dhe sjellje të papranueshme. Debatonim në konferencën e Kryetarëve për komisionet hetimore dhe më kujtohet se si reaguat me opozitën në 2009-2013. Kam qenë me fat që jetën politike e kam nisur në opozitë. Një nga gjërat që i thamë vetes si maxhorancë në 2013 ishim që mos të përsërisim atë arrogancë tuajën. Për çfarë flisni?! Kush ju ka penguar?! S’ka ndërmend t’ju pengojë njeri. Kështu siç jeni…keni një zakon të tmerrshëm. Ky padurimi që keni kur flet tjetri. Nëse nuk do keni durim nuk do të vini kurrë në pushtet

Basha: U bërë ti mo plehrë. S’ke turp. Me tregon ti mua shpifjen. O plehrë!

Nikolla: Ju kujtoj zoti Basha rregulloren…

Shalsi: Se ke kuptuar kurrë se sa i dobët je. Trashja e zërit dhe që bën më i fortë, mund të trembësh ndonjë laraskë. Vetëm më bën për të qeshur. Edhe më këtë natyrën tënde të të bërit të të fortit.

Basha: O fatkeqësi...

Shalsi: Do ta jepja me gjithë qejf fjalën time.

Basha: Qesh, qesh, i gjithë llumi…

Shalsi: Qesh, sepse ke 16 vite në politikë dhe nuk ke kuptuar asgjë. Mendon se do të mbijetosh në politikë, me këtë ngritje zëri.

Ora 10:29
Minutazhi për deputetët 'mollë sherri' mes PD dhe PS! Debate të shumta në nisje të seancës plenare

 

Me debate të shumta ka nisur seanca e sotme e Kuvendi dhe shkak është bërë ulja e minutazhit për deputetët për të folur sot.

Në fillim të seancës ishte kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e cila u shpreh se seanca e sotme do të jetë 360 minuta, nga të cilat 190 minuta i ka shumica në dispozicion për të folur dhe 113 PD, ndërsa pjesa tjetër e dy grupeve të tjera dhe deputetëve të pavarur.

Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të deputetëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim të cilët e konsiderojnë këtë një tentativë për mbyllje goje. Ndërkohë që mazhoranca thotë se kjo është një masë në kuadër të masave anti COVID.

PD i ka kërkuar Nikollës që të ndërpresë seancën dhe të ndryshojë vendimin e marrë në Konferencën e Kryetarëve.

Ora 10:24
‘Po tentoni të na mbyllini gojën’ debate në Kuvend për kohën e deputetëve, Nikolla është vendimmarrje në Konferencën e Kryetarëve

Ka nisur me debate seanca e sotme plenare midis opozitës dhe mazhorancës për kohën e deputetëve për të folur në Sallë. Deputeti i PD-së Gazment Bardhi tha se mazhoranca po tenton që t’u mbyllë gojën. Nga ana tjetër kryetarja e Kuvendit u shpreh se është marrë me vendimmarrje të përbashkët në Konferencën e Kryetarëve.

“Mos na mohoni të drejtën e fjalës. Kjo s’ka ndodhur kurrë që deputetëve të opozitës, 63 deputetë, që të flasin 100 minuta. Ndërkohë rregullorja na ka dhënë të drejtën që të flasim 600 minuta. Ju tani duhet të ndërprisni seancën?! Opozitës nuk mund t’i mbyllet goja në një parlament që ekziston në një vend minimumi normal. Ju keni detyrimin që të thoni se kush është arsyeja që keni marrë këtë vendim. Doni t’i hiqni të drejtën e fjalës opozitës? Jeni aty jo thjesht për t’u bërë transmetuese e vendimeve. Jua ka kërkuar Edi Rama? Nuk është argument!’- tha Bardhi.

Nikolla: Është marrë me vendimmarrje të përbashkët në Konferencën e Kryetarëve.
 

Ora 10:12
U shkarkua nga Basha, Ferdinand Xhaferri zë vendin e Flamur Nokës si nën kryetar i Komisionit të Sigurisë

1634203006_page.jpg

Ferdinand Xhaferri ka zënë vendin e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, pas shkarkimit të Flamur Nokës pak ditë më parë, nga kryedemokrati Lulzim Basha.

M.Q./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 15/10/2021 01:26

    Ketu ne U.S.eshte nje kanal televiziv qe jep Kongresin pothuajse gjithe kohes.Nuk do te ishte keq, qe dhe ne Shqiperi te kishte nje te tille,qe shqiptaret te shpetonin nga tortura e te parit te Kuvendit ne kanalet televizive normale.Sa per satelitet,me duket shaka e tepruar,por jo e para.Ne mos gaboj, mos ka qene Berisha qe i ka kerkuar si me gjysem zeri dikur Berluskonit kur erdhi per vizite,t'i ndihmonte ne zhvillimin e energjise nukleare ne te ardhmen? Edhe kjo ishte nje tjeter shaka e tepruar.

    Përgjigju
    • Eri: 15/10/2021 08:20

      Iris ka kanal Kuvendi eshte tek RTSH Kuvend.E dyta sa per satelititin 30 vende Afrikane kane ose do te kene satelite deri ne 2025.Hap dhe ndonje CNN qe ta zhdukim injorancen.

  • UKU MOMLIT: 14/10/2021 15:15

    Peeeeef Duket si bordello dhe jo kuvend deputetesh te zgjedhur

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu në gjykatën e Tel Avivit për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsion

Netanyahu në gjykatën e Tel Avivit për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsion