Miratohet buxheti, rrëzohet propozimi i Braçes për heqjen e tatimit për pagat deri në 40 mijë lekë, Rama: Po bëjmë edhe opozitën

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 76 vota pro buxhetin për vitin 2019 dhe paketën fiskale, ndërsa opozita ka vijuar bojkotin. Edhe pse  PD dhe LSI nuk ishin të pranishme në Kuvend, opozitën e qeverisë e ka bërë kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe. Referuar paketës fiskale, Braçe propozoi disa amendamente, nga të cilat vetëm dy u pranuan.

Debati më i fortë ishte për fashën e tatimit mbi të ardhurat. Kuvendi rrëzoi propozimin e Erjon Braçes për heqjen e tatimit mbi pagat deri në 40 mijë lekë. Aktualisht për pagat deri në 30 mijë lekë tatimi është zero, ndërsa Braçe kërkoi që fasha të bëhej deri në 40 mijë lekë, por është rrëzuar. Ndërkohë që u rrëzuan edhe amendamentet për heqjen e TVSH-së për të gjithë librashitësit dhe ndërtesat në pronësi të OJF-ve. Një tjetër pikë që ngjalli debat ishte edhe propozimi për rritjen nga 15-30% të taksës për bixhozin të hotelet me 5 Yje, që u rrëzua.

Gjithashtu Ahmetaj rrëzoi edhe propozimin e Braçes për rentën minerare, ndërsa u pranuan propozimet për akcizën dhe tarifat doganore. Referuar propozimit të tarifës doganore, Braçe tha se binte ndesh me MSA-në që të mos ishte më shumë se 5% dhe Ahmetaj e pranoi. Rrëzimet e shumicës së amendamenteve sollën irritimin e Braçes që tërhoqi dy të fundit duke u shprehur me ironi “jam shumë i lumtur me çfarë tha ministri. I tërheq të gjitha”. Ndërkohë që kryeministri Rama i pranishëm në seancë vlerësoi buxhetin, pasi rrit pagat, zeron taksën mbi imputet bujqësore dhe nxit zhvillimin. Shefi i qeverisë e vlerësoi si të frytshëm debatin brenda shumicës, ndërsa u shpreh se në mungesë të PD dhe LSI po bëjmë edhe opozitën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:50
Rama: Tatim zero për imputet bujqësore, oligarkët i taksojmë më shumë se askush

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se shumica më në fund voton vendimin për taksimin zero të imputeve bujqësore. “Do të bëjmë zero taksën për imputet bujqësore. Gjithë panorama është se kemi taksat më të ultë për pagat në rajon, ndërsa për oligarkët i kemi taksat më të larta. Kemi tatimin më të ulët mbi të ardhurat personale. Këto para nuk i merr buxheti, por qëndrojnë në arkën e familjes. Edhe këto edhe zerimi i imputeve bujqësore nuk e ka asnjë vend i rajonit. Zero për imputet bujqësore. Ne kemi ulur taksat dhe kemi rritur bazën”tha Rama.

Ora 13:39
Rrëzohet propozimi për librin, Braçe: Vazhdoni, vazhdoni! Rama: Erjon, të dëgjuam...

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe sot bëri disa propozime lidhur me TVSH-në për librat që u rrëzuan, ndërsa nuk munguan reagimet nga Ahmetaj dhe Rama. Fillimisht u rrëzua propozimi që shitja e librave të tatohet zero. Ahmetaj tha se ‘biznesi i vogël taksën e ka zero dhe kjo është e zgjidhur’ duke rrëzuar propozimin. Propozimi i dytë lidhej me faktin që TVSH-ja për furnizimin e librit dhe mallrave të bëhej 6%, por papë u rrëzua. I irrituar Braçe reagoi duke u shprehur “Vazhdoni, vazhdoni, e keni mirë kështu”. Në këtë moment ndërhyri Rama “Erjon të dëgjuam, nuk ka nevojë tani”.

Ora 13:18
Përplasje për taksat, Braçe-Ahmetajt: Boll të kam dëgjuar...

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe dhe Arben Ahmetaj janë përfshirë në replika gjatë diskutimeve për taksën vendore. Braçe kërkoi që ndërtesat në pronësi të OJF-ve që ofrojnë shërbime komunitare të mos paguajmë taksë për ndërtesën. “Ndërtesat që ofrojnë shitje librash ta kenë zero taksën e ndërtesës” tha Braçe, por Ahmetaj e kundërshtoi gjatë kohës që po fliste. Braçe reagoi i irrituar duke iu drejtuar “Boll të kam dëgjuar...më dëgjoni ti tani mua”. Propozimi u rrëzua, pasi Ahmetaj tha se “Pushteti vendor mund të bëjë ulje, pasi e ka në kompetenca dhe sugjeroj që të rrëzohet”.

Ora 13:15
Protesta te Unaza e Re/ Rama: Respekt për ‘jelekët e verdhë’, por jemi në rrugën e duhur

Gjatë fjalës në Kuvend, kryeministri Edi Rama në mënyrë indirekte përmendi edhe projektin e Unazës së Re dhe protestat që po bëhen nga banorët. Rama duke iu drejtuar si “jelekët e verdhë” protestuesve, një referencë kjo nga protesta në Francë tha se  “Me gjithë respektin për jelekët e verdhë, mendoj se jemi në rrugën e duhur me projektin”.

Ora 13:12
Rrëzohet propozimi i Braçes për heqjen e tatimit për pagat deri në 40 mijë lekë, Rama: Nuk u bë deti kos (Replikat)

Kuvendi ka rrëzuar propozimin e Erjon Braçes për heqjen e tatimit mbi pagat deri në 40 mijë lekë. Aktualisht për pagat deri në 30 mijë lekë tatimi është zero, ndërsa Braçe kërkoi që fasha të bëhej deri në 40 mijë lekë, por është rrëzuar.

Erjon Braçe: Ka ardhur koha të ndryshojë ligji për tatimin mbi të ardhurat. Ka ardhur momenti që ligji të rishikohet dhe në këtë kontekst, ky vend ka nevojë të mbrojë një fashë të ardhurat të domosdoshme për cdo familje. Duhet të mbrojmë të ardhurat e ulëta, minimale. Duhet ta bëjmë edhe ne, pasi ndodh në cdo vend të Europës. Nga shuma e pagave gjatë 2017, prej 20 mld lekësh, paga deri 40 mijë lekë zënë vetëm 2.5% të totalit. Jemi në momentin e duhur për t’u përballur me një problem madhor që ka të bëjë me pabarazinë. Nëse sot buxheti nuk ka mundësi pasi fatura shkoka 4.6 mld lekë ta bëjmë diskutim në vijim që të kemi një ligj.

Ministri Arben Ahmetaj: Taksa e sheshtë u merrte shqiptarëve 10% nga paga. 97% e të punësuarve kanë ulje takash. Ata nga 1-30 mijë lekë pagën e kanë të përjashtuar nga tatimi. Taksimi nga 30-40 mijë lekë është simbolik. Përsa u përket të ardhurave nga kapitali nga 0-5 mln e kemi zero, dhe nga 5-14 mln lekë e kemi 5%. Kemi një pasqyrë të konsoliduar që e ndihmon punësimin dhe ruan një balancë të drejtë. Do të sugjeroja ta rrëzonim amendamentin.

Kryeministri Edi Rama: Mos harrojmë që FMN kërkoi në 2013 për të filluar taksimin nga 15 mln lekë e kemi refuzuar. Është mirë që të mos dalim nga konteksti, kemi pasur një periudhë të vështirë për të vendosjen e rregullit. Ekonomistët i vlerësojnë shumicat edhe për atë që nuk ndodh. Kjo parti ka meritën që ka penguar që të ndodhë një katastrofë e dytë përveç asaj të 1997, ishim në prag falimentimi më pas filluam reformat. Paga 30-40 mijë lekë është mirë ta kujtojmë që taksoheshin 10%, tani 1.89%. Ata që janë 30 e poshtë nuk paguajnë asgjë. As të zbresim te 15 mijë lekë tatim as të zërojmë mbi 30 mijë lekë. Deti nuk u bë kos, këtu jemi më pas do të bëjmë më shumë duke krijuar më shumë mundësi.

Ora 12:55
Deputeti i PS: Bixhozi të hiqet edhe nga hotelet me 5 Yje, pse të pasurit kanë të drejtë të luajnë?

Deputeti i PS, Paulin Sterkaj pas kërkesës së Braçes për rritjen e taksës nga 15-30% për lojërat e fatit në hotelet me 5 Yje, reagoi duke kërkuar mbylljen e të gjithave. “Nuk jam as me Braçen për këtë amendament, por nuk jam as me ministrin, se unë këtë nuk e kuptoj. Heqja e lojërave të fatit është hequr në masë absolute tek sporti, bixhozi dhe lojërat elektronike, por është dhënë në hotele me 4 apo 5 yje. Pra këtu nuk është hequr bixhozi për njerëzit, këtu bixhozi ekziston. Nëse bixhozi hiqet, të hiqet absolut në çdo institucion. Të pasurit paskan të drejtë të luajnë, që shkojnë në hotele me 5 apo 6 yje. Ndërsa të varfrit nuk paskan të drejtë të luajnë me lojërat e fatit’ tha ai.

Ora 12:50
Braçe kërkon rritjen e taksës për bixhozin te hotelet me 5 Yje, Rama e rrëzon

Në Kuvend po diskutohet buxheti dhe paketa fiskale, ndërsa deputeti Erjon Braçe kërkoi rritjen e taksimit nga 15 në 30% për lojërat e fatit te hotelet me 5 Yje, por kryeministri Rama reagoi duke thënë nuk kemi çfarë të taksojmë kur ende nuk janë afruar investitorët. “Është shumë pozitive që bëjmë edhe opozitën e këtij parlamenti, dhe praktikisht disa e sotme ka qenë shumë e frytshme, pasi janë bërë përmirësime të rëndësishme.

Mesazhi i këtij buxheti është shumë pozitiv, pavarësisht se fokusi në këtë seancë te disa amendamente mund të krijojë një ide pak më ndryshe.  Në Shqipëri sot nuk ka asnjë hotel me 5 Yje, brand global i certifikuar dhe nëse duam të zhvillojmë turizmin dhe të jemi konkurrues në rajon i kemi të gjitha mundësitë dhe të shikojmë çfarë bëjnë të tjerët. Sot kemi një potencial prej rreth 15 brand-esh që kanë shprehur interes për të investuar.

Kjo mase e vendosur në paketën e mbështetjen së hoteleve me 5 Yje, që nuk është mbështetje që qeveria u bën të pasurve, por për ekonominë, pasi kjo fashë sjell të ardhurat më të mëdha dhe punësimin më të madh. Kur ne ti kemi këto mund të diskutojmë nëse mund të rrisim taksën, pasi më parë japim mesazh të gabuar te investitorët”tha Rama.

Ora 12:22
Kuvend/ Shumica miraton ndryshimet në ligjin për gazin dhe aderimet

Para nisjes së diskutimeve për paketën fiskale shumica ka miratuar disa projektligje dhe marrëveshje.

Projektligjet e miratuara nga Kuvendi;
Miratohet me 74 vota projektligji "Per nje ndryshim ne ligjin nr.102/2015, "Per sektorin e gazit natyror", te ndryshuar.

Miratohet me 74 vota pro projektligji "Per aderimin ne marreveshjen e Lisbones per mbrojtjen e emertimeve te origjines dhe regjistrimin e tyre nderkombetar".

Miratohet me 75 vota pro projektligji "Per aderimin ne amendamentin e Kigalit te protokollit te Montrealit, "Per substancat qe hollojne shtresen e ozonit'".

Miratohet me 75 vota pro projektligji "Per ratifikimin e marreveshjes se financimit, ndermjet Republikes se Shqiperise, ish-Republikes Jugosllave te Maqedonise dhe Komisionit Evropian per programin e veprimit te bashkepunimit nderkufitar IPA II, ish-Republika Jugosllave e Maqedonise - Republika e Shqiperise, 2014-2020, alokimet e vitit 2017".

Ora 11:59
Spiropali: Ja përse bashkimi i shqiptarëve në Ballkan është i domosdoshëm

Deputetja e PS, Elisa Spiropali nga foltorja e Kuvendit ka sulmuar opozitën për ngjarjet e fundit dhe sjelljen, teksa në Bruksel diskutohet hapja e negociatave. Referuar deklaratave pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Pejë, Spiropali është shprehur se bashkimi i shqiptarëve është i domosdoshëm për të siguruar zhvillimin ekonomik.

“Ne do të bëhemi bashkë që të mbrohemi dhe jo të sulmojmë. Ne duhet të kryejmë korrigjimin e padrejtësive. Bashkimi i shqiptarëve është i domosdoshëm për të siguruar zhvillimin ekonomik. Pasuritë tona mund të sjellin zhvillim të jashtëzakonshëm. Bashkimi i shqiptarëve do të na shpëtojë për ta shpëtuar nga kompleksi i shtetit të vogël. Me bashkimin e shqiptarëve ne do të jemi një vend i madh dhe i rëndësishëm për rajon” deklaroi ajo.

Ora 11:46
Sandër Lleshaj për herë të parë në parlament si ministër i Brendshëm

Sandër Lleshaj është ulur për herë të parë në karrigen e ministrit në parlament. Pas miratimit të dekretit nga Meta, ai u votua në Kuvend javën e kaluar duke u betuar më pas te Presidenti, ndërsa sot ka shkuar në Kuvend si Ministër i Punëve të Brendshme.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj sot në Kuvend
/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • POPULL: 04/12/2018 01:05

    TEATER I NDYRE NE KURRIZ TE POPULLIT

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Aeroportet e Moskës mbyllen përkohësisht! Lavrov: Një armëpushim në Ukrainë do të ishte i padobishëm tani

Lufta/ Aeroportet e Moskës mbyllen përkohësisht! Lavrov: Një armëpushim në Ukrainë do të ishte i padobishëm tani